Qiratë rriten çdo vit, studentët prej ditësh enden rrugëve të Tiranës: Edhe periferia e papërballueshme

Qiratë rriten çdo vit, studentët prej ditësh enden rrugëve të Tiranës: Edhe periferia e papërballueshme
Më 14 Tetor 2019 nis viti i ri akademik.

Me mijëra studentë presin që të ulen për herë të parë në auditoret e fakulteteve dhe universiteteve publike dhe private, në mbarë vendin tonë.

Por si po i gjen ata ky vit i ri Akadamik?

Më problematike mbetet situata me studentët e rinj që vijnë nga rrethet për studimet e larta në Tiranë, por nuk mbeten pas edhe ata që vazhdojnë studimet, sepse të gjithë po hasin vështirësi në gjetjen e një banese me qira.

“Shumë shtrenjtë, e papërballueshme. Sidomos te pallatet e reja. Bëhemi shumë goca që të ndajmë qiranë. E marrim larg shkollës, që ta gjejmë më lirë”, shprehen disa studentë.

Statistikat treguan se vetëm këtë vit qeratë u rritën me 20 për qind, ndërsa çmimi i tyre nuk ka njohur asnjëherë ulje.

Konsulentja imobiliare, Dorentina Krraba, shpjegon se për shkak të kërkesës së lartë të studentëve në disa zona larg qendrës së kryeqytetit, këtë vit kanë pasur rritje çmimesh.

“Zona si Yzberishti, Astiri kanë pasur rritje, se pronarët janë ndërgjegjësuar për kërkesën e lartë”, shpjegon Krraba.

Zonat afër Tiranës, për arsyen se çmimet e shtëpive janë rritur më herët, kanë pësuar një rritje të lehtë këtë vit, por në përgjithësi nuk kanë ndryshuar.

Pjesa e komunës së Parisit, Pazari i Ri, rruga e Elbasanit pothuajse janë njësoj me çmime. Ato mund të kenë lëvizur nga 350 euro në 360 apo 380 euro, në varësi të mobilimit.

Shqetësues është fakti se janë rritur qiratë për zonat e periferive dhe zonat e largëta, që dikur nuk preferoheshin. Qeveria u angazhua që të përmirësonte këtë vit godinat ku akomodohen studentët.

Por sipas tyre, tarfia është po e lartë, po aq sa edhe kur marrin një shtëpi me qira. Kështu nëse një student për një dhomë në Qytet Studenti duhet të paguajë jo më pak se 1.5 milion lekë të reja, pak a shumë e njëjta shifër paguhet edhe për një shtëpi 1-1.

Në këto kushte, duket se çalojnë ndjeshëm politikat e Arsimit, aq sa ato paradoksalisht shkojnë në favor të ndërtuesve dhe pronarëve. Fakt është se rritja e  çmimeve për banesat dhe qiratë në Tiranë nuk njeh limit dhe studentët janë ata që po e vuajnë këtë dukuri, ende pa nisur studimet e tyre./Afp.al

loading...
loading...