A po hapen vërtet dosjet?

A po hapen vërtet dosjet?
Në muajt e parë të punës së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet për ish-Sigurimin e Shtetit, janë paraqitur vetëm 130 kërkesa të personave të interesuar. Njëri prej tyre, Kurt Kola, e cilëson “ligjin më të poshtër” atë për hapjen e dosjeve. Ish-Kryetari i SHISH, Fatos Klosi: Hapja e dosjeve nuk ka vlerë për shoqërinë, shteti vetëm “lan duart”. Gjergj Lezhja: Ligji nuk ka kuptim pa lustracionin, ish-spiunët janë ende në politikë.

Alket Aliu

Prej më shumë se një çerek shekulli, shoqëria shqiptare po mbahet peng me të famshmen çështje të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Një debat i nisur që me rënien e komunizmit dhe që është tentuar të zgjidhet pjesërisht me dy komisione të posaçme të ngritur duke filluar nga mesi i viteve ’90, të quajtura “Komisioni Mezini” dhe “Komisioni Bezhani”.

Një masakër e vërtetë është ajo që ka ndodhur me dosjet, duke filluar që përpara rënies së komunizmit e në vijim. Çfarë ka mbetur prej tyre? Kush ishte “i miri” dhe “i keqi”? Kush ka persekutuar dhe pse? Kë ka persekutuar dhe si? Kush ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit dhe kush ka qenë realisht i persekutuar?

Dhe pyetja më e madhe që na ka munduar gjithë këto vite: A po qeverisemi nga ish-spiunë dhe ish-persekutorë të komunizmit?

Dilema që lindi me miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve është nëse do të marrin vërtet përgjigje këto pyetje. A kanë arritur persekutorët të zhdukin të gjitha gjurmët e krimeve apo burime të tërthorta mund të hedhin dritë mbi emra të caktuar?

Kurt Kola: Sërish mbrojnë spiunët

Kurt Kola është një nga ish-të burgosurit politikë më të njohur. Ai thotë se ka marrë në dorë dosjen e tij disa ditë më parë, por nuk ka arritur të marrë ende informacion. “Ishte një mal me letra dhe ma lanë në dispozicion vetëm për një orë në një dhomë. Për të lexuar gjithë çfarë ishte shkruar më duhej ndoshta një muaj. Kërkova të më jepnin dokumentacionin me vete, por më thanë se nuk lejohet. Më thanë: Ka ca emra që nuk duhet të dalin. I pyeta: Akoma do t’i mbroni spiunët? Pas një debati, më thanë se do të fotokopjohet dosja, do të hiqen emrat dhe do të ma japin”.

Kurti e cilëson ligjin e fundit për hapjen e dosjeve si “ligjin më të poshtër”. Ai kërkon hapjen e dosjeve pa kufizim dhe për të gjithë. “Tani askush nuk ka arsye të kërkojë hapjen e dosjeve, përderisa nuk merr dot vesh se kush të ka spiunuar. Për më tepër, nuk kanë asnjë vlerë dhe është tepër vonë. Duheshin hapur që në fillim dosjet për gjithë shqiptarët”.

Kush është gjallë?

Debati përfshin edhe çështjen e raportit ndërmjet ruajtjes së të dhënave personale me zbardhjen e emrave të persekutorëve të komunizmit. Po a ka ndonjë rrezik nëse të persekutuarit njohin ata që i kanë spiunuar apo përndjekur?

Fatos Klosi, ish-kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror, thotë se nuk ka asnjë rrezik.

“Shumica e tyre sot nuk janë më, edhe nëse janë gjallë, janë në moshë të thyer. Kush do merret me ta sot, kur kanë kaluar më së paku 27 vjet për ngjarje të kohës së rinisë?”.

Gjergj Lezhja është emëruar kryetar i SHIK-ut të Durrësit në vitin 1992 dhe ka qëndruar në detyrë deri më 1994, kohë kur u emërua Drejtor i Shërbimit Informativ të Rendit, në Ministrinë e Rendit Publik, me gradë “Gjeneral Brigade” më pas zv/ministër i Brendshëm dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Ai nuk është i mendimit se të gjithë ish-persekutorët kanë vdekur apo janë në pension. “Nuk është e vërtetë se këta njerëz nuk janë më në jetë apo se janë në pension. Ka të tillë që sot janë ende aktivë, edhe në politikë, edhe në funksione të tjera shtetërore. Ka madje edhe deputetë. Nuk janë shumë, por gjithsesi janë ende atje”.

Por Lezhja thotë se duhet kujdes në trajtimin e rasteve, pasi historitë janë të ndryshme.

“Unë kam patur rastin të shikoj dosjen e një personi, një emër i njohur në Durrës, i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit, nuk e di se në çfarë rrethanash. Kishte firmosur në dosje, kishte marrë edhe pseudonimin, por dosja ishte bosh dhe ishte mbyllur për arsye se bashkëpunëtori është inaktiv. Po a mund të penalizohet sot ky njeri? Ndërkohë kam parë edhe dosje personash që i njihja, edhe intelektualë të njohur, që kanë patur një bashkëpunim ‘për t’u patur zili’ me Sigurimin e Shtetit, për të goditur grupe të ndryshme sidomos nëpërmjet agjitacion e propagandës”.

