Meta sfidon qeverinë: Rikthen në detyrë rektorin e UT, Mynyr Koni

Meta sfidon qeverinë: Rikthen në detyrë rektorin e UT, Mynyr Koni
Në dekretin e publikuar pasditen e së hënës, Kreu i Shtetit thotë se arsyetimi i Ministres nuk është bindës dhe për këtë arsye nuk mund të pranohet

Presidenti Meta ka rrëzuar vendimin e ministres së Arsimit Besa Shahini për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Vendimi është publikuar në faqen e Presidencës. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e kishte pezulluar rektorin e Universitetit të Tiranës, më 13 prill, duke emëruar Bernard Dostin përkohësisht në këtë detyrë. Presidenti i Republikës, vlerëson se në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, marrja e një vendimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, do të cenonte rëndë dhe, në tërësi, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike të vendosur dhe të mbrojtur nga Kushtetuta, por dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, pasi ushtrimi i kompetencave kontrolluese nga Ministri i Arsimit në këtë rast për gjithë sa u parashtrua më sipër nuk është kryer në mënyrë objektive, shteruese, proporcionale dhe transparente. “Riaktivizimi vetiu i grupit të punës që e kishte përmbyllur funksionin e tij, prej më se 4 muajve, tregon se ky grup pune ka vepruar përtej kompetencave të tij, jashtë afatit të përcaktuar të veprimtarisë dhe i diktuar nga autoriteti i Ministrit të Arsimit për arritjen e një qëllimi të caktuar që do të finalizohej me propozimin për shkarkim të Rektorit të Universitetit të Tiranës, zotit Mynyr Koni”.

Kreu i Shtetit shprehet se Ministrja Shahini para propozimit duhet të ishte konsultuar me Presidentin si dhe të zhvillonte takim me Rektorin për të dëgjuar arsyetimin e tij. “Presidenti i Republikës evidenton se Ministri i Arsimit, në ndërmarrjen e këtij propozimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, nuk është konsultuar apo nuk ka komunikuar paraprakisht me Presidentin e Republikës.  Për më tepër, Presidenti i Republikës, vlerëson se përpara propozimit për shkarkim, Ministri i Arsimit Sportit dhe Rinisë, duhej të kishte realizuar një takim paraprak me Rektorin e Universitetit të Tiranës, me qëllim që të kishte dëgjuar pretendimet apo sqarimet e tij".

Për gjendjen aktuale ne Universitet,  Presidenti thotë se përgjegjësia është edhe e Ministrisë së Arsimit pasi ka vonuar nxjerrjen e akteve nënligjore.

Ministria e Arsimit, Besa Shahini, pezulloi nga detyra Rektorin Koni më 13 prill dhe i kërkoi Presidentit shkarkimin e tij me pretendimin se drejtuesi i Universitetit ishte bërë pengesë për zbatimin e ligjit të arsimit të lartë dhe nuk ka zgjidhur problemet në institucionin që  drejton.