DUA TË BËHEM DREJTOR! - Nga ILDA LUMANI

DUA TË BËHEM DREJTOR! - Nga ILDA LUMANI
Nga ILDA LUMANI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Cili është modeli i të rinjve sot?

Një shkollë e mirë? Një profesion i nderuar? Emër i mirë? Karrierë e suksesshme? Shoqëri e denjë? Mos jam pak demode?! Në fakt, këto ëndrra duhet t'i përkasin një tjetër brezi, të vjetruar tashmë, tjetër kulture, tjetër vendi, por vetëm Shqipërisë, jo! Shqipëria e 2017-ës, ecën me hap tjetër.

Pasi dikush mbaroi shkollën e lartë për gjuhë të huaja, dhe mandej për ta pasur të lehtë punësimin, përfundoi edhe një master për marrëdhënie publike dhe marketing, sërish nuk gjeti dot punë. Notat e tij nuk kishin asnjë rëndësi. Ndaj nuk e zgjati. Si shumë moshatarë të tij, me shkollë të përfunduar keq ose të marrë në kushedi çfarë mënyre, me pozicione të mira pune, iu drejtua një partie bamirëse.

Aderoi në të dhe tashmë punon në një nga bashkitë e vendit. Rroga dhe pozicioni që ka, është modest. Predispozitën për të ardhura "shtesë" nuk e ka. E kanë edukuar jo për këtë realitet, dhe ngjan jashtë kohe. Ky djalosh 25-vjeçar, duket si ndonjë nëpunës librash, tërësisht i dalë nga moda, që me punën e tij, as makinë nuk ka për të marrë e jo më shtëpi apo të vërë pasuri!

Një i afërmi im, ka një studio projektimi, mjaft të suksesshme në vend. Mbesa e tij, që ka trashëguar të njëjtin profesion dhe është njeriu që do ta gëzojë këtë studio, ka pak dëshirë të rrijë mbyllur para kompjuterit dhe maketeve, ndaj është bashkuar me opozitën. Ëndërron pushtetin dhe do të bëhet drejtore. Të ketë shofer dhe një shpurë që e ndjek ngado!

Vëllai i një të njohurës sime, me prindër biznesmenë, me të mbaruar universitetin për ekonomik, nuk preferoi të punonte në biznesin familjar. Preferon punën në ministri, sepse është trendi. Ndaj, këmbëngulja e të atit për të vijuar punë në sipërmarrjen e tyre, dështoi. Kështu që babait "të ngratë", iu desh të ndërhynte në ndonjë miqësi dhe sot i biri ka veshur kostumin e punonjësit ministror.

Rreth e rrotull, bëhet gjithmonë e më e vështirë të gjenden të rinj me aspirata për një punë dhe një sukses personal, pa mbështetje financiare, miqësore apo politike. Por, më e keqja është se, rreth e rrotull, takojmë pak ose aspak njerëz idealistë, ëndërrimtarë, me shpresë tek e ardhmja personale, takojmë pak ose aspak njerëz që dëshirojnë të ecin vetë në jetën e tyre!

Ëndrrat janë kufizuar vetëm në të pasurin pushtet!

"Këta të rinjtë duan të bëhen të gjithë drejtorë", - thotë një shoqja ime... E, në fakt, është një shprehje që e hasim çdo ditë e më shumë.

Kërkesa e tyre nuk shkon përshtat me arsimimin, formimin dhe eksperiencën që kanë. Ajo, në më të shumtën e rasteve, nuk ngjan fare me të. Çka ne shohim në ekran, dhe çka flitet për nivelin kulturor, arsimor të parlamentarëve të sotëm (të mos flasim për dëshmitë e penalitetit) është vetëm maja e ajsbergut... Poshtë tij qëndrojnë këta drejtues, që pa dije dhe merita personale drejtojnë institucione, zyra dhe ndërmarrje.

Në universitete gjenden të rinj, që ulen në rreshtat e bankave, sipas partisë politike që i përkasin; në një anë të djathtët, në tjetrën të majtët dhe në mes asnjanësit. (Kjo e fundit, më se e vërtetë. Ma tregoi një studente që bën masterin në një universitet privat.)

Në bangot e shkollës së mesme, nxënësit debatojnë gjithë patos për politikën, ndërsa nuk ka fëmijë mbi 6 vjeç, që nuk thotë jam me këtë apo atë politikan!

Këta e kanë edhe më të qartë përgjigjen e asaj çka duan të bëhen kur të rriten, - njëzëri të thonë: DREJTOR!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: