Rritja ekonomike do të vazhdojë, por me tkurrje

Rritja ekonomike do të vazhdojë, por me tkurrje
“Rritja pritet të moderohet në 2019, por do të vijojë të jetë afër nivelit 4 për qind në periudhën afatmesme”

Në raportin e përgatitur, FMN konstaton se perspektiva ekonomike është përgjithësisht e favorshme. Rritja pritet të moderohet në 2019, por do të vijojë të jetë afër nivelit 4 për qind në periudhën afatmesme. Këtë vit, rritja parashikohet të ngadalësohet në 3,5 për qind, për shkak të efektit bazë të prodhimit rekord të energjisë elektrike në vitin 2018 dhe ngadalësimit në vendet partnere.

Në periudhën afatmesme, veprimtaria pritet të nxitet nga një përshpejtim i rritjes në BE, rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës, fuqizimi gradual i eksporteve përfshirë turizmin dhe investimet e nevojshme për ta mbyllur hendekun e madh infrastrukturor në Shqipëri. Megjithatë, zhvillimi i qëndrueshëm varet edhe nga përmirësimet në qeverisjen ekonomike, përfshirë në fushën e shtetit ligjor dhe në luftën kundër korrupsionit. Ndërkohë që inflacioni mbetet ndjeshëm nën objektivin prej 3 për qind, politika monetare duhet të vijojë të jetë shumë akomoduese. Pritet që inflacioni të konvergojë ngadalë drejt objektivit të vendosur, me ngushtimin e hendekut të prodhimit dhe rimëkëmbjen e inflacionit të Eurozonës.

Por ka risqe të rëndësishme që anojnë për nga ana rënëse. Shqipëria është ndjeshëm e ekspozuar ndaj risqeve në rritje në BE, sidomos në partnerët e saj kryesorë tregtarë.

Në frontin e brendshëm dobësitë janë kryesisht në sektorin publik. Ndërkohë që deficiti fiskal ka rënë gjatë vitit 2018, ai parashikohet që ai të rritet në 2.5 për qind të PBB-së në vitin 2019 (përfshirë dorëzanitë për kreditë e reja për sektorin energjetik prej 0.4 për qind e PBB-së).

Ky zgjerim nxitet pjesërisht nga shlyerja e planifikuar e detyrimeve të prapambetura të qeverisë, çka në vetvete është diçka e mirëpritur. Por kjo rritje e deficitit vjen edhe nga masat tatimore të fundit që e zvogëlojnë bazën tatimore, e cila edhe më parë ka qenë e ngushtë, dhe që parashikojnë trajtim preferencial për të tjerë sektorë shtesë, përfshirë këtu uljen e shkallës së TVSH-së dhe shkallës së tatimit mbi fitimin. Për më tepër, ekzistojnë risqet e mosrealizimit të mëtejshëm të planit të të ardhurave dhe humbjeve të pritshme në sektorin energjetik për shkak të rënies së prodhimit nga hidrocentralet.