Fëmijë facebook-u, fëmijë betoni!

Fëmijë facebook-u, fëmijë betoni!
Nga Juela Meçani

Kur sime bije i dhuruan një smart phone, të them të drejtën u mërzita shumë. Të ishte për mua, do kishte një Nokia nga ato që përdorte im atë, që nuk thyhen kurrë, sms e telefonata sa për merakun tim dhe kaq. Sinqerisht u mërzita, por nuk e ndala dot procesin e pakthyeshëm të dashurisë ndaj teknologjisë dhe fotove.

Të mjafton një mbledhje me prindër, të shikosh celularët më të fundit në dorë të të miturve, shpeshherë, shumë më të shtrenjtë e të ndërlikuar se ata të prindërve. Një abuzim dashurie, "kërcënim emocional", do e quanin psikologët. Përmes një dhurate të shtrenjtë shpaguajmë orët pa ta, shpërblejmë notat e mira ose qetësojmë egon tonë, se dhe djali apo vajza jonë duhet të ketë një të tillë, si shokët.

A ndalemi ndonjëherë të mendojmë se mos kjo dhuratë, është po aq e dëmshme sa një makinë luksi me cilindratë të lartë, për bebushin tonë 18-vjeçar?

Ai ekran i vogël me ngjyra, është një kanal i drejtpërdrejtë, drejt një bote të madhe me të cilën ende 9, 10 apo 11-vjeçarët, nuk janë në gjendje të përballen. Por dhe nuk duhet të përballen. Ata duhet, mendoj, në mënyrë të shëndetshme, të jenë e bëjnë fëmijën. Është një pjesë e jetës, që nuk do tu kthehet më. Duhet ta shijojnë si të tillë!

E vërteta është që mjedisi nuk i ndihmon, janë të rrethuar me beton, dyqane, lokale e parukeri. Por nuk kanë ku të luajnë e të vrapojnë të qetë e të lumtur, nuk kanë ku të djersijnë apo të vrasin gjunjët, që të hedhin shtat.

Më e shumta, lëshojnë çantën e rëndë plumb e vrapojnë "me ashensor" tek shkalla e pallatit ku në grupe fillojnë sportin e "filmimit", "këndimit", photoshooting për snapchat apo instagram. Kjo i lodh shumë, aq shumë, sa u vjen uria.

Përpara pak kohësh, ime bijë më afrohet, me të mira. O ma, kur do kem unë instagram? 18 vjeç, iu përgjigja.

Çfarëëëëë? Po më vjen turp, o ma, të gjithë shoqet e kanë. Dhe e kishte seriozisht fjalën turp. Eh, çupë! E kam për ty, që kur të tjerët të jenë mërzitur, ti të kesh me ç'të merresh! Po pse ky është turpi, mam?

Por përsëri nuk e zgjata, e vërtetë që të gjitha bashkëmoshataret e saj, kanë vite me adresa në rrjetet sociale, me poza me buzë në ajër, flokë shpupuritur, sy miklues. E shumë e vështirë që kjo mos të pëlqehet nga një fëmijë kureshtar. E, mendoj, duhet "një luftë e tretë botërore" që të arrish ti shpjegosh se asgjë e bukur, e mirë, e pastër, e vlefshme, nuk do i vijë asnjë fëmije nga iluzioni social, nga ky eksperiment ndjellës, që të gjithëve na ka bërë kavie të lexueshme.

Një nënë më thoshte se, nuk do bënte gabimet e nënës së saj konservatore në kulm. Pra, le të kishte e bija facebook e instagram.

Por jam dakord, vetëm pjesërisht; dikur vuanim konservatorizmin e fjalës, nuk komunikohej e nuk kishte dialog për tema delikate. Kjo na bënte të kishim kureshtje e ti mësonim vetë ca gjëra. Por këtë shpalosje të trashëgimtarëve tanë, në sy të botës, që sa lindin e më pas, nuk di, a mund ta baraspeshoj me të shkuarën?

Fëmijëria është koha më e bukur e jetës, është ajo që të formon, të jep bazat e një pjesë të drejtimit që do të marrësh. E midis një libri e një selfie, një parku e një loje në cel, dashtë Zoti do dimë ti edukojmë bijtë me thjeshtësi e paqe!

loading...
loading...