Vetëvendosja pas 12 vite në opozitë merr "bekimin" për të qeverisur Kosovën, Albin Kurti: Ky, entuziazmi i tretë!

Vetëvendosja pas 12 vite në opozitë merr "bekimin" për të qeverisur Kosovën, Albin Kurti: Ky, entuziazmi i tretë!
E tërë karriera e Albin Kurtit dhe formacionit politik që ai drejton është e lidhur me opozitën, por nga sot e më tej, një kapitull i ri hapet për kreun e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai do të jetë për herë të  parë në qeverisje.

Lëvizja Vetëvendosje ka festuar mbrëmjen e djeshme fitoren, pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 Tetorit, në Kosovë.

Lideri i saj, Albin Kurti tha se kjo datë shënon fillimin e entuziazmit të tretë për Kosovën dhe popullin e saj.

“Entuziazmi i parë ishte ai i qershorit të vitit 1999 kur u çlirua Kosova, entuziazmi i dytë ishte shkurti i vitit 2008 kur u shpall pavarësia dhe tash tetori është entuziazmi i tretë, që do ta forcojë republikën tonë e do t’i japë hov zhvillimit e barazisë për të gjithë juve” tha zoti Kurti para përkrahësve entuziastë në sheshin “Skëndërbe” në Prishtinë.

“Ju sot keni votuar për ta shpëtuar shtetin tonë nga kapja e që s’lejuan që drama e kapjes të ketë fund tragjik” tha ai.

Udhëheqësi i Vetëvendosjes premtoi se nën qeverisjen e tij, Kosovës do t'i  “hapet një kapitull me faqe të bardhë e zemër të ngrohtë".

"Në qeverisjen tonë, s’ka hajna. Hajnat do të luftohen, hetohen, gjykohen e dënohen kudo që janë. Me qeverisjen tonë nuk ka më hajna në qeveri e institucione, por me shtetin e së drejtës hajnat do të gjykohen, hetohen edhe në shoqëri e kudo që janë. Jeta e ndershme do të jetë e kollajshme, e jeta e kriminelëve do të jetë e vështirë” tha zoti Kurti.

Veçmas një falenderim ai formuloi për kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani. “Në veçanti dua ta falënderoj zonjën Vjosa Osmani. Ajo me fushatën e saj ka inspiruar shumë gra që të aktivizohen në shoqëri, në ekonomi.

"Prandaj unë dua që të bashkëpunoj me Vjosën” i bëri thirrje për bashkëpunim Albin Kurti, thirrje që nuk është refuzuar nga Vjosa Osmani. Të dy fituesit e zgjedhjeve pritet të udhëheqin qeverinë e re të Kosovës, ndërsa dilema është zgjidhur: Albin Kurti do të jetë kryeministri i ri, pasi duket qartë se kishte një marrëveshje mes tyre, se postin më të lartë qeveritar do ta mbajë ai që do të kryesonte zgjedhjet.  /Afp.al/

loading...
loading...