
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, reagoi i pari pas vendimit për t’i akorduar Çmimin Nobel për Letërsinë shkrimtarit austriak Peter Handke.
Handke është i njohur për mbështetjen e tij të hapur ndaj Sllobodan Millosheviçit.
Handke ka qenë dhe një nga personat që ka mbajtur një fjalim në varrimin e ish-liderit serb, gjatë kohës së luftës, i njohur ndryshe në historinë botërore si “Kasapi i Ballkanit”.
Me anë të një postimi në Twitter, Cakaj shprehet i zhgënjyer që ky çmim i është dhënë një personi që ka mohuar genocidin. Madje ai shkon dhe me tej kur e quan “Akt i pakuptimtë dhe i turpshëm, dëshmitarë të së cilit jemi në vitin 2019”.
“Si një njeri i pasionuar me bukurinë dhe fuqinë e përjetshme të letërsisë për të pasuruar përvojën njerëzore dhe si viktimë e spastrimit etnik dhe gjenocidit, jam i mërzitur nga vendimi për ti dhënë Çmimin Nobel në Letërsi një mohuesi të genocidit. Çfarë akti i pakuptimtë dhe i turpshëm”, shkruan Cakaj në Tëitter.
Kanë reaguar edhe ministret e Arsimit dhe e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Besa Shahini dhe Elisa Spiropali, mbi vlerësimin që iu bë shkrimtarit austriak.
Reagimi i Elisa Spiropalit:
Nobeli për Letërsi iu dha Peter Handke, glorifikuesit të Millosheviçit, mbështetësit të genocidit kundër shqiptarëve të Kosovës, njeriut që qau në varrimin e kasapit të Ballkanit. Fal Zotit nuk është gjallë Hitleri se Nobelin do e fitonte “Mein Kampf”-i. #TurppërKomitetin"
Reagimi i Besa Shahinit:
"Njeriut të genocidit, mbështetës i Sllobodan Millosheviçit, Peter Handke, iu dha një çmim Nobel për letërsinë. Si viktimë e agresionit të Millosheviçit në Ballkan dhe si mbështetës i paqes në botë, unë jam i tmerruar nga ky vendim."
Sot u dhanë çmimet Nobel për Letërsinë, përkatësisht për vitin 2018 dhe vitin 2019.
Ata janë Olga Tokarczuk dhe Peter Handke. /Afp.al