Rama dhe Basha urojnë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, Meta: Kosova i dha botës një shembull të shkëlqyer

Rama dhe Basha urojnë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, Meta: Kosova i dha botës një shembull të shkëlqyer
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, uroi për fitoren kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që u mbajtën dje në Kosovë.

Rama ka uruar po ashtu edhe LDK-në dhe Vjosa Osmanin për vendin e dytë,si dhe PDK-në dhe Kardi Veselin për pranimin e rezultatit.

“Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare. Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën”, ka shkruar Rama në “Twitter”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zgjedhjet e djeshme në Kosovë, i cilësoi "një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë dhe i besimit te demokracia dhe vota e lirë".

"Urime qytetarëve të Kosovës dhe klasës politike, që i treguan mbarë botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë,' theksoi Meta në mesazhin e tij.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se, "Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj si shtet demokratik."

"Populli i Kosovës votoi për ndryshim duke mandatuar opozitën për të udhëhequr në rrugën e transformimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik. Urimet më të përzemërta LVV dhe LDK, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren", u shpreh Basha.

"Përgëzime udhëheqësve të forcave të tjera politike garuese në këto zgjedhje që me qëndrimet e tyre europiane japin garanci për ecjen përpara të Kosovës."

"Dje populli i Kosovës dha një shembull frymëzues me pjesëmarrjen civile dhe masive në zgjedhje, Policia e Kosovës tregoi profesionalizëm të lartë në ndalimin e menjëhershëm të atyre që cënuan sekretin e votës së lirë duke e fotografuar atë. Kosova i dëshmoi botës se është një demokraci funksionuese dhe se meriton sa më parë vendin dhe rolin e saj në të gjitha institucionet dhe proceset ndërkombëtare. Urime Kosovë!", ishte mesazhi i urimit nga kreu i opozitës në Shqipërisë për fitoren e partive opozitare në Kosovë. /afp.al/

loading...
loading...