Llogaritë e fundit, mbijetesa i “falet” Partizanit (penalizohet Kastrioti)

Llogaritë e fundit, mbijetesa i “falet” Partizanit (penalizohet Kastrioti)
Luftëtari dhe Tirana në katër javët e mbetura kanë ndeshje direkte me Partizanin që pret të shpallet matematikisht kampion. Prej “bujarisë” së të kuqve marrin fund ambiciet e krutanëve   

Nga Aranit Muraçi

Kukësi, me trofeun e kupës pret biletën në Europa League, të drejtë që e merr edhe si vend i dytë duke nxitur betejën për vendin e katërt, ose Europa League, mes Flamurtarit, Laçit dhe Teutës.

Fatet e Tiranës për të siguruar mbijetesën varen nga derbi i kryeqytetit, ndaj Partizanit. Derbi i madh i kryeqytetit, gjatë fundjavës, ndonëse Partizani ka bërë llogari për të festuar matematikisht titullin, nga ana tjetër Tirana kërkon të sigurohet për të mos rënë në një kategori më poshtë.  Partizani do të luajë në “Selman Stërmasi” si ekip pritës dhe do të mjaftohet me një fitore, apo një barazim, ose të mbajë shpresat që Kukësi të mos fitojë në Gjirokastër, për të festuar me tifozët. Me diferencën prej 10 pikësh, Partizanit i dalin llogaritë në tre javët e fundit llogaritë e Partizanit .

Llogaritë

Kastrioti i Krujës, pesë pikë më pak se Tirana dhe Luftëtari, në katër javët e fundit luan kartat e mbijetesës me shpresën se mund të arrijë njërën nga dy ekipet e tjera. Kastrioti ka pasur një ecuri të jashtëzakonshme në pjesës e dytë të garës. Por do ta ketë të vështirë të arrijë të paktën Tiranën, që shihet nga kalendari më e rrezikuar, përmes ndeshjes direkte. Ekipi krutan këtë javë pret Flamurtarin, që ka ambicie për Europën. Më pas është përplasja direkte me bardheblutë. Tirana në përballjen direkte me Kastriotin një javë më vonë shpreson që të mbajë diferencën aktuale, ose të ketë të paktën tre pikë më tepër,  që në çdo rezultat të mundshëm të mos i rrezikohet mbijetesa. Luftëtari nga ana tjetër shihet më i favorizuar.  Kjo sepse gjirokastritët presin Kamzën (tre pikë të sigurta) dhe Partizanin në javën e fundit, me të cilin llogaritë i dalin mirë, ngaqë i fituan dy ndeshjet e fundit me të kuqtë.

Europa

Mbetet e hapur beteja për vendin e tretë, që siguron një biletë në Europa League. Flamurtari, Laçi dhe Teuta luajnë shanset e tyre, për këtë pozicion, garë që shihet e hapur deri në javën e fundit.  Por edhe vendi i katërt shihet me po aq interes, pasi, nëse Kukësi i vendit të dytë fiton Kupën e Shqipërisë, e drejta e pjesëmarrjes së skuadrës së tretë në Europa League për ekipet shqiptare shkon për vendin e katërt në kampion. Për Skënderbeun, për shkak të dënimit 10-vjeçar nga UEFA, dënim që mbetet ende në fuqi, çdo pozitë në klasifikim, nuk do të ketë  vlerë.

 

Ndeshjet e javës

12 maj - 16:30

Skënderbeu - Teuta        

Luftëtari - Kukësi             

Kastrioti - Flamurtari

Partizani - Tirana            

Laçi - Kamza      

 

Klasifikimi

Partizani             65

Kukësi                 55

Flamurtari         48

Teuta                   48

Laçi                      46

Skënderbeu       46

Tirana                 40

Luftëtari             40

Kastrioti             35

Kamza                 17

 

Ndeshjet e mbetura

Java e 34/ 15 maj

Luftëtari-Kamza

Kukësi - Skënderbeu

Teuta - Partizani

Tirana -  Kastrioti

Flamurtari - Laçi

Java e 35/ 19 maj

Laçi - Tirana

Kastrioti - Teuta

Partizani - Kukësi

Skënderbeu - Luftëtari

Flamurtari - Kamza

Java e 36/26 maj

Kamza –Skënderbeu

Luftëtari - Partizani

Kukësi - Kastrioti

Teuta - Laçi

Tirana - Flamurtari