Kukësi-Tirana, finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë

Kukësi-Tirana, finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë
Finalja e edicionit të 67-të të Kupës së Shqipërisë, mes Kukësit dhe Tiranës, do të luhet më 2 qershor

Nga Aranit Muraçi

Tirana-Luftëtari 5-3

Shënues: Daja 22′ , Kobina 47’ (11-m), Ngo 52’, Sentamu 74’, 87’ / Fili 41’, Oshafi 80’, Neziri 90’

Tirana: Abibi, Doka, Turtulli, Imami (Muça 78’), Hoxhallari, Maveje, Daja, Kobina, Greca, Halili ( Muçi 77’), Ngo  (Sentamu 72’). Trajner: Ardian Mema

Luftëtari: Ruçi, Demo, Kukaj (Neziri 56’), Kocionis, Xhekson, Aleksi, Rapo, Hyseni (Çelaj 75’), Hanti (Oshafi 56’), Fili, Dunga. Trajner: Julian Ahmataj

Gjyqtar: Eldorian Hamiti

 

Skënderbeu-Kukësi 1-3

Shënues: Bregu 47’ / Reginaldo 20’, Abazi 42’ (autogol), Rama 58’

Skënderbeu: Dajsniani, Radas, Pëllumbi, Abazi, Taipi (Mara 77′), Dita, Sibo, Bregu, Gripshi, Krasniqi, Otto John (Pervan 14′). Trajner: Orges Shehi.

Kukësi: Frashëri, Cuculi, Teqja, Et’hemi, Rrumbullaku, Rroca, Musolli (Limaj 60’), Kordeiro, Rama (Çyrbja 78’), Reginaldo, Shkurtaj (Dzaria 74’). Trajner: Ernest Gjoka.

Gjyqtar: Jurgen Xhaja

Tirana-Kukësi do të jetë finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë. Finalja e madhe e edicionit të 67-të Kombëtar të këtij kompeticioni do të luhet më 2 qershor, me shumë mundësi në “Elbasan Arena”, ndonëse vendtakimi mbetet ende për t’u përcaktuar. Për nga rëndësia që ka ky trofe pas titullit kampion dhe ambiciet që kishin dy ekipet finaliste, si Tirana, ashtu edhe Kukësi i fituan bindshëm takimet e kthimit gjysmëfinale. Tirana triumfoi 5-3 ndaj Luftëtarit, në “Selman Stërmasi”, ndërsa Kukësi, mposhti 3-1 Skënderbeun brenda në shtëpi.

Tirana-Luftëtari                 5-3

Më e motivuar, për finalen e madhe, Tirana falë një pjesë të dytë, shkatërroi Luftëtarin duke prerë biletën për në finale. Daja kaloi bardheblutë në epërsi gjatë pjesës së parë, por një gol i Filit në fund të këtij fraksioni loje jo vetëm rihapi takimin, por dha shpresa të mëdha kualifikimi për gjirokastritët. Pjesa e dytë nisi ndryshe. Gjyqtari Eldorian Hamiti akordoi një 11-metërsh për vendasit, sapo nisin 45 minutat e dyta dhe Kobina nuk fal përballë Ruçit. Tirana merr “frenat” e lojës e nuk ndalet, duke shënuar plot tre gola të tjerë, me anë të Ngo dhe një dopietë të Sentamu, duke e bërë gati të pavlefshëm rrjetën e dytë e të tretë të miqve me autorë Oshafin e Nezirin. Pas finales së siguruar, Tiranën e pret derbi me Partizanin, për të siguruar mbijetesën. Por tashmë në finale dhe me trofeun e kupës skuadra kryeqytetase synon të mbyllur  me sukses një sezon që nisi dhe përfundoi i vështirë.

Skënderbeu-Kukësi        1-3

Konsiderohej më e vështirë fitorja në Korçë, ndonëse Kukësi shihet më i favorizuar për kualifikim, por të besuarit e Ernest Gjokës nuk falin Skënderbeun. Të besuarit e Orges Shehit dukeshin më pak të motivuar në fushë ngaqë përjashtimi 10-vjeçar nga Kupat e Europës mbetet ende në fuqi. Kukësi e kishte fituar 2-1 ndeshjen e parë dhe mjaftoi një pjesë lojë për të mbyllur llogaritë me kundërshtarin, për finalen. Reginaldo dhe një autogol i Abazit i dhanë epërsinë e shpejtë miqve. Ndonëse i zakonshmi Dejvi Breguri hapi kualifikimin, ish-sulmuesi kuqezi, Valdet Rama, i rikthyer pas një dëmtimi vulosi me golin e tretë fatet e këtij takimi si dhe të kualifikimit. 

 Historia e i përket Tiranës, Kukësi për presidentin Gjici

Me arritje rekord për futbollin shqiptar, Tirana synon të ngrejë trofeun e 17-të të kupës në historinë e saj: 1938-39, 1963, 1976, 1977, 1983, 1984, 1986, 1994, 1996, 1999, 2001, 2002, 2006, 2011, 2012, 2017. Bardheblutë në 14 finale të deritanishme kanë humbur tetë prej tyre. Nga ana tjetër Kukësi ka shkuar vetëm dy herë në finale të kupës, duke e fituar atë 1 herë:  2016. Fituesi i finales fiton të drejtën e pjesëmarrjes në Europa League. Ndryshe nga Tirana, Kukësi e fiton këtë të drejtë edhe si vendi i dytë i kampionatit, ku qëndron aktualisht.  Por Kukësi e kërkon për prestigj këtë trofe, pasi presidenti i saj, Safet Gjici, konkurron në zgjedhjet lokale gjatë qershorit për Bashkinë e këtij qyteti dhe e dëshiron trofe, si “hajmali suksesi”.

 

Ardian Mema, trajner i Tiranës:

“Gjatë lojës isha i pakënaqur me veprimet që lojtarët kanë bërë lojtarët në fushë. Mbetet të bëhet një analizë e thellë se na presin ndeshje shumë të rëndësishme siç janë Partizani e Skënderbeu. Me këtë fitore jemi në anë psikologjike të mirë e shkojmë ndryshe në këto ndeshje, por nëse nuk lëviz për të vepruar siç duhet me lojtarët, problemet do të jenë evidente si sot.”

 

Ernest Gjoka, trajner i Kukësit:

“Kukësi është një ekip që kërkon trofe, të gjithë ne e dimë këtë situatë. Duhet që të përshtatemi seriozisht dhe të mendojmë për kampionatin. Të kalojmë me sukses ndeshjet e mbetura, pastaj finalja është tjetër gjë. Kukësi do të jetë dinjitoz në të dy kompeticionet. Sa i përket Rexhinaldos, jam shumë i kënaqur, është një vlerë e shtuar në ekip.”

Orges Shehi, trajner i Skënderbeut:

“Mundohem që të merrem vesh me lojtarët, pasi ndonjëherë duhet ngritur edhe zëri. Shohim që ndëshkohemi nga gabimet amatoreske të cilat na kanë kushtuar shumë thuajse në çdo javë ndaj edhe jemi këtu. Skënderbeu është mësuar me trofe vit pas viti. Ndoshta lojtarët ngarkohen më shumë se ç’duhet.”

Julian Ahmataj, trajneri i Luftëtarit:

“Ta fillosh pjesën e dytë me një penallti dhe pas 5 minutash të marrësh gol në një situatë të parrezikshme, është shumë e vështirë dhe shumë keq për ne. Skuadra nuk ishte në ditën e saj më të mirë. Nuk merrem asnjëherë me arbitrat. Ai ashtu e pa dhe e dha, pore ndikoi në lojën tonë. Nëse nuk ka qenë penallti, do të më vinte shumë keq. Objektivi ynë mbetet qëndrimi në Superiore.”