Lidhjet, marrëdhëniet, apo gjithçka tjetër mes atij dhe asaj!

Lidhjet, marrëdhëniet, apo gjithçka tjetër mes atij dhe asaj!
Nga Meri Dishnica

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Marrëdhëniet mes meshkujve dhe femrave, shtrihen në spektrin e një mijë e një emocioneve, por aq të vështira për tu kuptuar, sa do të duheshin fjalorë të tërë për të shpjeguar një buzëqeshje të vetme… Këtu fillon edhe ngatërresa, besoj. Sa buzëqeshje dhe flirte shkëmbehen nëpër bare! Sa keq që askush nuk i shoqëron ato me një manual përdorimi! Në fillimet e një lidhjeje, pritshmëritë janë të ndryshme mes meshkujve dhe femrave, thuhet se ndryshon edhe niveli emocional që përfshihet. Madje, thuhet se meshkujt më shumë sesa emocion, përdorin vetëm instinktin… (ja pse djemtë përgjigjen, pak a shumë, njësoj kur i bëhet pyetja e famshme “what’s on your mind”?)

Kurse femrat priren të investohen më tepër emocionalisht, energji. Madje, që nga fillimi i lidhjes, ndrys     he nga meshkujt që ndonjëherë ngjajnë me “një tufë instinktesh të pabindura” gati për veprim (dhe jo nga ai lloj veprimi që femrat do të donin të shihnin). Pse ky “mobilizim” në nivel ndjenjash?! …Pse vajzat thjesht nuk përdorin filozofinë “vetëm një takim dhe shohim e bëjmë”, por priren të kapërcejnë disa faza dhe shkojnë me mendjen e tyre nga “thjesht një takim” direkt, të gatshme për tu futur në një lidhje (mundësisht zyrtare). Të jetë kjo vetëm prej natyrës “dhënëse” të femrave, si qenie e butë njerëzore, apo të jetë një keqmenaxhim i nevojës për socializim?! Të jetë se po nxitojnë të kapin, kush e di, çfarë lloj orari të shtyrë nga ora biologjike?!

Ndodh që femrat të bien në dashuri vetëm me faktin e të qenit “në dashuri” dhe jo detyrimisht me personin me të cilin po dalin, sepse vajzat që të vogla, rriten me përrallat me princër të kaltër, që kanë vetëm fund të lumtur… dhe në mënyrë të pashpjegueshme, priren të kërkojnë “fundin e lumtur” dhe “babanë e fëmijëve te ardhshëm”, tek djali me të cilin po dalin. Por çfarë ndodh në realitet??!!… Në fakt, asgjë nga këto, sepse këto vajza ëndërrojnë për më shumë nisur nga asgjë, krijojnë iluzione, vendosin shumë seriozitet, ndoshta më shumë se ç’duhet…(në fakt, në disa raste, ndodh që takimet të bëhen serioze më shpejt nga ç’mendohet, por kjo ndodh krejt natyrshëm, nga të dyja palët, dhe në mirëkuptim, kalohen fazat, nga thjesht “një dalje bashkë”, kthehet në një marrëdhënie) Ndodh!…, por kjo nuk do të thotë të fillosh të ëndërrosh që pa përfunduar ende takimin e parë!!!

Ndodh që femrat të iluzionohen, duke menduar se kanë takuar mr. Right, dhe kapen më shumë tek ideja që kanë në kokën e tyre (mashkulli ideal, etj. etj.) më shumë sesa tek faktet, p.sh., që ky tip mashkulli ideal mund të jetë i tillë, por në këtë moment, ai nuk është nisur të gjejë gruan e jetës, por thjesht po del me dikë, për tu kënaqur, pa dashur të thellohet shumë... Këto vajza të emocionuara, që kanë gjetur djalin e duhur, nxitojnë “të kapin” çastin edhe djalin gjithashtu, nxitojnë, nxitojnë, nxitojnë, dhe e gjithë kjo, sepse djemtë e mirë, janë të vështirë për tu gjetur. E drejtë, por…ndodh që të prishet ekuilibri, sapo ky djalë percepton se, kjo vajzë po tenton ta marrë seriozisht. Në këtë pikë, meshkujt tremben dhe ikin (sado e mirë të jetë kjo vajzë), thjesht sepse për një arsye apo për një tjetër nuk duan të angazhohen tepër.

Nuk përjashtohet fakti që, këta dy individë të jenë bashkë, por kjo gjë i lihet kohës, nuk mund të shkosh në takimin e parë me “një planprojekt” të përgatitur me kujdes, deri në detaj...

* Psikologe Këshillimi

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: