Ligji i ri: Investimet vendase do të mbrohen njësoj si ato të huaja

Ligji i ri: Investimet vendase do të mbrohen njësoj si ato të huaja
Të trajtohen dhe të mbrohen njësoj, si investimet e huaja, edhe ato vendase. Ky është thelbi i një ligji të ri që qeveria ka përgatitur “Për investimet”, duke synuar të “thithë” sa më shumë të tilla edhe nga sipërmarrjet vendase e jo vetëm nga ato jashtë Shqipërisë. Kjo pasi siç e pranon edhe ajo vetë, një nga problemet e deritanishme në garantimin dhe nxitjen e investimeve, ka qenë pikërisht mungesa e një ligji të unifikuar për të dyja llojet e investimeve.

“Por miratimi i këtij ligji përbën garanci për investitorët vendas dhe të huaj se çdo investim i tyre në Shqipëri do të trajtohet me drejtësi e barazi, konform praktikave më të mira ndërkombëtare”, vlerësojnë ekspertët e qeverisë. Sipas tyre, në këtë mënyrë shpresohet të trajtohet hendeku i krijuar deri tani mes investitorëve për mbrojtje dhe garanci të njëjtë. Situatë kjo e krijuar në fakt nga ligji në fuqi, i cili siç pranojnë vetë ekspertët e qeverisë “nuk i përgjigjet kësaj kërkese”.

“Ligji ekzistues nuk bën asnjë rregullim për të drejtat, detyrimet dhe për mbrojtjen e investitorëve vendas dhe nga ana tjetër, as investitorëve të huaj nuk iu ofron ndonjë mbrojtje në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare”, thuhet në relacionin përkatës.

Por si do të arrihet një gjë e tillë?

Së pari, qeveria pohon se do të vendosë një skemë të re ligjore, e unifikuar dhe konkurruese për të tërhequr si investimet e reja vendase, edhe ato të huaja. Dhe së dyti, do të ngrihet një mekanizëm efikas për zgjidhjen e shpejtë dhe të drejtë të mosmarrëveshjeve në fushën e investimeve. “Shpeshherë, kohëzgjatja tej afatit e proceseve gjyqësore, si edhe kostot e shtuara kanë qenë shkaku bazë që shumë investitorë janë tërhequr nga investimi përkatës. Ndaj synohet  që të pakësohen kostot dhe koha për zgjidhjen e mos-marrëveshjeve, për të dyja llojet e investimeve. Është shumë thelbësore për biznesin që t’i zgjidhë shpejt e me kosto të ulët mosmarrëveshjet me institucionet publike”, sqarojnë ekspertët e qeverisë.