Rama, Meta, Basha, në provën e parë e brezit të ri të politikanëve

Rama, Meta, Basha, në provën e parë e brezit të ri të politikanëve
Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga Roland Qafoku

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha, për herë të parë, kanë në dorë të zgjidhin një krizë politike në Shqipëri. Liderët e brezit të dytë të politikanëve, pas rrëzimit të diktaturës, asnjëherë nuk janë gjendur në një situatë ku ata të tre të kenë në dorë fatet e Shqipërisë. Edi Rama, 53 vjeç, me detyrë kryeministër; Ilir Meta, 48 vjeç, me detyrë kryetar i Kuvendit dhe Lulzim Basha, 43 vjeç, me detyrë kryetar i opozitës, janë zëvendësuesit e politikanëve të cilët mbizotëruan një çerekshekulli, që, edhe pse ndonjë protagonizmi si ai i Berishës, janë vetëm këta tre që kanë pushtetin real, për të marrë vendime finale. Tashmë, politikanë si Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani, Dritëro Agolli, Aleksandër Meksi, Gramos Pashko, Sabri Godo e të tjerë, i takojnë historisë dhe aktualisht Rama, Meta dhe Basha, janë pasardhësit e tyre. Por të vendosur si cepat e një ylli, asnjëherë të tre, nuk kanë qenë kaq larg njëri-tjetrit, nuk kanë qenë asnjëherë me synime secili për vete dhe nuk kanë qenë asnjëherë, në një situatë që secili përgjon dhe vëzhgon lëvizjet e dy të tjerëve. Madje, asnjëherë në një betejë politike, ata nuk kanë mundësi pothuajse të barabarta, 33.33% secili për të arritur fitoren. Pavarësisht se çfarë deklarojnë publikisht, si Edi Rama, si Ilir Meta ashtu edhe Lulzim Basha, i ngjajnë shahistit që ndodhet përballë dilemës se ai që guxon i pari dhe synon shumë, ka dhe riskun që një lëvizje e tillë mund t’i sjellë fitore, por mund t’i sjellë edhe një humbje të sigurt. Rama deklaron se zgjedhjet nuk shtyhen, Meta deklaron se zgjedhje pa opozitën nuk ka, dhe Basha deklaron se nuk futet në zgjedhje me Ramën kryeministër dhe çdo tërheqje, sado pak e njërit prej tyre, mund të merret si dobësi dhe dy të tjerët mund të fitojnë duke e nxjerrë atë jashtë loje. Situata është kthyer si në një ekuacion të vështirë me tre të panjohura, por që të treve u takon ta zgjidhin.

EDI RAMA

Pa mbyllur mirë një mandat në qeveri, Edi Ramës i duhet të përballojë një krizë politike reale. Edhe pse për 50 ditë protestë të opozitës, ka dhënë publikisht deklarata shpërfillëse, ekstreme dhe asnjëherë i maturuar, Edi Rama ndodhet, realisht, në një pozitë të vështirë, teksa e dëgjojmë të përsërisë refrenin se do të futet në zgjedhje pa opozitën. Edhe militanti më ekstrem i PS-së, rrudh buzët kur dëgjon shefin e vet se, për herë të parë, pas rrëzimit të diktaturës, zgjedhjet e 9-ta të përgjithshme, do të bëhen vetëm nga partia që është në pushtet. Edi Ramën nuk e ka ndihmuar dot, në këtë situatë, as arma më e fortë e tij, propaganda. Me një staf që, në fakt, është makinë e vajosur mirë, me një ushtri gazetarësh dhe analistësh aspak profesionistë dhe dukshëm pro pushtetit, me ndikime në gazeta, televizione dhe portale online, Edi Rama ka mbështetje mbresëlënëse prej tyre, por kjo nuk përkthehet domosdoshmërisht mbështetje nga masa e njerëzve, sepse mund të jesh mbështetës i Ramës, mund të jesh socialist, mund të jesh edhe gazetar që mbështet shumë ide të kryeministrit, por kjo nuk do të thotë se mbështet idenë e çuditshme të tij, se zgjedhjet parlamentare bëhen pa opozitën. Ndërkohë, me një aleat si Ilir Meta i cili, aktualisht, ia ka futur këmbët në një këpucë, me një kryetar opozite që i kërkon zgjedhje pa atë kryeministër, Edi Rama duhet të jetë penduar që nuk i dha zgjidhje situatës në një moment më të hershëm, por që e shpërfilli, pafund, duke e shoqëruar edhe me deklarata konfliktuale, duke i sjellë në një moment kritik. Por Edi Rama mban mbi shpinë, edhe një precedent që, sot, sipas tij nuk quhet. Të gjithë i kujtojmë kapriçot e kryetarit të PS-së në zgjedhjet lokale të vitit 2007, kur për një certifikatë, bëri lëmsh vendin dhe zgjedhjet që u shtynë për tre muaj më vonë. Personalisht mendoj se, nëse Rama nuk do mbante mbi shpinë këtë mëkat politik, do të isha i pari që do të deklaroja që zgjedhjet kurrsesi nuk mund të shtyhen. Por kujtesa ka gjithmonë të drejtë dhe Edi Rama nuk duhet të jetë pronar i rregullit të parregullt që kur e bëj unë, nuk quhet, kur e bën kundërshtari politik, quhet. Prandaj, në cilësinë e kryeministrit, në cilësinë e autorit të një precedent të tillë, i takon atij dhe vetëm atij, të lëshojë i pari, duke dhënë shembull që qeverisja nuk është vetëm pushtet, por edhe përgjegjësi.

ILIR META

Ndodhur në pozitën e më komodit, Ilir Meta duket më i qetë, më i vendosur dhe më i sigurt. Pa facebook, pa twitter dhe pa asnjë media që e mbështet, arma e Metës janë të rinjtë dhe kjo është arsye që reagimet për këtë situatë, Meta i jep gjatë takimeve me LRI. Ai ka zgjedhur të mbajë fort një parim, atë të zgjedhjeve me pjesëmarrjen e opozitës. Ndonëse nuk ka dhënë qartë formulën e zgjidhjes, Meta arriti të sakrifikojë edhe mandatet që LSI-ja ka, duke ia ndërlikuar edhe më shumë pozitën Ramës, duke e nxjerrë zbuluar atë dhe të tjerë rreth tij, që kanë nisur një fushatë të re servilizmi ndaj kryetarit, deri te më qesharakja, se LSI-ja ia fut kot që gjatë këtyre 4 viteve është kultivuar kanabis. Kryetar kuvendi, kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër i jashtëm, ministër i Ekonomisë dhe sekretar Shteti, Ilir Meta, përveçse mes të treve, është ai që ka ushtruar më shumë detyra shtetërore, ka përvojën e një politikani “bio”, që ka arritur të bëjë beteja pa ndihmën e askujt. Madje, me votat e LSI-së të zhbalancojë, për herë të parë, në Shqipëri dy elefantët e politikës PS e PD. Nëse nuk do kishin LSI-në, nuk e teprojmë te themi se vendi do të ishte një shtet monopartiak, - me dy parti. Ndodhur edhe në këtë situatë, nëse nuk do të ishin votat e LSI-së, padyshim që PD e PS do ta kishin gjetur një zgjidhje si ajo e vitit 2008, kur brenda disa orëve ndryshuan kushtetutën dhe i bënë gjëmën zgjedhjeve, duke e kthyer me kokë poshtë vlerën e votës.

LULZIM BASHA

Kjo është hera e parë që, Lulzim Basha po bën një betejë reale që kur është zgjedhur kryetar i PD-së. Lideri i opozitës që ende nuk ka bërë asnjë betejë reale brenda partisë së vet, tashmë, ndodhet në kuotat më të larta në karrierën e vetë. Ka arritur të bëjë një protestë maratonë, ka arritur të motivojë kaq shumë PD-në dhe opozitën dhe ka arritur të vendosë në vështirësi mazhorancën, duke shkaktuar krizë politike. Arma më e fortë e Bashës është të qenit në opozitë, nuk ka çfarë të humbasë dhe këto 51 ditë, e kanë bërë që të mësojë shumë më shumë se çka mësuar në këto afro 4 vjet që ka në krye të Partisë Demokratike. Ndodhur në këtë situatë, çfarëdo të ndodhë, çfarëdo zgjidhje të ketë, Lulzim Basha e ka arritur fitoren e vet politike. Ai arriti të motivojë dhe ndikojë në një situatë kur, në fillim, edhe Meta dhe Rama, nuk e merrnin seriozisht, duke kuptuar se kryerja e betejave politike është më e rëndësishme se të qenit djalë i mirë, i diplomuar jashtë vendit.

TË TRE

Sot, të gjithë e dimë që fitorja e secilit do të arrihet falë aleancës së dy prej tyre, kundër të tretit. Por askush nuk e di cili do të bashkojë votat dhe forcat, Rama me Metën kundër Bashës, Basha me Metën kundër Ramës, apo edhe më e çuditshmja, Rama me Bashën, kundër Metës. Count down-i po shkon drejt orës zeros dhe ky është moment historik për të tre. Në vartësi të zgjidhjes që do të japin, ashtu do të bëhet edhe vlerësimi ndaj tyre. Të gjithë do të ishim të kënaqur që, pas shumë vitesh, historianët do të shkruanin: Na ishin një herë, Edi Rama kryeministër, Ilir Meta kryetar i kuvendit dhe Lulzim Basha kryetar i opozitës dhe të tre i dhanë një zgjidhje pozitive krizës politike, për hir të Shqipërisë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: