Brenda tre viteve, me tren për në Rinas. Rinovim dhe hekurudhës Tiranë-Durrës

Brenda tre viteve, me tren  për në Rinas. Rinovim dhe hekurudhës Tiranë-Durrës
Ekzistonte dikur kënaqësia për të udhëtuar me tren ... E humbur ndër vite si pasojë e shkatërrimit të hekurudhave, tashmë ajo duket se do t’u rikthehet përsëri qytetarëve shqiptarë. E kjo, pas realizimit të disa projekteve, të cilat synojnë zgjimin e potencialit të udhëtimit përmes hekurudhës. Pikërisht, njëri prej tyre është ai i rehabilitimit të linjës ekzistuese Tiranë-Durrës. Sikundër, edhe ai i hapjes së një linje të re hekurudhore që do t’i çojë qytetarët e Tiranës drejt Rinasit, ku ndodhet edhe i vetmi aeroport ndërkombëtar i vendit. Për të dy këto projekte, tashmë, është gjetur edhe një pjesë e parave, e madje janë caktuar edhe afatet konkrete të përfundimit të tyre.

Konkretisht, fjala është për një kredi e akorduar nga Banka Europiane e Zhvillimit (BERZH) për financimin e të dy projekteve në fjalë, marrëveshja rreth të cilës tashmë i ka kaluar për miratim Kuvendit të Shqipërisë për miratim, me vlerë prej 36.8 milionë eurosh. “Projekti parashikohet të përfundojë deri më 31.12.2020”, jepet ndërkaq afati konkret i realizimit të tyre në marrëveshjen përkatëse të firmosur nga pala shqiptare dhe që pritet të gjejë zbatim sa më të shpejtë. Për të krijuar kështu mundësinë e krijimit të një frymëmarrjeje të re në sektorin e hekurudhës shqiptare si të tillë.

Më në detaje, relacioni përkatës i marrëveshjes në fjalë parashikon “rehabilitimin e linjës ekzistuese hekurudhore nga stacioni qendror hekurudhor Durrës, deri në vendndodhjen e ardhshme të Terminalit të Transportit Publik të Tiranës (PTT) me një gjatësi prej 34.2 kilometrash”. “Dhe gjithashtu, për të ndërtuar një linjë të re hekurudhore që lidh linjën kryesore me aeroportin e Rinasit, me një gjatësi prej 4.7 kilometrash, duke përfshirë dhe degëzimet shtesë prej  950 metrash dhe 800 metra, respektivisht, për të lidhur linjën e re me Terminalin e Transportit Publik Tiranë PTT si dhe me qytetin e Durrësit”, citon relacioni. Duke shtuar gjithashtu se projekti parashikon, gjithashtu, ndërtimin e një terminali hekurudhor në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) si dhe instalimin e një sistemi të ri sinjalizues dhe telekomunikacioni, të integruar në sistemin e linjës hekurudhore Durrës-Tiranë-Rinas.

36.8

Milionë euro është shuma e financimit të marrë përsipër nga BERZH për hekurudhën e re drejt Rinasit dhe rehabilitimin e ekzistueses Tiranë-Durrës

 

 

QËLLIMI

Efektet: Do çlirohet trafiku mes  Tiranës

dhe Durrësit, më pak ndotje ajri

Zvogëlim i bllokimeve të trafikut rrugor ndërmjet Durrësit, Tiranës dhe aeroportit të Rinasit. Si dhe kontributi në reduktimin e ndotjes së ajrit nga trafiku rrugor në këtë rajon kyç për demografinë dhe industrinë e vendit. Këto janë dy efektet pozitive që ekspertët paraqesin lidhur me realizimin e projektit për linjën e re hekurudhore me Rinasin dhe rinovimin e asaj ekzistueses Tiranë-Durrës. Sikundër parashikojnë edhe përmirësimin e infrastrukturës dhe operacioneve hekurudhore si të tilla, duke garantuar sigurinë e lëvizjes dhe ndërveprimin mes qytetarëve dhe mjeteve.

 

 

NDIHMA

Projekti do ndihmohet edhe

nga vetë Bashkimi Evropian

Edhe vetë Bashkimi Evropian paraqitet i interesuar për rinovimin e hekurudhës shqiptare si të tillë. Këtë e tregon dhe fakti që ai ka pranuar të financojë rinovimin e hekurudhës ekzistuese Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e linjës së re me Rinasin. Bëhet fjalë saktësisht për 35.4 milionë euro që janë taksur tashmë prej tij në këtë kuadër. Dhe kjo, pasi projekti në fjalë u shpall si fitues në Samitin e Parisit, më 4 korrik 2016. Gjë që tregon vetë interesimin e strukturave të BE-së për infrastrukturën shqiptare në tërësi. Kujtojmë sakaq se dy projektet lokale të lartpërmendura, janë edhe në koherencë me një projekt më të gjerë në aspektin rajonal, siç është ai për hekurudhat e Rrjetit Bazë të Ballkanit Perëndimor: Route 2 – Podgoricë–Durrës/Tiranë. E në këtë këndvështrim, ato paraqesin një rëndësi të veçantë edhe për autoritetet evropiane .

 

 

PARASHIKIMI

Me hekurudhën e re, 1.5

milionë pasagjerë në vit

Plot 1.5 milionë pasagjerë parashikohet që të udhëtojnë brenda një viti përmes hekurudhës së rinovuar Tiranë-Durrës. Kjo është shifra e ofruar prej ekspertëve lidhur me realizimin e projektit të kësaj të fundit. Kujtojmë se e ndërtuar që në vitin 1951 dhe e rehabilituar në vitin 1996, linja hekurudhore Tiranë-Durrës është aktualisht linja më e ngarkuar i rrjetit hekurudhor shqiptar, pasi tashmë ajo përshkon zonën industriale dhe më të rëndësishme të vendit. Nga ana tjetër, ekspertët parashikojnë që me projektin e ri, të rritet edhe shpejtësia e udhëtimit nga 40 km/orë që është sot, deri në 100 km/orë. Nga ana tjetër, në tërësi, për rehabilitimin e plotë të gjithë hekurudhës shqiptare, si të tillë, ekspertët pohojnë se në total kërkohen plot 427,21 milionë euro. Ku vetëm ajo për linjën ekzistuese Tiranë-Durrës kërkon rreth 81.5 milionë euro.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: