ZGJEDHJET E LIRA DHE VETTINGU – ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

ZGJEDHJET E LIRA DHE VETTINGU – ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

PD-ja i ka konsideruar zgjedhjet e lira e të ndershme si një kusht i panegociueshëm, për pjesëmarrjen në komisionet parlamentare të Vettingut. Pavarësisht argumenteve që ajo jep, duket se kjo është një taktikë për ta shtyrë fillimin e Vettingut, me synimin që zbatimi i tij të futet në kalendat greke. Por përtej taktikave alla shqiptarçe, pyetja “zgjedhje të lira e të ndershme apo një drejtësi që jep drejtësi?” është një pyetje që ka shqetësuar shumë mendimtarë botërorë, pas dështimeve të disa përpjekjeve demokratizuese në një sërë vende të botës.

Francis Fukuyama ka shkruar dy vëllime me nga 500 faqe rreth kësaj teme (seria Rendi Politik). Përfundimi kryesor në të cilin arrin Fukuyama, pasi analizon shtetet e ndryshme në 3000 vjetët e fundit, është se demokracia mund të lulëzojë vetëm në vende ku sundon ligji (por nuk sundohet përmes ligjeve), dhe ku administrata shtetërore është e ndërtuar në bazë të meritokracisë. Përndryshe, shkruan ai, demokracia s’është veçse një ndeshje mes partish, të cilat synojnë të vijnë në pushtet përmes zgjedhjesh, për ta shfrytëzuar atdheun në favor të drejtuesve dhe të militantëve që i mbështesin ata.

Edhe Fareed Zakaria ka shkruar dy libra rreth kësaj teme (Bota post-amerikane dhe E ardhmja e lirisë). Ai arrin në përfundimin se mund të flitet për demokraci liberale vetëm kur sistemi i drejtësisë funksionon i pavarur nga pushteti politik dhe kur ai shërben si një kontrollues dhe balancues i ekseseve të ndryshme të politikës dhe të shoqërisë. Përndryshe, shkruan ai,  kemi të bëjmë me një demokraci iliberale.

Paddy Ashdown, ish-guvernatori de fakto i Bosnjës, duke reflektuar mbi përvojat e Perëndimit atje, pas Marrëveshjes së Dejtonit, ka shkruar se Perëndimi shpenzoi shumë para për të zhvilluar partitë, shoqërinë civile dhe zgjedhjet e lira e të ndershme në Bosnjë. Dhe pati sukses në këtë drejtim. Partitë e OJQ-të u fuqizuan dhe zgjedhje të lira e të ndershme u zhvilluan disa, duke prodhuar rrotacione pushteti, si në nivel qendror edhe lokal. Por korrupsioni dhe krimi i organizuar rritej nga viti në vit, me fuqizimin e partive dhe të OJQ-ve, si dhe me ndërrimet e pushtetit.

Do të kishte qenë më mirë, shkruan Ashdown, që të kishim shpenzuar një fraksion të parave që shpenzuam, për të përgatitur 10 prokurorë e 10 gjykatës të aftë e të ndershëm, që të luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë mënyrë do të kishim hedhur themelet për ngritjen e një demokracie liberale.

Rreth kësaj teme jo vetëm është shkruar, por edhe është vepruar. Në shtete si Rumania, Kroacia, Bullgaria, Guatemala e Hondurasi, ku BE dhe/ose SHBA kanë interesa jetike për të ndërtuar demokraci liberale, Perëndimi ka ndihmuar fuqimisht për ngritjen e njësive speciale të hetimit dhe të akuzës, për të vënë pas hekurave figura shumë të larta politike, të korruptuara ose të lidhura me krimin e organizuar. Bazuar në këtë përvojë, SHBA dhe BE po ngulmojnë fort që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Shqipëri.

Në kushtet aktuale, ngulmimi i PD-së për bllokimin e Vettingut, edhe në qoftë se nuk do të ishte thjesht një lëvizje taktike, do të ishte i kotë nga pikëpamja e interesit të saj imediat. Kjo sepse në vitin më të mirë në dy dekadat e fundit (më 2009, kur Berisha ishte kryeministër i gjithëfuqishëm), partitë që janë aktualisht në koalicionin e saj morën vetëm 740 mijë vota, ndërkohë që në Shqipëri votojnë rreth 1 milion e 740 zgjedhës.

Sado të lira e të ndershme, sado elektronike e biometrike të bëhen zgjedhjet, PD-ja nuk vjen dot në pushtet, nëse LSI-ja nuk i kundërvihet PS-së. Ndërsa nëse LSI-ja i kundërvihet PS-së, PD-ja mund të vijë në pushtet me ndihmën e LSI-së dhe pa ndihmën e reformës elektronike zgjedhore.

Duke patur parasysh ekuacionin e mësipërm elektoral, edhe vendi nuk do të ketë ndonjë përfitim imediat nga reforma elektronike zgjedhore. Nëse koalicioni PS-LSI nuk prishet, do të mbesë në pushtet, pavarsisht se sa të lira e të ndershme zhvillohen zgjedhjet. Ndërsa nëse LSI-ja rikthehet te koalicioni PD-LSI, ne do të rishohim një qeveri të ngjashme me atë të para 4 vjetëve.

Siç ka thënë Fukuyama, në një vend ku nuk sundon ligji, demokracia s’është veçse një ndeshje mes partish, të cilat synojnë të vijnë në pushtet përmes zgjedhjesh, për të shfrytëzuar atdheun në favor të drejtuesve dhe të militantëve që i mbështesin ata...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: