Teoria qesharake “8 me 2” . Sipas teoricienëve tanë edhe Trump nuk i ka fituar zgjedhjet në SHBA!

Teoria qesharake “8 me 2” . Sipas teoricienëve tanë edhe Trump nuk i ka fituar zgjedhjet në SHBA!
Nga Eduard Zaloshnja

Në mediat tona po qarkullon një teori qesharake, sipas së cilës opozita fitoi 8 me 2 ndaj qeverisë në 30 qershor. Kjo sepse 8 ndër 10 shqiptarë në listat e zgjedhësve nuk votuan, dhe vetëm 2 ndër 10 votuan (rezultati zyrtar i pjesëmarrjes ishte 21.6%, por kjo është tjetër histori).

Sipas kësaj teorie, emigrantët që nuk erdhën të votojnë iu përgjigjën thirrjes së opozitës për bojkot. Në fakt, nga 1.44 milionë shtetasit në moshë për votim që jetojnë jashtë vendit, vetëm pak mijëra vijnë zakonisht për të votuar -  me autobusë të paguar nga partitë politike…

Sipas kësaj teorie disa qindra mijëra banorë të rritur të Shqipërisë, të cilët zakonisht nuk votojnë në zgjedhje lokale, kësaj radhe nuk votuan, sepse iu përgjigjën thirrjes së opozitës për bojkot (e jo sepse e kanë zakon të mos votojnë, pavarësisht se kush garon).

Sipas kësaj teorie, votuesit e djathtë që braktisën PD-në në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk votuan në 30 qershor, sepse iu përgjigjën thirrjes së opozitës për bojkot (e jo sepse kanë humbur dëshirën për të votuar për cilindoqoftë).

Sipas kësaj teorie, votuesit e majtë që nuk e morën mundimin të votojnë në 30 qershor (thjesht ngaqë fituesit diheshin paraprakisht), iu përgjigjën thirrjes së opozitës për bojkot (e jo dëshirës për të shkuar në plazh, për sa kohë e majta e kishte në xhep fitoren edhe pa votën e tyre)

Duke i mbledhur të gjithë këta mosvotues të mësipërm dhe duke shtuar ata që vërtetë iu përgjigjën thirrjes së  opozitës për bojkot, teoricienët mediatikë mbërrijnë tek rezultati 8 me 2.

Po të ndjekim teorinë e tyre, rezultati i zgjedhjeve të fundit presidenciale amerikane ishte 180 me 62 (rezultat basketbollistik ky), ngaqë për Presidentin Trump votuan vetëm 62 milionë amerikanë nga 242 milionë me të drejtë vote.  Dhe SHBA ka një përqindje të vogël të shtetasve të vet jashtë vendit (por që mund ta dërgojnë votën e tyre me postë). Me pak fjalë, 180 milionë amerikanë të rritur vendosën të mos votojnë për Presidentin Trump.

Sipas teoricienëve tanë ai nuk duhej të qeveriste sot…

Ose po të vijmë në shtëpinë tone. Sipas teoricienëve të mësipërm, Berisha nuk duhej të formonte qeverinë në vitin 2005, sepse koalicioni i udhëhequr prej tij (Aleanca për Liri, Drejtësi e Mirëqënie) mori vetëm 562 mijë vota nga 2.85 milionë zgjedhës që ishin në listat e zgjedhësve (që përbëjnë vetëm 19.7% të totalit). Pra i bie që Berisha t’i ketë humbur zgjedhjet atëherë me rezultatin 8 me 2 (vetëm 2 ndër 10 zgjedhës në lista votuan për të), pavarësisht se koalicioni i tij fitoi të drejtën për të qeverisur vendin…

Në qoftë se zhvillohen sot zgjedhje parlamentare, sipas teoricienëve të mësipërm, fitues legjitim mund të quhet vetëm ai koalicion që merr mbi gjysmën e votave të 3.54 milionë shtetasve në listat zgjedhore (d.m.th mbi 1.77 milionë vota). Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit parlamentare morën pjesë gjithsej 1.6 milionë zgjedhës…/Realstory/

loading...
loading...