Marjana Leka: Kam keqardhje, brezi i ri nuk e ka pasionin tonë

Marjana Leka: Kam keqardhje, brezi i ri nuk e ka pasionin tonë

Marjana Leka, “dama e parë” e Operës Shqiptare për shumë vite, rrëfehet për Albanian Free Press për karrierën si soliste e parë në Opera dhe, tashmë, si pedagoge e kantos në Akademinë e Arteve, por ndalet edhe tek familja, origjina nga malësia dhe përvojat në festivale

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Në operistikën botërore do ta kishin zili karrierën e saj. E të mendosh se nuk u shkollua që në fillim për artiste. Do të bëhej kimiste, por fati ndërroi rrugën e saj. Ka interpretuar si soliste në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, për më tepër se dy dekada. Falë punës, përkushtimit, seriozitetit dhe zërit të mrekullueshëm plot ngjyresa që natyra ia ka falur me bujari, ajo është quajtur “primadona” e këtij teatri. Mbi 25 role të para, kanë marrë frymë bashkë me të, kanë marrë jetë dhe zë nga melodia e zërit dhe shpirtit të saj.

Në repertorin e saj, bëjnë pjesë role të rëndësishme të operës botërore. Ka interpretuar Violetën tek "Traviata" e Verdit, Lejlën te "Peshkatarët e perlave" të Bizesë, Xhildën te "Rigoleto" e Xhuzepe Verdit,Zerlinën te "Don Giovanni"  Moxartit, Sofian te “Bruschino" i Rosinit, Michaelën tek "Carmeni" i Bizesë, Fiordiligin tek "Cosi fan Tutte" i Moxartit, Mimin tek "La Bohem" e Puccinit, Madam Baterfly e Puccinit, Normën e Belinit, Adinën e Donixetit, Suzanën tek "Martesa e Figaros" së Moxartit dhe Clarisën tek "Il mondo dell luna" e Haydenit.

Marjana Leka zbret shkallët e Akademisë së Arteve dhe ndalet, hera-herës, të takojë studentët. Është një zonjë e thjeshtë dhe e qetë, flet me zë të ulët e me mjaft delikatesë. Nuk sillet aspak si një “diva”, pavarësisht se talentit dhe karrierës së saj do t’i përulej kushdo me nderim. Bisedojmë shtruar në sallën e provimeve, ulur pranë një pianoje.

 

 

Ju keni qenë për shumë vite solistja e parë e TOB dhe kuptohet që nuk është e lehtë për t'u pozicionuar si zonja e parë e Operas Shqiptare. Në të vërtetë, si e keni nisur karrierën?

Nuk kam kënduar që e vogël. Kuptova vetëm në shkollën e mesme, duke imituar Marie Krajën, se kisha një zë natyra, të impostuar. Nuk kam mbaruar Liceun Artistik si të gjithë të tjerët. Madje pata të drejtën e studimit në degën e kimisë. Por fati im, deshi të ishte ndryshe. Më dëgjoi për herë të parë sopranoja Myzejen Mullai, e cila e pëlqeu zërin shumë. Më pas, Xhoni Athanas më përgatiti në një kohë të shkurtër për në konkursin e Akademisë. Kur shkova në Akademinë e Arteve të Bukura, kuptohet që më mungonte përvoja, njohja me skenën, të cilat nuk janë pak për një këngëtar të mësuar që në moshë të vogël me to. I jam mirënjohëse sopranos Edit Mihali, një nga sopranot më të mira të Shqipërisë, që ka qenë pedagogia ime gjatë viteve të Akademisë. Pas kakultetit fillova në korin e Teatrit të Operas. Ka qenë periudhë e bukur për mua, e cila më ka shërbyer për të kuptuar vetveten. Dalja në skenë më dha mundësi të mëdha për tu përgatitur e për të studiuar mjaft role. Dirigjentja e atëhershme e korit, Zana Turku, më inkurajonte duke më aktivizuar si soliste në koncertet me korin. Më pas, më është dhënë mundësia për t’u bërë soliste.

