Rama shkarkon 4 ministra: Jo për Metën, as për Bashën

Rama shkarkon 4 ministra: Jo për Metën, as për Bashën
Kryeministri largon ministrat Tahiri, Beqaj, Klosi dhe Çuçi. Vlerëson punën e tyre, siguron se nuk i shkarkoi për shkak të opozitës dhe as se i është kërkuar nga Meta. Sfidon çadrën e Bashës: Muzika le të vazhdojë, karvani do të shkojë përpara

Edison Kurani

Kryeministri Edi Rama njoftoi pasditen e të dielës, vendimin për të larguar nga kabineti qeveritar, katër nga ministrat e tij. Nga sot, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi dhe ministri i Çështjeve të Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi nuk janë më pjesë e qeverisë.

Z.Rama u përpoq të bindë publikun se vendimi nuk erdhi për shkak të trysnisë së opozitës dhe as se kjo mund t’i jetë kërkuar nga bashkëkryetari i koalicionit të majtë, Ilir Meta.

Përkundër dyshimeve se Rama është duke larguar emrat politikë nga qeveria, duke iu afruar kështu kërkesës së “Çadrës së Lirisë” për qeveri teknike, z.Rama siguroi dje se emrat e rinj në qeveri do të jenë sërish eksponentë të Partisë Socialiste që ai drejton.

“Ndryshimet janë politike dhe ministrat dhe ministret që do t’i çoj Presidentit për dekretim do të jenë të katërt nga radhët e PS”, - tha Rama duke lënë të kuptohet se në kabinet do të hyjnë femra të tjera.

Me daljen e djeshme, Rama qartësoi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, kërkesë kjo ultimative e Bashës që opozita të pranojë hyrjen në zgjedhje.

Duke shpjeguar arsyet e largimit të 4 ministrave, Rama tha se “ndryshimet nuk nxiten nga rezerva për punën apo rezultatet e katër ministrave”, duke shtuar se ata “largohen me konsideratën time më pozitive për kontributin e tyre në rrugën e vështirë të reformimit dhe të transformimit të vendit gjatë këtyre 3.5 viteve përpjekje për të bërë shtet”.

Kurse tha se motivi i vetëm sipas tij që këta ministra largohen, është sepse ata do të përfshihen në fushatën zgjedhore. “Ndryshimet e qeverisë nuk reflektojnë asgjë tjetër përveçse domosdoshmërinë që udhëheqësit tanë politikë të fushatës së 18 qershorit të fokusohen me energji të reja dhe prani të vazhdueshme pranë njerëzve në përballimin e volumit të jashtëzakonshëm të kontakteve me njerëzit që kërkon kjo fushatë”.

Megjithatë, z.Rama nuk ka larguar nga kabineti, emra të tjerë që janë aktivë në fushatë zgjedhore dhe aktivitete politike me elektoratin, si zv/kryeministri Niko Peleshi, ministri i Industrisë, Damian Gjiknuri, ai i Financave, Arben Ahmetaj, etj. Ndaj nuk është e qartë pse z.Rama zgjodhi vetëm katër emra të qeverisë për t’i çliruar nga posti ministror në fushatën e pritshme. Kurse është e kuptueshme që ministrat e mbetur, të jenë aktivë, madje po aq sa ata të shkarkuarit tashmë, në zona të ndryshme të vendit.

 

Shijet muzikore

Për z.Rama muzika që dëgjohet vazhdimisht nga çadra opozitare, është e një cilësie të dobët. Duke vlerësuar se kjo muzikë është “nën nivelin mesatar të klubeve të natës të Shqipërisë”, Rama “me një gur vret dy zogj” kur thotë kjo muzikë, “mbush çadrën bosh gjatë gjithë ditës”.

 

“Çadra e PD, detyrë nate me grafikë”

Në komunikimin e djeshëm me publikun, z.Rama zbuloi dhe një fakt që lidhet me afro një muaj protestë pa ndalim të opozitës në atë që ata e cilësojnë “Çadra e Lirisë”. Rama tha se në çadër, punohet me grafik të detyruar “roje nate”. Kurse pretendoi se kjo shoqërohet me pagesa për ata që bëhen pjesë e çadrës. “...Deputetët e shkretë të PD bëjnë detyrë nate me grafikë për të ruajtur studion dhe turfullojnë me njëri-tjetrin për pagesat dhe figurantëve të cilët mezi po i mbledhin për të duartrokitur liderin që nuk e kanë”.

 

Ish/zv.kryeministri flet me “Albanian Free Press”

Tritan Shehu: Shkarkimi i 4 ministrave, për t’u faturuar dështimet e tij

Deputeti demokrat, Tritan Shehu thotë se ndryshimet në qeveri janë një trukim që Rama po i bën kabinetit të tij për t’iu përafruar kërkesës së opozitës për qeveri teknike.

Në bisedën mbrume me gazetën “Albanian Free Press”, z. Shehu vlerësoi se “tërmeti dhe konfuzioni në PS prodhojnë një gjethe fiku”. Kurse gjykoi se Rama për të shpëtuar veten, po kërkon t’ua faturojë ministrave tashmë të shkarkuar, dështimet e qeverisjes së tij, pikërisht pak muaj para zgjedhjeve.

I pyetur se si e sheh lëvizjen e fundit të Ramës për ndryshimet në qeveri, z.Shehu tha se këto janë “lëvizje nën presion dhe thellësisht kaotike të z. Rama, që demonstrojnë rezultatin e parë pozitiv të lëvizjes qytetare dhe të mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar për zgjedhje të lira, si dhe për luftë ndaj krimit e drogës”.

Sipas z.Shehu, Rama po kërkon “një trukim për t'iu afruar imazhit të një qeverie teknike”. Në këyë linjë, Shehu beson se “paqartësia dhe ankthi që "mbretërojnë" tashmë në PS e tek drejtuesit e saj, mund të kërkojë të prodhojë edhe të tilla alibi”.

Shehu është skeptik se ministrat e larguar do të jenë vetëm drejtues fushate në qarqet e caktuara. “Nuk do të isha i sigurt që ministrat koordinatorë në largim tashmë, do të vazhdojnë të jenë qoftë dhe vetëm koordinatorë pas disa ditësh”.

Ndërsa duke komentuar shkarkimin e tyre, Shehu thotë se kjo është një përpjekje e z. Rama “për të shpëtuar veten” dhe se me këtë veprim, po “kërkon t’ua faturojë atyre dështimet e qeverisjes së tij, pikërisht pak muaj para zgjedhjeve”.

Por për z.Shehu kjo nuk është e drejtë, pasi sipas tij, “dështimet në radhë të parë janë të vetë Kryeministrit”.

“Në të gjitha planet gjithçka që po bëhet ngjan me vendosjen e një gjethe fiku”, - përmbyll qëndrimin e tij z.Shehu. /a.z/

 

Basha hesht për ndryshimet në qeveri

Kryetari i opozitës nuk i komentoi ndryshimet në qeveri që zyrtarizoi Rama të dielën pasdite. Basha u mjaftua me publikimin e një videoje ku ishin përmbledhur lajmet për drogën e Shqipërisë nga mediat e huaja. Ndërsa e shoqëronte atë me vlerësimin se “Edi Rama shkatërroi ekonominë dhe të ardhmen duke e mbytur vendin në drogë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: