Shtesat do të paguhen bashkë me pagën mujore, brenda një muaji, nga dita kur është kryer shërbimi. Përgjithësisht, orët shtesë duhet të kompensohen me orë pushimi, të shumëzuara me të njëjtin koeficient si në orët jashtë orarit (brenda dy muajve), por mund të paguhen edhe në formën e shtesës së pagës. Punonjësit e policisë me gradën "Inspektor", do të kenë të drejtën e 30 ditëve në vit pushim të paguar, 35 ditë për ata që kanë gradat "nënkomisar", "komisar" dhe "kryekomisar" dhe 40 ditë kalendarike për "drejtues" dhe 'drejtues madhorë".
Por punonjësit e policisë do të kenë të drejtë edhe për ditë leje të paguar në këto raste: 7 ditë për martesë, 5 ditë për martesën e fëmijës, 3 ditë për lindjen e fëmijës, 7 ditë për vdekjen e një familjari të afërt, 3 ditë për ndërrim të banesës, 7 ditë për sëmundje të rënda të fëmijëve, prindërve dhe 10 ditë për përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve të gradave shkencore.