Ekipi model, kur dikur Shqipëria provonte sukseset më të madha

Ekipi model, kur dikur Shqipëria provonte sukseset më të madha
Kur të shkon mendja tek volejbolli i femrave në Shqipëri, të vjen ekipi legjendar i Dinamos, “simboli i suksesit”.

E lindur nga shkolla e meshkujve të volejbollit, vajzat e Dinamos shkëlqyen brenda dhjetë viteve. Ekipi debutoi në Krujë, para 1970-ës, nën drejtimin e Harun Dojakës, në 1971 skuadrën e mori Kreshnik Tartari.

Një prej themelueseve të ekipi, Donika Duka, kujton përkushtimin e atyre viteve ku së bashku me Eva Kavajën dhe motrën e saj Mira Dreni punonin me pasion për t`i ngritur emrin ekipit, ndërkohë që emocionet nuk mungonin.

“Volejbollin unë e krahasoj më artin, me artistin që del në skenë. Kur bëhet një gjë e bukur të gjithë ngriheshin në këmbë dhe thuhej emri yt”, shprehet Donika Duka.

Donika tregon se Kreshnik Tartari kishte objektiva të qarta. Ishte i pari që në volejboll futi konceptin e organizatores. Ndërkohë që kujton udhëtimin e saj të parë jashtë kufijve të Shqipërisë në Kinë.

“Ishim ekipi i parë që hipën në avion për të luajtur diku dhe udhëtimi i parë ka qënë në Kinë në maj të 1974-ës. Ishim të stërvitur për aktivitetet ndërkombëtare”, thotë Donika.

Ishte viti kur ekipi filloi të numëronte sukseset ndërkombëtare. Prej 1974 “Dinamo” e pathyeshme filloi të rrëmbente trofetë e kupës së republikës dhe kampionatit kombëtar. Në vitet 1980 vajzat si Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Alketa Doçi, Agi Babuli, Jorgjeta Qirici dhe Dorina Nishku filluan të krijonin gjashtëshen historike.

Pa harruar emra të tjerë si Majlinda Xhufi, Ogerta Tole, Merita Berisha apo Gentiana Kambo. Agi Babuli që sot jeton në Greqi ekskluzivisht rikujton “periudhën e lavdishme”.

“Periudha më e mirë ishte kur neve dolëm në vendin e tretë në kampionatin që u bë në Itali. Fituam 3-1 në Durrës dhe kur shkuam në Rumani na duheshin 9 pikë të cilat i morëm dhe arritëm të kualifikoheshim”, shprehet Agi.

Kohë e rivaliteteve të ekipit në fjalë ishte ajo me skuadrën e Skënderbeut, kur përzierja dramatike e një mjedisi shtrëngues, mbartur edhe me mllefe, krijoi duelin e madh mes Kreshnik Tartarit e Pandi Gëllçit, duke percjellë “një volejboll evropian”.

Me Dinamon e Ela Tases, Shqipëria ka qenë në katërshe të Evropës më 1980 për Kupën e Kampioneve, më 1987 në Kupën e Kupave, ku nuk shkon të ndeshet me sovjetiket, për arsye të vendimeve që ish-sistemi komunist mori në atë kohe.

Më 1990 në Forli po për Kupën e Kampioneve, Dinamo arrin kulmin, duke u renditur e 3-ta në Evropë! Pjesa dërmuese e lojtarëve të Dinamos që dallohen për kërcyeshmërinë, sulmin, bllokun, organizimin dhe etjen për fitore formojnë kombëtaren e Shqipërisë e cila arrin këto suksese: në 1987 kampione e Mesdheut, një vit më vonë “nënkampione Ballkanit” dhe në vitin 1990 “kampione e Ballkanit”. Çfarë ka qenë Dinamo për vajzat e talentuara.

“Për mua Dinamo ka qenë jeta sepse çdo gjë që ndodhte në shtëpi, çdo bisedë, ajo ishte pjesë”, shprehet Donika.

Në vitin kur po qartësohej ndarja e epokave të dy sistemeve, merr fund dhe historia e lavdishme e volejbollit shqiptar, për të cilin krenohet ish-regjimi komunist dhe Shqipëria e vogël.

“Dështimet” i atribuohen një “emri”, ndërsa suksesi ndahet me të gjithë. Me volejbolistet e dikurshme dhe trajnerin Tartari, Shqipëria provoi suksesin më të madh, ndërsa periudha na dha emra të paharrueshëm.

loading...
loading...