Sa borxh shleu qeveria vjet? U pagua më shumë për principalin

Sa borxh shleu qeveria vjet? U pagua më shumë për principalin
Paguan më shumë për principalin dhe më pak për interesat e tij. Kjo është skema që duket se qeveria ka ndjekur edhe gjatë vitit të kaluar për shlyerjen e borxhit të saj të jashtëm të krijuar ndër vite. “Në masën prej 84%, shërbimi i borxhit ka qenë për shlyerje të principalit dhe vetëm në 16% për shlyerjen e interesave”, sqarojnë ekspertët e BSH-së, lidhur me këtë dukuri. Në shifra, sipas tyre, vetëm për tremujorin e katërt të vitit të kaluar, u paguan 121.4 milionë euro si për shlyerjen e principalit, edhe për atë të interesave të principalit.

“Nga këto, rreth 74.9 milionë euro janë pagesa të qeverisë, 28.6 milionë euro të sektorëve të tjerë, 17.7 milionë euro të sistemit bankar dhe 0.1 milionë euro të autoritetit monetar”, sqarojnë ata. Duke shtuar më tej faktin se fluksi i borxhit të ri të krijuar vetëm gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018, ishte 91.8 milionë euro.

“Struktura e tij përbëhet kryesisht nga detyrime të reja borxhi të qeverisë, në masën prej 54% dhe sektorëve të tjerë në masën prej 24%”, pohon BSH-ja