Dhuna e ashpër në ndeshjen Tirana – Partizani cilësohet si akt terrorist

Dhuna e ashpër në ndeshjen Tirana – Partizani cilësohet si akt terrorist
Klubi i Futbollit Partizani ka reaguar me ashpërsi ndaj ngjarjeve të ndodhur në takimin Tirana – Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore, duke i konsideruar ato si “akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë”, që “mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Klubi i Futbollit Partizani, vlerëson se “për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvajtjen e takimeve derbi. Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv” shkruan klubi.

Sipas tij “Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”.

Gjithnjë sipas reagimit të Klubit të Futbollit Partizani, “Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë”.

Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”.

Klubi i Futbollit Partizani ju bën thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedentë.

loading...
loading...