Skandali në Austri/ Rrëfimi i Hamdi Salihit, gënjeu për hatër të presidentes së klubit

Skandali në Austri/ Rrëfimi i Hamdi Salihit, gënjeu për hatër të presidentes së klubit
Skuadra e fundit në karrierë e Hamdi Salihit, Viener Nojshtad nuk është licencuar për sezonin 2019-2020 dhe federata austriake ka vendosur ta zbresë në Kategorinë e Tretë. Ky klub është dënuar pasi falsifikoi dokumentet për regjistrimin në kampionat dhe nuk paraqiti situatën reale të financave.

Viener Nojshtad kishte vonesa në shlyerjen e pagesave mujore ndaj skuadrës, futbollistëve dhe stafit teknik, por presidentja Putzenlehner kërkoi regjistrimin në sezonin e ri duke pretenduar se nuk ka asnjë problem financiar. Në mediat austriake është bërë me dije se ajo e ka bindur skuadrën që të mos e raportojnë situatën, pasi kështu mund të licencohej edhe në këtë edicion.

Stafi dhe një përfaqësues i lojtarëve që në mediat austriake raportohet se ishte Hamdi Salihi, firmosën dokumentin duke fshehur të vërtetën edhe pse klubi ishte në krizë ekonomike.

Licencimi për sezonin e ardhshëm do t’i siguronte Nojshtadit një bonus prej 200 mijë eurosh. Por një hetim i hollësishëm i federatës austriake zbuloi gjithçka, duke nxjerrë në pah mashtrimin, teksa u zbulua se klubi austriak ishte zhytur 250 mijë euro në borxhe.

Si pasojë e kësaj, Nojshtad u zbrit në Kategorinë e Tretë, ndërkohë që presidentja u dënua me 12 muaj pezullim, menaxheri Spritzendorfer me 9 muaj ndërsa drejtorët Kogelbauer dhe Puçeger me 6 muaj.

Ndëshkimit nuk i shpëtoi as ish-futbollisti shkodran, Hamdi Salihi, i cili në sezonin e fundit ka qenë kapiteni i ekipit. Shkodrani ishte planifikuar të mbetej pjesë e skuadrës austriake, pasi të mbyllte karrierën, por me daljen në publik të skandalit klubi i tij thuajse u shkri.

Salihi u bë pak javë më parë ndihmës trajner i Edy Reja, pra i ekipit Kombëtar të Shqipërisë.

Lidhur me ngjarjen në Austri, Salihi ka treguar për “Panorama Sport” çka ka ndodhur. “Është bërë shumë e madhe sikur çfarë ka ndodhur. Por në fakt, ka ndodhur vetëm që klubi nuk është licencuar për sezonin e ri në Ligën e Dytë”, theksoi ish-sulmuesi shkodran.

Ai u gjobit me 2 mijë euro, për firmën që kishte hedhur, ndërkohë  manipulimi sipas Salihit “nuk lidhet emri im, pasi është një dokument që unë e kam firmosur, si të gjithë futbollistët e tjerë në Austri.”

Në Austri, kriter i federatës është një dokument standard që e firmosin futbollistët.

Salihi thotë se i është përgjigjur pyetjes: A ke arsye për t’u ankuar ndaj skuadrës?

Edhe pse kishte para ende për të marrë, ashtu si edhe shokët e tjerë të ekipit, Salihi thotë se “Unë në fakt nuk kisha një të tillë dhe të gjithë ne, bashkë me shokët e ekipit, e kemi firmosur atë dokument që nuk kemi arsye që ta hapim gjyqin. Kaq kemi firmosur.”

Edhe në Shqipëri, pak ditë më parë, FSHF dha ultimatum për licencimin e katër klubeve në Superiore se në rast mosplotësimi të kriterit financiar, rrezikojnë të mos marrin pjesë në Kategorinë Superiore për sezonin në vazhdim. Mirëpo, shembulli se si ndodh diçka e tillë vjen nga një ish-lojtar i Superiores dhe ish-bomber i Kombëtares: Hamdi Salihi, i cili e ka vuajtur një dënim të tillë, në skuadrën e fundit me të cilën ka luajtur si futbollist profesionist.

 

loading...
loading...