Gjykata gjobit për shpifje Albana Vokshin, Veliaj tregon destinacionin e parave

Gjykata gjobit për shpifje Albana Vokshin, Veliaj tregon destinacionin e parave
Gjykatës e Tiranës dënoi sot për shpifje ish-deputeten demokrate Albana Vokshi.

Ish-deputetja  e PD-së u dënua për akuzën e shpifjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ai e kishte paditur Vokshin për shpifje, lidhur me disa deklarata që kjo e fundit kishte bërë nga selia e PD ku e akuzonte se po mblidhte të dhënat e prindërve për fushatë në çerdhe dhe kopshte.

Sipas Gjykatës, Vokshi detyrohet t’i paguajë një dëmshpërblim moral prej 1 milion lekësh ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, para të cilat sipas Veliajt do të shkojnë direkt në “Fondin e Edukimit”, i cili është krijuar për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore, në shkollat e prekura nga tërmeti.

Përmes një postimi në “Twitter”, ai thotë se ka vendosur që vlerën e gjobës ta dhurojë për kompjutera për shkollat e dëmtuara nga tërmeti në Vaqarr.

“Lindi si parti e ndryshimit demokratik dhe ka sot me shume shpifës të certifikuar sesa deputete! Kam vendosur ta dhuroj vlerën e gjobës si kompjutera për shkollat e dëmtuara nga tërmeti në Vaqarr.  FondiSolidaritetit  #MosShpifMosUrreMosHelmo ”, shkroi kryebashkiaku Veliaj në “Tëitter”.

Reagimi i Albana Vokshit:

"Disa muaj më parë Partia Demokratike publikoi dokumenta zyrtarë për të treguar se Erion Veliaj, në shkelje të ligjit, po mblidhte të dhënat personale të prindërve nga kopshtet dhe çerdhet me synim përdorimin e tyre në fushatë elektorale.

Pa bërë asnjë hetim për këtë, në shkelje të çdo procedure të drejtë dhe të paanshme, gjyqtarja Migena Laska nuk i ka dhënë të drejtë mijëra prindërve që shprehin shqetësim për marrjen e paligjshme nga Bashkia e Tiranës të të dhënave të tyre personale, por, në mënyrë të padrejtë, i është nënshtruar pushtetit të Erion Veliajt. Është aq absurd ky vendim, saqë nga njëra anë më bën me faj pse kam denoncuar aktivitetin e paligjshëm të Erion Velisë, nga ana tjetër rrëzon kërkesën e tij që unë të bëj përgënjeshtrim.

Unë jam e qetë, sepse e di që kam mbrojtur interesin publik dhe jam bërë zëri i mijëra prindërve, të dhunuar në të drejtat e tyre nga Kryetari mashtrues i Bashkisë se Tiranës. Në ketë betejë nuk kam për të bërë asnjë hap pas!

As Erion Veliaj, as Edi Rama, as drejtësia e tyre e korruptuar apo e frikësuar deri në palcë me vetingun politik, nuk kanë për të më ndalur dhe nuk kanë për t’ia mbyllur gojën opozitës nga denoncimi i krimeve të pushtetit dhe akteve të tij korruptive.

PD disponon dokumenta të tjerë zyrtarë që vërtetojnë se Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj vazhdon të shkelë ligjin duke mbledhur të dhënat personale të prindërve të fëmijëve, që regjistrohen në arsimin parashkollor. Për këtë jemi duke bërë gati denoncimin dhe padinë kundër Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Në lidhje me vendimin e padenjë të gjyqtares Laska do të marr çdo hap ligjor për ta zhbërë atë!"/Afp.al

loading...
loading...