Në Shqipëri çmimet veç rriten, mbi dyfishin e ecurisë në BE

Në Shqipëri çmimet veç rriten, mbi dyfishin e ecurisë në BE
Trendi i rritjes së vazhdueshme të çmimeve në vendin tonë ka arritur të tejkalojë edhe normën mesatare të Bashkimit Evropian, madje dyfishin e saj. Teksa në vende të tilla si Greqia në një vit nuk ka patur fare rritje të çmimeve, ndërsa në Islandë madje është konstatuat një rënie e dukshme e tyre

 ***

Në Shqipëri, çmimet vetëm po rriten. E sikur të mos mjaftonte kjo, ky trend ka arritur të tejkalojë edhe normën mesatare të rritjes së tyre në vendet e Bashkimit Evropian. Madje, e kapërcen dyfishin e saj. Një fakt i tillë konfirmohet nga vetë Instituti i Statistikave, sipas të cilave, rritja vjetore e çmimeve në Shqipëri gjatë muajit mars të këtij viti arriti të ishte deri në nivelin prej 3.8%, tregues ky i cili për vendet e BE-së për të njëjtën periudhë kapi një vlerë mesatare prej 1.6%. “Ndryshimi vjetor i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në mars 2017 është 3.8%. Ky ndryshim, është ndikuar kryesisht nga rritja vjetore e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 8.5%, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.4%, “Transport” me 3.2%, “Argëtim dhe kulturë” me 2.5%, etj”, citojnë ekspertët e Institutit të Statistikave, lidhur me ecurinë e një treguesi të tillë. Për të detajuar më tej se me një nivel të tillë, Shqipëria kryeson mbi listën e shteteve të BE-së, të renditura pikërisht për ecurinë e rritjes së çmimeve të konsumit. Sipas këtij listimi, ajo pasohet nga vendet e Balltikut, Letoni, Lituani dhe Estoni, të cilat arrijnë deri në nivelin prej 3% të rritjes vjetore të këtyre çmimeve. Më tej, vijojnë vendet e Evropës Qendrore, të tilla si Hungaria, Çekia apo dhe Belgjika, që rritjen e çmimeve në një vit e kanë rreth vlerës prej 2%, ose pak më lart se ajo e mesatares së BE-së, prej 1.6%. Ku këtë të fundit, duket se e respekton vetëm vende një vend i Evropës si Greqia.

Pas saj, vijon “e tatëpjeta” e çmimeve, me vende të tilla si Zvicra apo Rumania, ku ato nuk ndryshojnë fare thuajse nga viti në vit (niveli rreth 0%-0.5% i rritjes së çmimeve). Për të arritur tek Islanda, e cila rezulton që nga viti në vit të ketë patur madje rënie të çmimeve, saktësisht deri në nivelin prej -1.5% të tyre. Një vend i njohur ky për nivelin e lartë të mirëqenies, por në të njëjtën kohë edhe të zhvillimit të lartë ekonomik që po njeh kohët e fundit. Ndryshe nga Shqipëria, e cila rritjen e çmimeve si të tillë, e ka një dukuri jo vetëm të përvitshme, por madje edhe të përmuajshme dhe madje të pakontrolluar nga asnjë instancë shtetërore që të mundet ta përllogarisë atë e të përpiqet që të mos lejojë tejkalimin e saj, mbi normën mesatare ligjore prej 2%-2.5%, e njohur kjo kuota zyrtare e inflacionit e Bankës së Shqipërisë.

Për të mos harruar këtu faktin që rritjen e pandalshme të çmimeve e shkakton pikërisht ajo e kategorisë së ushqimit dhe pijeve alkoolike, grupi i konsideruar si baza e mallrave të konsumit të popullatës. Dukuri kjo e cila përkthehet në faktin se rritjen e çmimeve e ndiejmë që të gjithë, pavarësisht kategorisë sociale së cilës ne i përkasim.

DUKURIA

“Vala” e rritjes së çmimeve i prek të gjitha zërat e konsumit

Përveçse është e lartë dhe e vazhdueshme, rritja e çmimeve në Shqipëri është një dukuri specifike, pasi ajo rezulton se i prek thuajse të gjitha zërat e konsumit. Kështu, nëse i referohemi raportit më të fundit të INSTAT-it, përveç atij për “Mobilje, pajisje dhe mirëmbajtje shtëpie”, të gjitha zërat e tjerë kanë njohur një rritje të çmimeve të tyre nga viti në vit. Përjashtuar këtu edhe ato të grupit “Veshje dhe këpucë”, të cilat gjatë një viti kanë shënuar vetëm një rënie modeste, deri në nivelin prej -0.02%. Teksa listimin në fjalë, e kryeson pikërisht grupi “Ushqime dhe pije alkoolike” me një nivel vjetor rritje të çmimeve të produkteve të tyre prej 3.20%, krahasuar me marsin e një viti më parë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: