Sheshi “Skënderbej” është kthyer jo vetëm në një nga vendet më të vizituara në kryeqytet, por edhe në një hapësirë që ofron mundësi të shumta argëtimi në orët e mbrëmjes. Ashtu si edhe në pesë netët e para, edhe sot, qytetarët e Tiranës dhe kryesisht rinjtë, do të kenë mundësi ta kalojnë mbrëmjen në sheshin “Skënderbej”, në shoqërinë e një muzike të zgjedhur ritmike.
AD Disha, DJ Cool, Criss V, duke filluar nga ora 20 e 30, do t'i japin jetë sheshit me disa nga performancat e tyre të zgjedhura, duke garantuar një natë plotë ritëm. Koncertet dhe aktivitetet e ndryshme artistike janë kthyer të përnatshme në sheshin “Skënderbej” që nga momenti i përurimit.
Gjatë këtyre ditëve të para qytetarët kanë pasur mundësi të shikojnë jo vetëm sheshin e ri dhe lulishtet rreth tij, por edhe të argëtohen në orët e mbrëmjes. Në pesë ditët e para në skenën e instaluar tashmë në këtë shesh janë ngjitur këngëtarë dhe grupe të njohura të muzikës popullore nga e gjithë Shqipëria, si dhe emra të tjerë të njohur të muzikës së lehtë dhe moderne shqiptare. /e.a/