600,000 PËR 1 – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

600,000 PËR 1 – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ishin 600,00 apo nuk ishin 600,000? Protesta e fuqishme e Opozitës la pas dy filozofi:

E para: filozofinë e numrave, dhe

E dyta: filozofinë e qenies.

Ne të gjithë, në këtë rast, ndodhemi mes dy epokave: Mes epokës kur njerëzit ishin vetëm numra dhe epokës për të cilën mbetëm në kërkim: Qenia është vlerë, jo numër!.

Gjatë gjysmë shekulli të diktaturës komuniste të gjithë njerëzit përbënin numra dhe mekanizma pune; sa forca pune, sa anëtarë të PPSH, sa ushtarë, sa malësorë, sa priftërinj, sa nxënës... Madje edhe dëshmorët, pasi u groposën në dheun ëmë, morën vlerë vetëm si numra. Diktatori komunist, në vizitën e parë me Stalinin e BS, u pyet sa dëshmorë kishin rënë 'kundër gjermanëve' dhe mbeti gafil. Në mendjen e tij djallëzore erdhi një shifër gjeografike, sa kilometra katrore kishte territori i Shqipërisë. 'Një dëshmor - në çdo kilometër, shoku Stalin!"- tha. Morën hartën dhe dolën 28,000. Numri mbeti vlera e komunizmit, ndërsa ata që ishin- nuk ishin më...

Të dielën që në mëngjes kryeministri i Republikës, Rama, u zgjua me numra në sy.

Sa kanë qenë në protestën e Opozitës?!- pyeti, siç thotë vetë në Twitter se kishte biseduar me dikë. Tjetri i bëri qejfin, si i ardhuri i largët te shoku Stalin, dhe kështu mbetën të kënaqur të dy duke thënë “një numër më të ulët se 600,000”. Prej afër 24 orë po diskutohet për numrin: 600,000 apo jo?!

Po mirë, le të themi se ishin dhjetë herë më pak, 6,000; le të themi njëqind herë më pak: 6; le të themi dyfishin e 60,000... Në fakt, sipas teknologjisë së numërimit perëndimor të protestës, çdo shifër duhet shumëzuar me disafish; sepse vetëm një për qind e atyre që 'të urrejnë' vijnë të ta thonë në sy, aq më pak në rrugë. Por le të mbetemi përsëri te detyrimi yt para urrejtjes së shumëfishit të 600, 000 njerëzve, ose të shumë herë më pak; ta zëmë 6000. Në qoftë se një kryeministër është i neveritur nga 600 ose 6000 anëtarë të kombit të vet, dhe këta guxojnë t'ia thonë para syve, atëherë ky kryeministër duhet të dalë në ballkonin e qeverisë dhe t'u thotë atyre: "Eej, mos më qëlloni me gurë sa t'u them dy fjalë: 'Lamtumirë armiq!'". Kaq është vlera, jo numri.

Numri i protestuesve në bulevardin Dëshmorët e Kombit, të cilët unë i pashë, edhe dy milionë të tjerë i panë me sy, ishte shumë i madh. Nuk i numëruam- sigurisht, nuk i numëroi askush. Por derisa t'i numërojmë, qeveria ndaj të cilës protestohet, do ta ketë bërë namin në ekonomi, në krim, në drogë, në palaçollëk. Kjo është marramendja qeveritare që në mëngjes, që i trajton njerëzit herë si 'dele' e herë si 'fëmijë'. Kësaj here 'si fëmijë', sepse iu thotë: 'Hajde pak këtu në prehër... Ngreje kokën për nga qielli; numëroji yjet!".

Mirëpo yjet nuk prodhojnë kurrë gjë, veç hutojnë 'fëmijën'.

Njerëzit në protestën tetëdhjetë ditore prodhuan dy elementë për të cilët po haheshim nëpër kafe dhe nëpër ballkone mbrëmjeve duke numëruar yjet:

E para,

Prodhuan një balancë vlerash, dhe po të doni thoni edhe 'numerike'. Opozita, për herë të parë, u shfaq si supremaci mbi mazhorancën. Opozita, pasi u mblodh nga gjithë vendi në qendër të Tiranës, u kthye në shtëpi pa asnjë kufomë njerëzore. Në vitin 2011, Janar, opozita e kohës që tani ndodhet në qeveri, u kthye në shtëpi pasi mori nga sheshi i vet katër të vrarë. Iu bëri thirrje njerëzve të vet që të digjeshin institucionet e shtetit, iu tha që t'i suleshin secilit se 'do të garantohej brezi tjetër' dhe la të vrarë. Liderët që thërritën popullin 'për jetë a vdekje' në shesh, në Janar 2001, bënë apel: 'jo 3, por edhe sikur 13, 000 do të ishin pak të vriteshin'. (Shiko kronikën e asaj dite). Për kategorinë e asaj opozite (sot të kësaj qeverie)- si të gjallët, edhe dëshmorët janë thjesht numra. Nuk kishte asnjë njeri, asnjë skeptik, asnjë militant, që dje të thoshte se Opozita kishte në vlerë të paktë sa qeveria e cila dje ishte Opozitë. Të gjithë panë se u ngjit Opozita shumë lart. Opozitës tani mund t'i besohet fëmija për në shkollë se nuk ta drogon; mund t'i besohen financat se nuk t'i bën drogë për demonstruesit që të vrasin; mund t'i besohet kujdesi për familjen, edhe vetë kryetari i Opozitës kishte në krah familjen e vet me tre 'vajza'.

