OPINION për Albanian Free Press: Si mund të rikthehet PD-ja në pushtet - Nga Eduard Zaloshnja

OPINION për Albanian Free Press: Si mund të rikthehet PD-ja në pushtet - Nga Eduard Zaloshnja
Nga Eduard Zaloshnja

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Ndër këshillat strategjike që i janë dhënë publikisht Lulzim Bashës, ka qenë edhe ajo për ndjekjen e strategjisë së Marine Le Pen, e cila e përjashtoi të atin nga partia që ai vetë kishte themeluar. Por një distancim i qartë publik i Bashës nga “babai” i tij politik, aq më tepër një përjashtim i tij nga partia që ai ka themeluar, do të kishte pasoja të rënda elektorale për Partinë Demokratike – të paktën në vitet në vazhdim.

Kështu, nga një sondazh që zhvillova në fillim të vitit, rezultonte se vetëm gjysma e votuesve opozitarë do të donin që Basha të ishte kryeministri i ardhshëm i vendit, ndërsa gjysma tjetër do të donin Berishën kryeministër. Dhe nëse Basha do të ndiqte strategjinë Le Pen, një ndarje e tillë e elektoratit opozitar do të donte me shumë se katër vjet të tejkalohej.

Një këshillë tjetër strategjike që i është dhënë Bashës është ajo e fokusimit tek shtresa e ish të përndjekurve, si shtresa më e vendosur kundër partive të majta. Por një sondazh që zhvillova vjet për fondacionin Konrad Adenauer tregonte se vetëm gjysma e votuesve opozitarë rridhnin nga familje ish të persekutuara nga regjimi komunist. Dhe dy ndarjet e mësipërme jo domosdoshmërisht përputhen.

Në këto kushte, Basha është i detyruar të vazhdojë kursin aktual politik të ruajtjes së balancës delikate mes berishistëve e jo-berishistëve, mes ish të persekutuarve e jo-ish të persekutuarve. Por problemi është se partitë që janë aktualisht në opozitë kanë patur si rezultatin më të lartë elektoral të dy dekadave të fundit, atë të vitit 2009, kur morën së bashku vetëm 740 mijë vota. Dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare votuan 1 milion e 740 mijë zgjedhës, ndërkohë që votat e partive që janë sot në opozitë zbritën në 660 mijë…

Duke presupozuar për një çast se zgjedhësit që votuan për FRD-në më 2013-ën (rreth 30 mijë), ata që shtuan votat e PDIU-së (me rreth 30 mijë) dhe ata që shtuan votat e LSI-së (me rreth 20 mijë), do të rikthehen në sinorin aktual opozitar, do të kishim një rikthim të partive opozitare në kuotën e 740 mijë votave (që u arrit në vitin e suksesshëm 2009). Por edhe në këtë skenar optimist, ato do të ishin pak përballë 1 milion votuesve potencialë të koalicionit mazhoritar – në rast se ai do të vazhdojë të mbetet i pandarë.

Në këto kushte, PD-së i mbeten dy strategji politike për t’u rikthyer shpejt në pushtet.

1 – Përçarja e koalicionit mazhoritar

Duke qenë se Edi Rama këmbëngul për të mos lejuar krijimin e një qeverie teknike para zgjedhjeve, ndërsa Ilir Meta këmbëngul se duhet biseduar me opozitën për të dalë nga ngërçi aktual politik, PD-ja mund të bëjë përpjekje që ta bindë këtë të fundit, për të dalë nga koalicioni aktual dhe për t’i bashkuar votat në Kuvend për një mocion mosbesimi ndaj Ramës. Nëse bëhen 71 vota në Kuvend, Rama mund të zëvendësohet me një kryeministër “teknik” të propozuar nga LSI-ja e të mbështetur nga PD-ja.

Kuptohet që PD-ja nuk mund të krijojë një koalicion parazgjedhor me LSI-në, sepse do të kishte kosto të madhe elektorale. Por, siç bëri më 2009-ën, mund të krijojë një koalicion qeverisës me të pas zgjedhjeve – në qoftë se kanë së bashku mbi 70 mandate. Në rast të një koalicioni të tillë, Basha duhet ta harrojë tezën e “Republikës së Re”…

2 – Sistemi zgjedhor me “prim”

Në rast se strategjia e mësipërme nuk funksionon, PD-ja mund të synojë një marrveshje të drejtpërdrejtë me PS-në, duke i anashkaluar të gjitha partitë e vogla, si “të djathta” e “të majta”. Dhe mënyra më efikase për ta realizuar një anashkalim të tillë është sistemi zgjedhor me “prim”. Në një sistem me “prim”, nuk krijohen koalicione parazgjedhore, dhe partia që del e para në zgjedhje merr një numër të caktuar mandatesh shtesë (një “prim”). Në këtë mënyrë, pas zgjedhjeve, partia e parë mund të mos ketë nevojë të krijojë koalicion qeverisës me parti të vogla.

Në rast se ndiqet kjo strategji, PD-ja mund të ketë shpresë se LSI-ja do të luftojë me çdo mjet për t’i gërryer elektoratin PS-së, në mënyrë që kjo e fundit të mos e fitojë garën. Ndërsa PD-ja do të luftojë për të marrë të gjithë votat e partive të vogla “të djathta”, meqë ato pothuaj nuk do të kenë më shpresë për të qenë pjesë e një qeverisje të ardhshme. Si rezultat, PD-ja mund të rezultojë parti e parë nga zgjedhjet, dhe në qoftë se merr të paktën 50%+1 të mandateve parlamentare (me ndihmën e primit), mund ta qeverisë e vetme “Republikën e Re” të Bashës. Ndërsa në qoftë se del e para, por nuk e arrin kuotën e mësipërme, do t’i duhet të bashkëqeverisë përsëri me LSI-në …

Përfundim

Realiteti elektoral i Shqipërisë tregon se një rikthim i shpejtë i PD-së në pushtet kalon përmes njërës prej dy strategjive të mësipërme. Përndryshe, nëse koalicioni mazhoritar mbetet i bashkuar, është i pamundur për t’u thyer në një garë elektorale. Madje edhe sikur të sjellim ministra teknikë nga Zvicra para zgjedhjeve parlamentare...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: