Intervistë me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj

Intervistë me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj
Në foto: gazetari Spyros Sideris, themelues i Independent Balkan News Agency dhe Albanian Free Press pas intervistimit të MPJ të Kosovës, Enver Hoxhaj

IBNA: I nderuar ministër i Jashtëm i Kosovës, faleminderit për këtë intervistë me Independent Balkan News Agency dhe Albanian Free Press. Fillimisht dua t’ju pyes se si është niveli aktual i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Greqisë? Cili ishte rezultati i takimit tuaj me Ministrin e Jashtëm grek?

Enver Hoxhaj: Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të shkëlqyeshme. Greqia është një partner i rëndësishëm për Kosovën si një shtet i ri në rajon dhe ne kemi lëvizur nga një bashkëpunim i mirëfilltë ndërinstitucional mes dy qeverive dhe ministrive tona drejt thellimit të raporteve ekonomike dhe thellimit të shkëmbimeve mes dy shoqërive tona. Ajo që i mungon këtij raporti është  njohja e shtetit të Kosovës si një shtet sovran dhe i pavarur. Por ky është një vendim që duhet të merret në Athinë dhe është një vendim që merret nga një qeveri dhe shtet sovran. Pra, i takon ta formulojë politika e jashtme greke dhe qeveria greke.

IBNA: Si ndikon mungesa e stabilitetit politik në Tiranë dhe në Shkup në situatën politike në Kosovë?

Ne jemi të shqetësuar që në dy vitet e fundit kemi një lloj rikthimi të historisë, duke qenë se stabiliteti politik është mjaft i brishtë. Në Shkup, presim që pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, z. Talat Xhaferi, të kemi sa më shpejt themelimin e një qeverie të re. Është në interes të Athinës, Tiranës dhe Prishtinës, por edhe të Sofies dhe të gjitha vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian që ky vend të jetë i qëndrueshëm, të integrohet në strukturat euro-atlantike, që siguria dhe paqja të dominojë  dhe të ketë një qeveri që të shërbejë si një adresë për zgjidhjen e problemeve që kanë qytetarët në këtë vend. Për sa i takon situatës në Shqipëri, presim që të ketë një mirëkuptim mes qeverisë dhe opozitës dhe që kriza dhe pjesëmarrja në zgjedhje të tejkalohet.

IBNA: A janë marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Turqisë një element i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian?

Ne kemi raporte shumë të mira me të gjitha vendet e Evropës Juglindore, duke përfshirë edhe Turqinë. Turqia është një vend që e ka njohur Kosovën dhe e ka mbështetur atë në raporte bilaterale si dhe për t’u përfaqësuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Besoj se ky bashkëpunim mes dy vendeve tona do të vazhdojë.

IBNA: Vendimi për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një forcë të armatosur ka provokuar një reagim nga minoriteti serb dhe NATO. A është i dobishëm ky tension ndërkohë që bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë?

Duhet ta kuptojmë drejt se çfarë ka synuar Presidenti Thaçi dhe se cila është nevoja e brendshme e Kosovës.  Themelimi i forcave të armatosura të Kosovës  është një proces që ka filluar që nga viti 2007 kur gjatë negociatave në Vjenë, Marti Ahtisari ka paraparë që pas shpalljes së pavarësisë, Kosova të ketë një forcë sigurie, ndërsa nga viti 2008 deri në vitin 2013, kjo forcë e sigurisë  duhej të përmbushte disa standarde dhe pas vitit 2013, ajo duhej të themelohej si një ushtri e Kosovës. Kjo do të thotë që ajo që ka prezantuar Presidenti Thaci është një detyrim ndërkombëtar, por është ende një nevojë e Kosovës që ta ketë ushtrinë e saj si një shtet sovran  dhe i pavarur. Aktualisht jemi në koordinim me partnerët tanë edhe amerikanë, edhe evropianë, shtete anëtare të NATO-s për sa i përket kohës së kur do të fillojë ky transformim. Ajo që për ne është e papranueshme është se komuniteti Serb që jeton në Kosovë mos ta përdorë votën e tij në kuvend si një veto për të parandaluar një proces që është një detyrim ndërkombëtar dhe një nevojë e brendshme e shtetit të Kosovës.

IBNA: Mesa duket, Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme. Si do të funksionojë bashkëpunimi mes PDK-së dhe LDK-së?

Ne mund të kemi zgjedhje të parakohshme, meqë Kuvendi i Kosovës është bllokuar në vendimmarrjen e tij. Mendojmë se një Kuvend që nuk është në gjendje që t’i përmbushë disa prej objektivave të tij strategjike në Kosovë, do të duhej të pyesë veten rreth qëllimit dhe funksionimit të tij të mëtejshëm dhe në këtë drejtim, nëse do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, do ta ruajmë partneritetin me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ashtu dhe bashkëpunimin me çdo parti tjetër politike, sepse për ne, si partia më e madhe në vend, stabiliteti është i rëndësishëm, por përveç stabilitetit politik, ne jemi të interesuar që të ketë edhe një agjendë evropiane modernizuese e cila i ndryshon gjërat në Kosovë.  Në këtë drejtim mendojmë se zgjedhjet e parakohshme do të ofronin legjitimitet dhe për qeverinë dhe institucionet e ardhshme. /IBNA/