Njeriu nuk është shifër, por është mendim. Mendimi mund të shkojë me fikë edhe te kryetari i bashkisë i kategorisë qeveritare sot, i cili, natyrshëm është kandidat për kryeministër. Pa mendoni t'ia besoni kujdesin familjar kryetarit të Kavajës!? Ai ta merr dhe ta shet në Itali ose në Honolulu. Ta shet brenda natës... Opozita dëshmoi dje se ishte superiore njerëzisht; ne kemi nevojë shumë për atë që është i njerëzishëm, aq më tepër në kohë 'kolere' kur mungon e njerëzishmja në qeverisje...

Atëherë pse u dashkan numëruar sa 'qind mijë' ishin në protestë. Ja ta zëmë se nuk ishin 600, por 500 mijë. Po mirë, vallë na duhet të kemi 500 mijë kryeministra, 500 mijë ministra, 500 mijë presidentë?! Po atëherë çfarë na duhet numri. Opozita në protestë po dëshmon vlerë- kjo është e tëra. Vlera kombëtare që po prodhon Opozita është se po na rëndit në krah të kombeve dhe lëvizjeve më të përparuara të Perëndimit. Bota po ndryshon në luftë kundër qeverive të demagogjisë, kundër arrogancës qeveritare, kundër establishmentit që e zhveshi kombin nga cilësitë kombëtare dhe kufijtë e shtetit i bëri 'bordelo'. Opozita e Shqipërisë, edhe sikur 6000 protestues në shesh, e vuri kombin në radhën e Brexit, Trump, BE e re, vlerë dhe sovranitet.

E dyta, protesta e Opozitës dha një lider.

A nuk kishim mbllaçitur fjalë nëpër kafene se 'nuk kishim lider' që t’ua marrë pushtetin këtyre, edhe pse u ka rënë? Po, kishim bërë mijëra herë këtë gjë. Basha i Partisë Demokratike, më në fund u shfaq lider kombëtar i virtytshëm, i zoti, i fuqishëm, i qartë dhe i dashur- njëkohësisht. Në gjithë manifestin e tij dëshmoi se ka një pikë të qartë ku do të shkojë vendi dhe ku do të jetë individi. Ai tha se 'asgjë nuk do të jetë siç është'. As do të prozvalesh nga qeveria, as nuk do të të shpërdorohen vlerat e buxhetit, as do të tallesh nga ata, as do të zhytesh në varfëri, as do të të vrasin e vjedhin zyrtarët e shtetit, as do të të vjelin ambasadorët abuziv, as do të të përdorë Soros si mish për top kundër Botës së Qytetëruar. Nuk e di sa miliona të parashtesës 'as' mund të them, sepse miliona arsye janë krijuar për të thënë "Aman, mos qoftë më nesër si sot!".

Një lëvizje që prodhon një lider të besueshëm, nuk matet nga numrat. Ta zëmë se nuk ishin 600 mijë, por ishin 500 mijë!.. E pastaj, sikur të ishin 700 mijë në shesh a do të kishin 'prodhuar' një Bashë më të mirë se Basha... Kur nisën ta sulmojnë Bashën edhe ata që i rrinin më afër, d.m.th., deputetë të PD, atëherë u vërtetua se 'vërtet u realizua' lideri. Njeriu është si fëmija që numëron yjet, por kur shikon se dikush pranë u bë shumë i lakmueshëm, do që ta ketë për vete. Grindja brenda PD nuk është asgjë tjetër, veçse vlerë e lakmueshme e liderit që u bë gjatë Protestës... Të paktën tani nëpër kafene nuk mund të thuhet më 'po, ja re, nuk ka lider PD-ja, se këta të Rilindjes duhen rrëzuar një orë e më parë'. Tani pas protestës nuk kanë pse e thonë më...

Sa për numrat, do të vazhdojnë të numërojnë, sigurisht. 'Njeriu numër është'- thoshte sociologjia komuniste. Sot e kësaj dite libertarianët e Amerikës me Hillary dhe Soros, vazhdojnë të numërojnë dhe iu del se 'Trump nuk ka numrat...'. Ky është fenomeni, njerëzit prodhuan 'Gjënë Tjetër' se ndryshe do të na ishte zënë fryma nga numrat.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: