Manastirliu: Në 2018, vaksina e re për rotavirusin

Manastirliu: Në 2018, vaksina e re për rotavirusin
Futja e vaksinës së rotavirusit në kalendarin kombëtar të vaksinimit u konfirmuan sot zyrtarisht nga ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Në kuadër të javës europiane të vaksinimit, ministrja së bashku me përfaqësues të OBSH dhe UNICEF tha nga qendra shëndetësore nr. 3 në Tiranë se kjo do të ndodhe në Janar të 2018.

“Kalendari jonë duhet t’i afrohet sa më shumë kalendarit europian të vaksinimit dhe gjithashtu edhe me rekomandimin e OBSH-së, ne të fillojmë dhe të zgjerojmë këtë kalendar kështu që mendojmë dhe do t’ia arrijmë që nga viti 2018 të fusim dhe një vaksinë të re që është vaksina e rotavirusit. Pra për të gjitha ato problemet diarretike,” tha ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Mjekët e konsultores i bënë thirrje prindërve që të mos hezitojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre, pasi vaksinat janë efektive dhe të sigurta. Ndërsa ekspertja e shëndetit publik Silva Bino u shpreh se mënyra e ruajtjes së vaksinave bëhet sipas standardeve të OBSH.

“Brenda këtij viti ne do të kemi kartelën e detyrueshme të vaksinimit për punonjësit e shëndetësisë, të cilët do të mbrojnë jo vetëm veten por edhe pacientët e tyre,” – theksoi ajo. - “E po kështu edhe një kalendar të përcaktuar vaksinimi për femrat e moshës riprodhuese dhe gratë shtatzëna për të pasur fëmijë të shëndetshëm.”

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: