Revolta e një trajneri, Ardian Mema shpërthen ndaj lojtarëve

Revolta e një trajneri, Ardian Mema shpërthen ndaj lojtarëve
Penalltia e realizuar për Tiranën, nga Kibona pa lejen e trajnerit, si dhe dy golat e pësuar në fundin ndeshjes e kanë revoltuar Ardian Memën që kritikon lojtarët dhe paralajmëron masa të forta: Të jem njeri fals nuk e bëj dot, nëse jam i tepërt caktojini vetë detyrat (dhe unë shkoj në shtëpi)

Nga Aranit Muraçi

Goli i dytë i shënuar nga Kobina me penallti, i cili mori topin për të goditur pa lejen e trajnerit, si dhe pësimi i dy golave në fundin e ndeshjes, për të cilët Ardian Mema ngriti dyshime se nga lojtarët e tij mund të jetë toleruar, do të jenë pjesë e një analize të thellë dhe masave ndëshkimore pas këtij sezoni.

Pra, jo gjithçka shkon mirë, edhe kur fiton. Trajneri i Tiranës Ardian Mema pas ndeshjes me Luftëtarin, ndonëse skuadra e tij fitoi 5-3, shpërtheu me kritika të ashpra ndaj lojtarëve në dhomat e zhveshjes. “Albanian Free Press” mësoi se trajneri i ka kërkuar presidentit bardheblu, Refik Halili, një analizë që pritet të zhvillohet sot, por megjithatë, për hir të derbit të fundjavës me Partizanin, nuk pritet të ketë masa konkrete.

Presidenti Halili kërkon të motivojë skuadrën e tij, që ta fitojë derbin e të sigurojë mbijetesën, e më tej ai kërkon trofeun e kupës, si shpërblim për të gjitha përpjekjet e këtij sezoni. Gjithsesi, me ecurinë e pjesës së dytë, dhe arritjen në finale të kupës, trajneri Ardian Mema, ka fituar besimin e presidentit, për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm, pavarësisht nëse Tirana merr kupën dhe shkon në Europa League, apo jo.

“Lojtarët gjysmë-amatorë, nuk e di, të mendosh që të falësh ndeshjen. Të falmet kanë qenë pafund në këtë ekip”, u shpreh i revoltuar Mema. Para derbit me Partizanin, një trajner që e di mirë se çdo të thotë të falësh, kur bardheblutë nuk kanë fituar ende asgjë, druhet dhe  pranon një gjë të tillë.  “Kam qenë i nervozuar pas ndeshjes edhe pse u fitua, dua të jem konkret se nuk dua të fal gabime të tilla dhe mezi pres analizën që të flasim se na presin ndeshje më të vështira se e sotmja”, shtoi Ardian Mema.

Trajneri bardheblu, për të qenë më konkret, apo që të mos aludohet se ai po u bën presion lojtarëve për të fituar derbin me Partizanin dhe trofeun e kupës, u shpreh hapur mbi pakënaqësitë, duke dhënë një shembull. “Nuk u bëj presion futbollistëve por dua të jem i vërtetë. Shpeshherë të vjen keq nga e vërteta por duhet të thuhet siç janë, që lojtarët të mos bëjnë gabime. Analiza video është pasqyrë për çdo futbollist dhe shpeshherë i lë të flasin vetë për mënyrën si janë sjellë në fushë. Nuk mund të merrem me këto gabime që edhe fëmijët shpesh nuk i bëjnë.

Të jem njeri fals nuk e bëj dot. Dua të jem realist me lojtarët e t’i them gjërat ashtu siç janë. Goditjet standarde e penalltitë i cakton trajneri. Janë të përcaktuara, në momentin që të gjithë e vënë dorën te topi, nuk mund të mendoj gjë tjetër veç pjesës amatoreske. Unë marr përgjegjësitë e mia kur vendos dikë të gjuajë goditje standarde. Por ata që shkojnë për të gjuajtur penalltinë vetë, o ky është mentalitet fëmijësh ose amatorësh. Ose unë qenkam i tepërt, ndoshta në të ardhmen do t’i them caktojeni vetë kush do ta gjuajë penalltinë, u shpreh Mema.  Për shkak të dënimit, Tirana e priti Luftëtarin pa tifozë, kështu që Mema beson se me mungesën e tyre lojtarët e patën më të lehtë edhe të abuzonin.