Ruçi mesazh për çlirimin e Sarandës/ "Luftuan krah për krah partizanët shqiptarë e minoritarë grekë, italianë, anglezë etj"

Ruçi mesazh për çlirimin e Sarandës/ "Luftuan krah për krah partizanët shqiptarë e minoritarë grekë, italianë, anglezë etj"
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u dërgoi sot një përshëndetje banorëve të Sarandës dhe ish partizanëve të Brigadës 12,14 dhe 19 me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të qytetit.

Saranda dhe Delvina e festuan sot 75-vjetorin e Çlirimit.

“Unë kam  një arsye më shumë të gëzoj, të festoj dhe tju përshëndes në këtë 75 vjetor. Për dy legjislatura rresht, ju, qytetarët e Sarandës më kini nderuar duke më zgjedhur përfaqësuesin tuaj në Kuvendin e Shqipërisë.

Saranda ka qenë dhe do të jetë, në të gjitha kohërat, shtëpia e përbashkët e të gjithë banorëve të saj, pavarësisht dallimeve politike, ekonomike, etnike, fetare a krahinore.

Bashkëjetesa etnike e fetare rrezatohet më mirë e më bindshëm këtu në Sarandë.

Atë vlerë me të cilët ne, shqiptarët, mburremi para botës, e kini mbrujtur, ju sarandiotët, shqiptarë e grekë, myslimanë e bektashinj, ortodoksë e katolikë, lebër, çamë, vllehë, bregdetas e vurkarë.

Sot është dita që të gjithë bashkë tu shprehim nderimin tonë të thellë luftëtarëve të Brigadës 12, 14 dhe 19 të Ushtrisë partizane, të cilët më 9 tetor të vitit 1944 çliruan Sarandën nga pushtuesit gjermanë.

Sot është dita të përkulemi para kujtimit të 11 dëshmorëve të Atdheut, që ranë heroikisht në betejën për çlirimin e Sarandës.

Të kujtojmë me nderim luftëtarët e kompanisë parashutiste të Forcave Mbretërore Britanike, të cilët luftuan për çlirimin e Sarandës, krahas partizanëve shqiptarë,të përkulemi para kujtimit të 6 ushtarëve britanikë që dhanë jetën për çlirimin e qytetit dhe të cilëve Saranda dhe gjithë Shqipëria u janë përjetë mirënjohës.

Çlirimi i Sarandës dhe një ditë më vonë edhe i Delvinës, janë meritë e Brigadave të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, aleate e denjë e Ushtrisë së Kuqe, Marinës dhe Flotës Amerikane, Marinës e Ushtrisë Britanike.

Ky koalicion i madh antifashist, nuk ishte një protokoll sallonesh, por një bashkim forcash dhe energjish të popujve kundër fashizmit, rrezikut më të madh të kohës.

Për çlirimin e Sarandës luftuan krah për krah partizanët shqiptarë e minoritarë grekë, italianë, anglezë e asirianë. Beteja  për çlirimin e Sarandës është një simbolikë e fuqishme e frymës internacionaliste, e cila frymëzoi antifashistët nga katër anët e Globit.

Në këtë koalicion të fuqishëm, i ka rrënjët aleanca e natyrshme e sotme e Shqipërisë me Shtetet e bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe gjithë botën e qytetëruar e demokratike.

Vlerat e antifashizmit, progresit dhe të lirisë përbëjnë rrënjët e Shqipërisë së sotme demokratike.”, shkruhet në mesazhin e Gramoz Ruçi me rastin e 75 vjetorit të çlirimit të Sarandës. /Afp.al

 

loading...
loading...