
Futbollisti 24 vjeçar i Partizanit, pak orë pas ndeshjes së djeshme me Teutën e Durrësit, është hedhur nga kati i gjashtë i banesës së tij, në rrugën “Medar Shtylla”.
Ndryshe nga ajo çka pretendoi policia, klubet e Partizanit dhe FSHF e konsideruan aksidentale ngjarjen, me shpresë se portieri do të kalojë momentin e vështirë.
Sipas informacioneve nga stafi spitalor, Teqja ka pësuar dëmtime në mushkëri dhe pas mbërritjes në spital, ku mori ndihmën e parë, u tha se ai është jashtë rrezikut për jetën. Kjo për faktin se nuk ka dëmtime në organet kryesore. Por megjithatë, gjendja e tij shëndetësore mbetet për t’u parë gjatë orëve në vijim, pasi lartësia nga ku ai ra ishte e madhe.
Mësohet se gjatë rënies nga kati i 6-të ka qenë një tendë e një lokali që besohet se e ka shpëtuar nga rreziku për jetën futbollistin e ekipit kryeqytetas. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, pas rënies ndihma portierit Teqja i ka ardhur në moment.
Mbi motivin, që e ka shtyrë të kryejë aktin e rëndë, dyshohet se lojtari ka pasur një debat me partneren e tij para ngjarjes.
Në gjendje të rënduar psikologjike ai ka bërë veprimin e papritur. Madje Teqja mbante në duar në momentin e hedhjes bizhuteri me vlerë, që dyshohet që të jenë të parneres së tij, të cilat ajo ia kishte kthyer atë ditë, pas një konlikti mes tyre.
Ngjarja e ish-portierit të Skënderbeut, aktualisht pjesë e Partizanit, si dhe ish-portier i Kombëtares U-21, tronditi opinionin e gjerë sportiv dhe atë publik.
Në ambjentet e spitalit, përveç familjarëve dhe të afërmve, kanë shkuar thuajse të gjithë shokët e skuadrës dhe drejtuesit e Partizanit, si dhe ata të Skënderbeut, por edhe përfaqësues të FSHF-së, dhe tifozë të shumtë, për t'u solidarizuar dhe për t'i dhënë mbështetje portierit që të kalojë momentin e vështirë në jetë./Afp.al/