Matura, deri në mars unifikimi i lëndëve me shkollat e larta

Matura, deri në mars unifikimi i lëndëve me shkollat e larta
Sonila ISAKU

Provimi i gjuhës së huaj, këtë vit për herë të parë, do të jetë me detyrim dhe nota do të ndikojë në mesataren e lëndëve. Testimi i standardizuar, kërkohet niveli B2

Në fillim të muajit mars, Ministria e Arsimit do të përfundojë unifikimin e lëndëve me universitetet, në mënyrë që të mos përballet me problemin e koeficienteve, ashtu sikurse një vit më parë, ku shumë maturantë mbetën jashtë listave të fituesve në shkollat e larta. Unifikimi i lëndëve Maturantët duhet të nisin të orientohen që tani për mënyrën se si do të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta, pikët lëndëve me zgjedhje që u rrisin ose jo shanset për t'u renditur fitues. Të gjithë universitet kanë publikuar kriteret e tyre, ndërkohë që duke filluara nga data 20 shkurt deri në 2 mars nisin takimet të përfaqësuesve të universiteteve në çdo qytet të Shqipërisë me maturantët.

Nga ana tjetër, institucioni i lartë i arsimit ka marrë masat për shpalljen e rregullores së Maturës Shtetërore dhe më pas nisjen e procedurave me të gjithë universitet publike dhe private në vend, për unifikimin e koeficienteve të lëndëve, në mënyrë që, kur të shpallet Formulari A1, në datën 10 mars, maturantët të jenë të informuar me të gjitha kriteret, në mënyrë që të përzgjedhin degët ku ata dëshirojnë. Zv/ministrja, Nora Malaj, tregon se edhe plotësimi i lëndëve me zgjedhje, që sqaron orientimin e maturantëve në universitete, do të bëhet më herët. "Një nga problemet që u shfaqën gjatë vitit të kaluar dhe që ishte edhe pika nevralgjike ku u bë edhe zhurma e madhe, lidhej pikërisht me faktin se universitet nuk e njihnin programin e arsimit parauniversitar. Për pasojë, duke mos e njohur programin e arsimit parauniversitar, krijonin këtë problem. Tashmë, ne e kemi fare të qartë dhe kjo të krijojë edhe modelin e këshillimit të karrierës.

Unifikimi i lëndëve do të bëhet në fund të muajit shkurt ose ditët e para të muajit mars; kjo do të krijojë mundësinë që maturanti, pasi të bëjë analizën e dijeve të marra, të vlerësimit dhe orientimit ku ai do të shkojë, ka mundësi të plotësojë drejt Formularin A1 dhe A1Z, që janë edhe lëndët me zgjedhje", ka pohuar Malaj. Gjuha e huaj Pesë provime do të japin maturantët për mbylljen e shkollës së mesme edhe këtë vit, por ndryshe nga vitet e tjera, gjuha e huaj këtë vit është provim me detyrim, sikurse edhe gjuha shqipe dhe matematika. Ndërkohë që dy provimet e tjera, do të jenë me zgjedhje, sipas preferencave të vetë maturantit. Risi tjetër këtë vit për lëndët me zgjedhje, është dhënia e provimit të standardizuar të gjuhës së huaj.

Ky provim zhvillohet nga Agjencitë Ndërkombëtare dhe kërkohet i nivelit B2. Dhënia e anglishtes, gjermanishtes, frëngjishtes apo italishtes me zgjedhje, nuk shmang provimin e detyruar të gjuhës së huaj. Datat e provimeve të maturës ende nuk janë shpallur, por duke u nisur nga përvoja e mëparshme, ato mbyllen në fund të qershorit për të nisur më pas edhe aplikimet për në shkollat e larta, që finalizohen me shpalljen e fituesve, sipas universiteteve në vend.

” Maturantët do të kenë këtë vit 5 provime, ku 3 janë provime me detyrim dhe dy prej tyre janë me zgjedhje. Ndërkohë që 10 marsi do të jetë data kur Ministria e Arsimit do të publikojë Formularin A1 dhe A1Z, i cili do të plotësohet nga maturantët"

Një vit më parë, ku u penalizuan maturantët

Një vit më parë, pati maturantë që u penalizuan, për faktin se fakultetet kishin renditur si lëndë me më shumë pikë ato që disa gjimnaze, nuk i kishin pasur si kurikul, gjë që ka ndryshuar. Ndërkohë, këtë vit, universitetet, tashmë, janë njohur me kurikulat e shkollave të mesme, me atë që kanë bërë dhe bëjnë maturantët e këtij viti. Nëpërmjet Institutit të Zhvillimit të Arsimit, iu është ofruar një material informues, më i detajuar, çka do të thotë se maturantët, në momentin që do të plotësojnë Formularin A1 dhe A1Z, do të kenë marrë të gjitha informacionet e domosdoshme.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: