Të punësuarit në industri ende të pakët, kryesisht në zonën Tiranë-Durrës

Të punësuarit në industri ende të pakët, kryesisht në zonën Tiranë-Durrës
Industria vazhdon që të jetë një sektor, i cili punëson pak njerëz në Shqipëri, ndryshe nga bujqësia apo shërbimet që kryesojnë në këtë aspekt. Kjo duket edhe nga shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rezulton se industria si e tillë punëson më shumë njerëz kryesisht në zonën e zhvilluar urbane, por edhe të biznesit vendas, Tiranë-Durrës dhe më pak në zona të tjera të vendit.

Konkretisht, në Durrës figuron edhe numri më i lartë i të punësuarve në industri, rreth 34% e totalit, kurse në Tiranë ky sektor punëson 27% të totalit. Shifra këto që vijnë në rënie e sipër duke kaluar në qarqe të tjera, aty ku edhe fillon e merr zgjerim punësimi në sektorin e bujqësisë. Për të kaluar në dy qarqet që mund të konsiderohen edhe si skaje të një dukurie të tillë. Ai i Elbasanit, që edhe pse ka patur ish-Kombinatin Metalurgjik, sot figuron se vetëm 9% e të punësuarve në total e ka pikërisht në sektorin e industrisë. E njëjta gjë që mund të thuhet edhe për qarkun e Kukësit, ku gjithashtu ata që merren me industri janë mjaft të pakët, deri në 7% të atyre që kanë aktualisht një vend pune.

“Në vitin 2018, grup-profesionet më të paguara janë: ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë; Specialistët me arsim të lartë (profesionistë); dhe Teknikët dhe specialistët në zbatim. Ndërsa grup-profesionet me pagë nën nivelin mesatar janë: Punonjës të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit; punëtorët e profesioneve elementare dhe zejtarët, artizanët dhe profesione të lidhura me to”, është një tjetër konfirmim që bëhet nga ekspertët e INSTAT-it.