Tatimet, shkarkohet pas vetëm tre muajsh drejtori i përgjithshëm

Tatimet, shkarkohet pas vetëm tre muajsh drejtori i përgjithshëm
Enton Duro shkarkohet vetëm pak muaj pas emërimit në detyrën e rëndësishme.

Më 27 mars të këtij viti, Duro zëvendësoi në krye të Tatimeve ish-drejtoreshën Vasilika Vjero.

Ndërrimet e fundit besohet se lidhen me vjeljen e të ardhurave.

Performanca e Tatimeve ka qenë e dobët këtë vit, duke reflektuar ngadalësimin e rritjes ekonomike nga 4% vitin e kaluar në vetëm 2.1% në tremujorin e parë të këtij viti.

Ky ngadalësim reflektohet edhe me mbylljen e aktivitetit të lojërave të fatit si dhe faktin që projektet e mëdha si gazsjellësi TAP dhe HEC-i i Devollit janë drejt fundit, duke ndikuar edhe në aktivitetin e kompanive që kanë qenë të lidhura me to.

Në pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat nga Tatimet ishin 61.9 miliardë lekë, me një rritje prej 5.8%, duke rezultuar 1.3% ose rreth 800 milionë lekë më pak se plani. Zëri me ecurinë më negative është ai i TVSH-së, me një rënie prej 12% në raport me janar-maj të një viti më parë, që është kompensuar me rritjen e të ardhurave nga tatim fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale.

Më e dobët ishte performanca e doganave, me të ardhurat që u rritën vetëm 0.5% me bazë vjetore për 5-mujorin, ose rreth 2 miliardë lekë më pak se plani.

Pas shkarkimit, ende nuk ka një emër për postin e mbetur bosh të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

loading...
loading...