Çfarë ndodhi me dosjet në vite?

Duket se ka patur “dorëvënie” në kohë të ndryshme mbi dosjet e “mëkatarëve”, por edhe tentativa për t’i marrë në ruajtje.

Gjergj Lezhja tregon se në vitin 1993, kur ka marrë detyrën në Durrës, nuk ka gjetur dosje në arkiv. Me urdhër të brendshëm të ish-Kryetarit të SHIK-ut, Bashkim Bazidede, të gjitha materialet e ish-Sigurimit të Shtetit duhet të dërgoheshin nga në Tiranë, në qendër. Arsyeja ishte që të ruheshin dosjet e rretheve. “Për efekte pune, ne mund t’i drejtoheshim qendrës dhe ata na sillnin informacione ekstrakt, ose mund të shkonim në Tiranë dhe të konsultonim dosjet në arkiv”.

Një fakt që e konfirmon edhe Fatos Klosi, që morri drejtimin e SHISH-it pas ngjarjeve të vitit 1997. Ai tregon se në vitin 1997 në krye të shërbimit ishte Bashkim Gazidede, pastaj erdhi një tjetër i komanduar dhe pastaj një tjetër që qëndroi për disa muaj përpara se të emërohej Klosi. “Nuk e di si ka qenë gjendja përpara se të filloja unë detyrën, por ata që punonin në arkiv më thanë se në arkiv nuk ishte vënë dorë, në arkiv ishin mbledhur edhe gjithë dokumentet e rretheve, me qenë se situata ishte e tillë që në rrethe ishte më kollaj që të dilnin në publik arkivat, siç ndodhi në Sarandë e në Vlorë dhe ishte dhënë urdhër që gjithë arkivat e rretheve të mblidheshin në Tiranë. Dhe materialet arkivore ishin grumbulluar në kryeqytet. Në këtë mënyrë e gjeta unë arkivin, të grumbulluar në Tiranë dhe dora-dorës e rishpërndamë nëpër rrethe”.

Po çfarë kishte në këtë arkiv?

Fatos Klosi shpjegon se SHIK-u i mëparshëm (Shërbimi Informativ Kombëtar) kishte  vetëm një arkiv që ishte marrë nga Ministria e Brendshme kur ishte ndarë SHIK-u. “Konsiderohej se ky arkiv kishte vlera operative. Një nga mënyrat si funksionon shërbimi i inteligjiencës është përdorimi i arkivit, konsultimi i herë pas hershëm i arkivit për bashkëpunëtorët e rinj, nëse kanë qenë të vjetër, nëse kanë patur ndonjë problem... Arkivi është një institucion brenda institucionit që ndihmon në punën e përditshme. Ne kemi marrë vetëm dosjet operative, pjesa tjetër kishte ngelur në arkivin e Ministrisë së Brendshme, në disa depozita. Një pjesë ishin tek shkolla e qenve, një pjesë tek thesari, një pjesë në ambientet e ministrisë”, saktëson Klosi, i cili shton se ka parë shumë pak prej këtyre dosjeve, në rastet kur kishte interesa të momentit.

“Në punën tonë në Durrës, interesi më i madh për dosjet e vjetra të ish-Sigurimit të Shtetit ishte për bashkëpunëtorët në fushën e kundërzbulimit, për ato dosje që kishin të bënin me zbulimet e huaja”, thotë Gjergj Lezhja.

Si u “dogjën” spiunët

Ka patur dy komisione të mëdha të cilat u morën me shqyrtimin e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Komisioni i parë është ngritur në vitin 1995, përpara zgjedhjeve të vitit 1996 me idenë që në zgjedhje të mos kishte kandidatë që kishin qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Kandidatët për deputet duhet të paraqiteshin më parë në komisionin “Mezini”, të merrnin një vërtetim se nuk kishin qenë bashkëpunëtorë dhe më pas e çonin në KQZ.

“Komisioni funksionoi, pasi pati shumë kandidatë që nuk u futën dot në zgjedhje. Unë di edhe raste të shokëve të mi që nuk u futën dot në zgjedhje dhe aty e morëm vesh se kanë qenë bashkëpunëtorë”, thotë Fatos Klosi.

Autoriteti i parë e mbylli detyrën e vet me ngritjen e një komisioni tjetër, që u quajt “Bezhani”.

Klosi thotë se kur ka qenë kryetar i SHISH ka bashkëpunuar me komisionin ‘Bezhani’, madje i ka kaluar edhe një pjesë të dosjeve nga arkivi i institucionit.

“Komisioni ‘Bezhani’ u ngrit për një kontroll të gjerë të të gjitha figurave në gjithë institucionet e larta të shtetit. U morr me ministrat, deputetët, me diplomatët e me plot figura të tjera. Në institucionet e larta nuk duhet të kishte ish-anëtarë të Byrosë Politike, ish-anëtarë të Komitetit Qëndror, ish-sekretarë partie, ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Komisioni ‘Bezhani’ ishte i qëndrueshëm, me zyra të vetat dhe jo si i pari, që ishte ad hoc për zgjedhje dhe zyrat i kishte në Ministrinë e Brendshme”, thotë Klosi.

Komisioni “Bezhani” me ligj e mbaroi funksionin e vet dhe çështja e dosjeve u quajt e kryer. Por megjithatë debati për dosjet vazhdoi.

A po hapen vërtet dosjet?

Sipas Fatos Klosit, rrethi ka ardhur duke u zgjeruar. “Në fillim u bë kontrolli për kandidatët për deputetë, pastaj për funksionarët e lartë ndërsa ky i treti duhet t’u shërbejë të gjithëve”.

Por debati tashmë lind pikërisht në natyrën e komisionit të ri, që njihet si Autoriteti për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

“Ky komision sot është tjetër gjë. Ai është ngritur që të ndihmojë në hapjen e dosjeve kur kërkohet nga personat e interesuar apo nga institucionet. Pra, bëhet fjalë për hapjen e dosjeve dhe jo për penalizmin e njerëzve. Padyshim, edhe sot, në procesin e hapjes së dosjeve, mund të ketë penalizime. Por tani ky penalizim ka një natyrë tjetër, duke qenë më shumë moral se shtetëror”, thotë Fatos Klosi.

Ndryshe e shikon këtë problem Gjergj Lezhja, aktualisht këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit të Republikës.

“Unë kam qenë që në kohën e përmbysjes së komunizmit për dy mundësi zgjidhjeje të këtij problemi: Ose të hapeshin që në fillim, me një konsensus të gjerë politik, të gjitha dosjet, dhe këtij ligji t’i bashkëngjitej ligji i lustracionit, sepse këto dy ligje nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, ose të mbylleshin për t’u hapur pas 50 vjetëve. Kjo që po bëhet më duket pa kuptim. Të hapësh dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ndërkohë që ka ende bashkëpunëtorë apo persekutorë që kanë funksione shtetërore, nuk ka sens”, thotë Lezhja.

Të dy këta njohës të funksionimit të shërbimeve sekrete bashkohen në një pikë: Jo të gjithë bashkëpunëtorët duhet të penalizohen.

“Penalizohen ata që kanë kryer persekutime, jo ata që i kanë shërbyer sigurisë së vendit. Fjala vjen, nuk mund të penalizosh bashkëpunëtorë që janë përballur me zbulime të huaja. Por as ata që kanë dhënë kontribut në krimet kundër ekonomisë, sepse edhe kjo ka qenë një nga detyrat e Sigurimit të Shtetit. Edhe penalizmi i atyre që kanë bashkëpunuar për agjitacion e propagandën apo tentativat e arratisjes është i diskutueshëm. Ata i kërkoi shteti dhe bashkëpunuan”, thotë Klosi.

Ndërsa Gjergj Lezhja diferencimin e shikon jo vetëm në sektorin e bashkëpunimit, por edhe në faktin se sa aktivë kanë qenë bashkëpunëtorët.

Një diskutim që gjithsesi duket “pa bukë”, përderisa ligji i ri vetëm zbardh dokumente, por nuk parashikon ndëshkime.

A ka vlerë ky ligj?

Gjergj Lezhja e shikon tepër të vonuar një ligj të tillë.

“Unë nuk besoj se ka një zgjidhje puritane, të pastër. Këtë punë duhet ta kishte bërë qeveria e Partisë Demokratike në vitin 1992, duke marrë konsensusin e palës tjetër. Duhet të kishte luftuar ta merrte këtë konsensus”.

Ndërsa Fatos Klosi e shikon si një instrument që “njerëzit të flenë rehat”.

“Asnjë lloj vlere nuk ka për shoqërinë. Ka qenë thjesht një motiv për të bërë debat, një motiv për t’u pozicionuar politikisht. Ca njerëz disi më pranë regjimit të kaluar, ca të tjerë pranë Partisë Demokratike. Si në shumë fusha të tjera, shqiptarët kanë treguar se nuk janë të qartë. Është një debat absolutisht me prapavijë politike”.

Klosi shkon edhe më tej:

“Fakti që këtë iniciativë e mori përsipër Ministria e Mirëqenies, teksa mund ta merrte cilido institucion, është një tregues që kjo punë po bëhet thjesht për të qetësuar njerëzit, që të flenë rehat. Edhe në Gjermani, ku u njoha me eksperiencën gjermane, mësova se asgjë nuk kishte ndodhur edhe pas hapjes së dosjeve. Thjesht shteti “lau duart” me dosjet. Edhe këtu, kështu do të ndodhë. Asgjë nuk do të dalë nga ky proces”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: