Helmimi i nxënësve, ndalohen pronarët e “fast-food”-it, AKU nis hetimet, spitali dhe policia "numra të ndryshëm"

Helmimi i nxënësve, ndalohen pronarët e “fast-food”-it, AKU nis hetimet, spitali dhe policia "numra të ndryshëm"
Policia e Shkodrës, pas helmimit masiv të fëmijëve të një shkolle, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, ka shoqëruar pronarët e një “fast-food”-i pranë shkollës, pasi dyshohet se intoksikimi i tyre lidhet me ushqimin që hëngrën aty, gjatë pushimit.

Pasditen e djeshme rmbi 20 nxënës të moshave  10-12 vjeç u paraqitën në spitalin rajonal Shkodër me shenja intoksikimi, çka vuri në lëvizje autoritetet për të hetuar ngjarjen. Policia tha se u helmuan 12 nxënës, por spitali pretendoi të kundërtën, duke dhënë edhe detaje me numrin e nxënësve që u paraqitën për të marrë ndihmë mjekësore.

Pas konsultave me mjekët familjarët e fëmijëve pretendojnë se kjo gjendje u është shkaktuar atyre nga konsumimi i ushqimeve në një nga “fast food-et”, pranë shkollës.

Përveç shoqërimit të pronarëve,  AKU dhe ISHSH-ja kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve, për të provuar nëse ky subjekt ka pasur shkelje, lidhur me ngjarjen e rëndë, ku u vu në rrezik jeta e dhjetëra fëmijëve.

Por ka reaguar lidhur me shifrën që dha policia, në lidhje me ngjarjen e helmimit të ndodhur në shkollën e Postrribës në Shkodër, Spitali Rajonal i këtij qyteti.

Spitali Rajonal Shkodër bën me dije se lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes, janë paraqitur në Urgjencë 26 nxënës nga shkolla e mesme e bashkuar Postribë. Ata janë paraqitur me simptoma të tilla si të vjella, temperaturë, e marrje mendsh.

Sipas spitalit, 16 prej tyre janë trajtuar në repartin infektiv dhe 10 raste janë trajtuar në repartin e pediatrisë.

Aktualisht 7 persona po marrin akoma shërbim në spital, 5 prej të cilëve tek reparti i infektivit dhe 2 në pediatri, ndërsa pjesa tjetër e kanë lënë spitalin, por fatmirësisht të gjithë jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Ditën e djeshme, në orën 20:50 është marrë njoftim se në Spitalin Rajonal Shkodër janë paraqitur për mjekim 12 fëmijë të moshës 10-12 vjeç, me shenja intoksikimi, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas familjarëve të tyre fëmijët kanë konsumuar ushqim në një fast food, përpara shkollës në qendër të fshatit Postrribë, Shkodër. Janë shoqëruar pronarët e fast food-it për deklarime, si dhe po bëhen verifikimet nga Drejtoria AKU. Vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

/Afp.al/

loading...
loading...