“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Lali Eri, letër Soros-it: Të gëzohem apo të hidhërohem për fitoren e PS?

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Lali Eri, letër Soros-it: Të gëzohem apo të hidhërohem për fitoren e PS?
EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut, e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju çdo sinjal që do kapë nga çdo anë; majtas, apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Sot, në ditën e hënë të datës 3 të muajit korrik të motit të përvëluar 2017, ne kemi mundur të mbërthenim letrën e shokut Erion Veliaj, drejtuar shokut internacionalist, Xhorxh Soros, të cilën po e hedhim në gazetë, ashtu siç është.

Gazetari ynë satirik, Tahir Avazi, ka zbuluar këtë letër të shokut Erion Veliaj, dërguar shokut internacionalist, Xhorxh Soros

Lali Eri, letër Soros-it: Të gëzohem apo të hidhërohem për fitoren e PS?

Xhaxhi Soros, po të lajmëroj se fituam në zgjedhje! Fituam, por me ty dua të ndaj një shqetësim. Nuk di si të ndihem nga kjo fitore e PS në zgjedhje?

I kënaqur, apo i mërzitur?

Të gëzohem, apo të hidhërohem për këtë fitore të thellë, sidomos në Tiranë?

Po të them të vërtetën, xhaxhi Soros; Në fakt, thellë-thellë ndihem i mërzitur keq.

E pse të ndihem mirë?! Fitoi Saimir Tahiri në Tiranë. Kjo do i japë mundësi të bëhet ai faktor në parti. Turp! Pis milet! Si mund të votojë mileti për atë hashashaxhi. Ai e mbushi vendin më drogë. S'dilja dot nëpër Shqipëri, se më trulloste era e hashashit. Mamit tim para tre muajve i ra të fikët kur po bënte vrap. Edhe ku do thuash ti! Te Liqeni. Desh më iku mami "në atë dynja". Po vraponte me kufjet e vëna në vesh, kur pësoi një tronditje. Bap, ra shakull në vend. Kishte kaluar pranë disa të rinjve që po pinin hashash, ndaj. Desh më iku mami nga jeta, vetëm për paaftësi të Saimir Tahirit që nuk ndalonte dot hashashin. Shyqyr që aty u ndodhën disa veteranë, ish ushtarakë të fuqishëm që ma sollën mamin në terezi. E ngritën dhe i dhanë ndihmën e shpejtë. Desh ma hoqi mamin nga kjo jetë, ai Saimir Tahiri.

Njeri i paaftë. Do të bëhet edhe kryetar i PS ai kur të iki Edi, pale. Unë jam i bindur se anëtarët e partisë do më votojnë mua.

Kështu më tha edhe mami. "Ti bir, më tha, do jesh lider i ardhshëm i partisë dhe nuk i ke asnjë borxh asaj. Është partia që të ka borxhe ty. Se ti e shpëtove partinë nga Fatos Nano."

Dhe të drejtë ka mami. Pas disa vitesh më del detyrë ta shpëtoj nga Saimo qorri.

E bela! Më shkoi jeta duke luftuar qorrat. Sa iku Fatosi, erdhi ky Saimiri.

Nejse, se u zgjata shumë me hallet e mia? Ti si je me shëndet, xhaxhi Soros?

Kam marrë vesh që të ka lëvizur ca tensioni. A do të të nis ca ilaçe që merr edhe mami im? Nëse do, t'i nis menjëherë. Kështu më tha edhe mami, kur i thashë që xhaxhi Soros ka probleme tensioni. "Dërgoji ca nga këto ilaçet e mia, se i bëjnë derman", më tha. Të betohem që janë të mira.

I kishte blerë Ilir Beqaj kur ishte në Gjermani. Nuk janë nga ato që shpërndante ai në spitale.

Xhaxhi Soros! Nuk e di a e more vesh që më doli sekreti që s'jam i martuar ligjërisht me Arjolën. Ti e dije këtë gjë, se bashkë e kemi diskutuar disa herë, kur më thoshe që mos të martohem "me letra", se nëse ndahem do heq të zitë e ullirit nëpër gjyqe. Dhe unë ta dëgjova llafin. E kujtoj si sot kur më ke thënë ç'ke hequr për t'u divorcuar nga dy gratë e para që ke patur. Leshtë e kokës ke lënë. Më tha edhe mami, kur i thashë që nuk do martohem me letra, se e kam këshillë nga xhaxhi Sorros; "Mirë të thotë ai, më tha"

Ndaj edhe unë xhaxhi Sorros, bëra siç më the. S'ma mban të martohem.

Po sikur largqoftë të më marrë lekët që ka hequr mënjanë mami im? Nuk mund t'ja bëj këtë të keqe mamit. Ajo ka kursyer dhe ka hequr nga buka e gojës, vetëm e vetëm që unë të bëja një dasëm të madhe dhe të kem një jetë luksi. Jo se nuk e dua Arjolën. Jo se nuk e besoj atë. Por sa bëhem gati të shkoj te zyra e gjendjes civile, trembem. Jam bërë me hije, xhaxhi Sorros. Ca nga Saimo qorri dhe ca nga martesa me letra. S'di njeriu kujt t'i besojë.

Po të them një sekret: Unë tani as këmishës në trup nuk i zë besë. Unë ndaj edhe s'vesh këmisha, por vesh pulovra.

Të puth me mall, e pres këshillat e tua!

I yti, Eri!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: