Austri/ Dënohet Hamdi Salihi, e mori “në qafë” presidentja e klubit ku mbylli karrierën

Austri/ Dënohet Hamdi Salihi, e mori “në qafë” presidentja e klubit ku mbylli karrierën
Hamdi Salihi, ish-futbollisti i shquar i Kombëtares shqiptare, i njohur ndryshe si “bomber”,   është dënuar këtë javë nga Federata Austriake pasi është përfshirë në një skandal falsifikimi dokumentesh.

Salihi aktualisht është ndihmës i trajnerit Edy Reja në stolin kuqezi.

Por teksa mbylli karrierën në Austri vetëm një sezon më parë, ish-sulmuesi shkodran është përfshirë në një skandal të rëndë.

Ky skandal ka sjellë rënien nga kategoria të klubit ku ai mbylli karrierën, Viener Nojshtad e me shumë mundësi i mbylli rrugë edhe punësimit të Salihit në këtë klub, pasi ai ishte projektuar të mbetej pjesë e stafit, por në të ardhmen klubi do të ndryshojë pronarë.

Gjithçka nisi nga kërkesa e Viener Nojshtad për t’u regjistruar në sezonin e ri.

Me sa duket klubi nuk paguante prej kohësh lojtarët dhe stafin, por presidentja Katja Putzenlehner, u kishte mbushur mendjen të gjithëve që të mos e bënin publike një gjë të tillë, në mënyrë që të mos rrezikohej licenca e regjistrimit për sezonin pasardhës.

Në Austri, nëse stafi teknik dhe lojtarët deklarojnë me shkrim se klubi nuk u ka detyrime, kjo depozitohet në Federatë dhe klubi për përputhje me rregulloret e licencimit merr edhe një bonos prej 200 mijë eurosh. Me këtë bonus shlyheshin borxhet.

Stafi dhe një përfaqësues i lojtarëve, më saktësisht Hamdi Salihi, firmosën dokumentin, ndonëse klubi austriak ishte i përfshirë në borxhe të shumta.

Kur Viener Nojshtad ishte pranë sigurimit të licencës, klubi shkarkoi trajnerin dhe ky i fundit si hakmarrje, bëri publik faktin se dokumentet ishin të falsifikuar. Nga hetimi i federatës doli në pah mashtrimi dhe klubit iu hoq licenca si dhe ra në kategorinë e tretë.

Presidentja u përjashtua për një vit, u dhanë dënime disamujore për pjesëtarët e bordit, kurse për trajnerin, ndihmësin e tij dhe Hamdi Salihin, u vendosën gjoba.

Hamdi Salihi u ndëshkua me një gjobë prej 2 mijë eurosh për përfshirjen në këtë çështje.

Pas ngjarjes aksionerët shkarkuan presidenten dhe larguan të gjitha stafin, duke përfshirë edhe Salihin, që kishet ambicie të bëhej pjesë e Viener Nojshtad.

loading...
loading...