E kujtoni rolin tuaj të parë?

Kam filluar me rolin e Violetës tek opera "Traviata", i cili, normalisht, ishte rol tepër i vështirë për stadin ku unë isha. Më ofruan një rol madhështor. Nuk mund të thosha jo. Pata guxim dhe guximi më shpërbleu.

Po nga repertori i kompozitorëve shqiptarë, cilin ke për zemër?

Për mua ka qenë Prenk Jakova, ai ka shkruar operën "Skënderbeu" dhe "Mrika". Aria e Donikës nga opera "Skënderbeu", është nga pjesët shqiptare që më ka pëlqyer dhe më pëlqen gjithmonë! Në rast se më duhet të bëj një koncert dhe të zgjedh repertor shqiptar, menjëherë më shkon mendja tek aria e Donikës nga opera "Skënderbeu".

 

 

Keni marrë çmime të shumta brenda dhe jashtë vendit. Përveçse kënaqësisë, çfarë domethënie tjetër kanë këto çmime për karrierën tuaj?

Të vlerësohesh me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare, sigurisht, nuk është pak dhe ndihem disi e mikluar. Për mua janë shtysa të mëdha për të kërkuar më shumë tek vetja.

Flasim pak për familjen. Ju keni një djalë të vetëm, jeni mama tipike shqiptare?

Po, unë kam një djalë të vetëm, por mundohem të jem e ekuilibruar në marrëdhëniet me të. Që i vogël, kur ka filluar shkollën, kam dashur që ai të studionte për muzikë. Këtë nuk e fsheh, doja që të bëhej muzikant, të studionte një instrument, violinë ose piano. Kisha dëshirë, sepse muzika i bën mirë kujtdo! Ai vetë nuk donte dhe unë nuk e detyrova. Për mua ishte me rëndësi të shkonte mirë në shkollë, të ishte korrekt, të rritej djalë i dashur dhe me edukatë, mjaftonte kjo.

Ndodh që disa artistë të kenë karakter të vështirë, por me ju është i thjeshtë komunikimi, nuk hiqeni si një DIVA edhe pse jeni. Edukim familjar?

Them se po, ka qenë familja ime që më ka edukuar me shumë dashuri, disiplinë dhe kërkesa ndaj vetes. Këtë mendoj se e kam reflektuar më vonë, qoftë në marrëdhënie me kolegët, qoftë në familje, me të afërmit. Sigurisht edhe me fëmijën. Kjo ka qenë baza kryesore.

Bashkëshorti juaj nuk është i fushës së muzikës?

Bashkëshorti im ka qenë oficer, njeri i disiplinuar dhe me shumë kërkesa, por që më ka kuptuar dhe mbështetur. Veçanërisht familja e tij, më ka mbështetur dhe inkurajuar për çdo hap që kam bërë, në mënyrë që të punoja e qetë, pa u ndikuar nga streset e tjera përreth. Do t’u jem mirënjohëse tërë jetën!

Teatri i Operas dhe Baletit po zhvendoset, po boshatisen sallat për t’u rindërtuar më pas. Ju keni mbresa të shumta aty.

Them se kam qenë me fat që deri para pak muajsh, kam qenë soliste e parë opere dhe kam nostalgji të jashtëzakonshme. Them se isha me fat që arrita të këndoj role nga kryeveprat e literaturës operistike botërore. Kam marrë emocion dhe kënaqësi të jashtëzakonshme në atë teatër. Jam ndjerë e vlerësuar dhe e respektuar nga kolegët dhe publiku! Me të gjitha hallkat e shfaqjeve, orkestrën, solistët, regjisorët, dirigjentët, skenën kam mbresa të pashlyera!

Keni pak kohë që nuk jeni më në organikën e operës. Pse?

Ka pak kohë që jam shkëputur nga Teatri i Operës, për të vazhduar rrugën time si pedagoge me kohë të plotë e Degës së Kantos në akademinë e Arteve të Bukura. Kam qenë pedagoge e jashtme, por tashmë do të jap kontribut të plotë dhe kjo do të jetë rruga ime.

Më jepni një mendim për situatën e mësimdhënies në art tani.

Kam keqardhje! Kjo sepse nuk shikoj të njëjtin angazhim, të njëjtin pasion. Nuk studiohet aq shumë, nuk punohet aq shumë. Shpeshherë gjërat bëhen përciptazi, pa u thelluar. Është një brez që duhet të punojë më shumë. Duhet të jetë një brez më i ndërgjegjshëm për rrugën që ka zgjedhur. Fjala artist thuhet thjesht shumë, por të jesh artist është fjalë e madhe që kërkon punë dhe përkushtim.

Pse mendoni se ndodh kjo. Mos vallë sepse e shohin, tashmë, akademinë si mundësi më vonë punësimi? Pra, fitimi, p.sh., në jetën e natës apo koncertet jashtë?

Mundet të jetë edhe kjo. Por ka mundësi që është edhe fakti se sa i takon kësaj fushe, të rinjtë nuk shikojnë shumë dritë, tregu i punës për ta nuk jep shpresë. Jashtë Shqipërisë, nëse ti nuk fiton audicionet në Teatrin Kombëtar, janë teatrot nëpër qytete të tjera, teatrot private, televizionet. Ka alternativa. Në Shqipëri këto mungojnë. Për degën e kantos, alternativa e tyre është vetëm Opera.

Ke ndonjë brengë mbi një rol që ke dashur të interpretosh?

Më ka mbetur në shpirt roli në operën  “Luisa Miller” i Verdit. Përpara 5-6 vitesh, ishte një plan për ta vënë në skenë, ishte bërë edhe një bisedë me drejtuesin e kohës, Zhani Ciko, por për arsye buxheti, nuk u realizua. Isha unë që ia kërkova të ishte në kalendar ky rol. E kam peng! Por shumicën e roleve më të njohura, i kam kënduar.

Je afruar edhe me muzikën e lehtë. Dikur ka qenë kënga “Ninulla” në Festivalin e RTSH-së, vitet e fundit bashkëpunimet si p.sh., me këngëtarin Ylli Baka.

Kur ma propozuan, në ato vite, të këndoja një këngë të muzikës së lehtë, nuk doja të pranoja. Mu duk si prerje në besë ndaj operës, kantos. Në atë kohë isha në kor, ende jo soliste. Por rezultoi një këngë mjaft e suksesshme. Ende, dhe sot e kësaj ditë, ma kujtojnë, shpesh më shumë se disa role që kam kënduar. Rezultoi një këngë e harmonizuar bukur. Pata marrë pjesë për 5 vjet, në festivalin e RTSH-së dhe atë të pranverës. Dhe, aq sa më pak qejf e kisha të merrja pjesë në fillim në festivalet e këngës së lehtë, aq me keqardhje jemi larguar nga aty dhe e kujtojmë me nostalgji. Ishte kohë e bukur, muzika ishte e gjallë, muzika ishte direkt, emocionet të gjalla dhe mbi të gjitha pritej me dashuri të madhe nga publiku.

Origjina juaj është nga malësitë e Fushë-Arrëzit. Një mendim për rrënjët tuaja.

Jam krenare! Vij nga një vend me njerëz fisnikë, nuk e mohoj që jam krenare! Kam nostalgji dhe kur mundem shkoj, pavarësisht se nuk kam më shumë njerëz andej. Ai vend është mrekulli natyrore! Sa herë shkoj, mbetem pa frymë. Atë vend e ka bekuar natyra me ujëra dhe bjeshkë! Por jam e sigurt që edhe për zërin tim, ka shumë ndikim vendi. Në ato vise njerëzit kanë dhe zëra shumë të bukur.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: