Mitsotakis cakton detyra të rrepta për ministrat. Merkel e telefonon dhe e pret së shpejti në Berlin

Mitsotakis cakton detyra të rrepta për ministrat. Merkel e telefonon dhe e pret së shpejti në Berlin
Kryeministri i sapozgjedhur grek Kyriakos Mitsotakis do t'iu paraqesë ministrave të tij detyra specifike mbi programin e ri qeverisës, ku përfshihet ndalimi i punësimit të të afërmve, apo mbajtja e një pune të dytë, që në mbledhjen e parë të kabinetit të qeverisë, mbledhje që do të zhvillohet të mërkurën.

Mitsotakis ka në plan që çdo ministri t’i dorëzohet një plan gjashtë mujor lidhur me përgjegjësitë, ku do të përcaktohen edhe objektiva specifike që duhet të përmbushen deri në dhjetor. Kjo do të jetë edhe mënyra se si do të vlerësohet puna e secilit prej tyre.

Mitsotakis gjithashtu pritet t'iu thotë ministrave të tij se bashkëshortët dhe fëmijët e zyrtarëve qeveritarë nuk do të lejohen të nënshkruajnë ndonjë kontratë me shtetin, ndërsa ministrat, zëvendësit e tyre dhe sekretarët e përgjithshëm nuk do të lejohen të mbajnë një aktivitet tjetër të veçantë profesional apo biznesi.

Për më tepër, kryeministri i ri grek pritet të njoftojë zvogëlimin e numrit të sekretarive të përgjithshme në ministri në 60 nga 93 që ishin deri tani si dhe pritet një shkurtim drastik i numrit të nëpunësve civilë të transferuar.

Kryeministri i ri i sapozgjedhur i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, sakaq, do të vizitojë Berlinin muajin e ardhshëm pas një ftese që ai mori që në ditën e parë të punës nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Vizita pritet të realizohet pas 20 gushtit.

Kjo megjithatë nuk do të jetë vizita e parë e Mitsotakis si kryeministër, pasi udhëheqësi i Demokracisë së Re do të vizitojë Qipron, pas deklaratave programore të qeverisë së tij brenda këtij muaji, 20-22 korrik.

Data e vizitës në Nikozia u finalizua të hënën gjatë një telefonate me presidentin e Qipros, Nicos Anastasiades, i cili e përgëzoi Mitsotakis për fitoren e tij në zgjedhjet e parakohshëm të së dielës.

Ndërkohë para vizitës në Gjermani, vendi që udhëheq BE-në pret që qeveria e re greke të ketë rol konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Maqedoninë e  Veriut,” bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefen Seibert.

“Kjo është një arritje që mundëson normalizimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe sinqerisht shpresojmë se qeveria e re greke në mënyrë konstruktive do të marrë pjesë në këtë proces pozitiv”, tha ai.

Kancelarja Merkel në urimin drejtuar Mitsotakis thotë se pret me padurim të takohen dhe se shpreson për bashkëpunim të afërt miqësor dhe vazhdimin e marrëdhënieve të partneritetit mes Gjermanisë dhe Greqisë.

Merkel falënderoi edhe ish-kryeministrin Aleksis Tsipras sepse në ”shumë vite sfiduese, gjithmonë kanë arritur një bashkëpunim të besueshëm dhe të respektuar” .

loading...
loading...