I bashkoi skena dhe ekrani...

I bashkoi skena dhe ekrani...
Kinematografia botërore njeh shumë raste të dashurisë mes aktorëve ose mes aktorëve dhe regjisorëve. Në shumë raste jetëgjata dhe shumë të tjera, jo. Në skenën dhe filmin shqiptar, ka disa histori të tilla, - histori dashurie ngjizur gjatë xhirimit ose në shkallët e Institutit të Arteve. Janë histori të bukura që kanë sjellë edhe filma të suksesshëm të cilët i kanë rezistuar kohës, për të ardhur deri sot, si një leksion jete - se si pasioni për punën e forcon një lidhje, kur ka hapësirë dhe përkushtim. Ja disa prej tyre.

Nga Juela Meçani

 

Rikard Ljarja dhe Marjeta Ljarja

Ai ishte aktor i njohur. Ajo një vajzë nga Pogradeci, e cila sa kishte nisur të hidhte hapat e para në film dhe teatër. “Ishin shikimet e Rikardit, që ngacmuan ndjenjat e mia. Nuk e di, mendoj se kështu duhej të ishte, sikur ato vështrime donin të thoshin:”Marjeta ke lindur për mua, do të jesh e imja!” Kështu është shprehur aktorja e dhjetëra roleve, për njohjen dhe dashurinë për kolegun e saj, i cili u bë burri i jetës më pas. Një nga çiftet jetëgjatë, por dhe me më shumë bashkëpunime në film e teatër. Me rivalitet të shëndetshëm dhe mirëkuptim që zgjat edhe sot.

Fatos Haxhiraj dhe Drita Haxhiraj

Drita Haxhiraj është aktorja e mirënjohur e mbi 70 roleve në film dhe teatër. Në shumë raste, role heroinash dhe femrash të guximshme. Por zgjodhi përkrah një aktor si vetë ajo. Fatos Haxhiraj regjistron mbi 40 role e, më pas, pasi specializohet për regjisurë në Itali, shënon një karrierë brilante edhe si regjisor. Prej shumë vitesh, jetojnë në Itali, bashkë me pjesën tjetër të familjes.

Dhimitër Anagnosti dhe Roza Anagnosti

Aktorja bukuroshe, Roza Anagnosti, u dashurua me të mirënjohurin Dhimitër Anagosti, - në fillim fshehurazi, gjatë xhirimeve të filmit ‘Toka jonë”. Por trupa shumë shpejt e zbuloi dashurinë e tyre. Nga kolegët tregohet se Dhimitër Anagnosti, sapo e pa bukuroshen Roza, ra menjëherë në dashuri dhe zgjati xhirimet e filmit disa ditë që të rrinte më shumë pranë saj. Dhimitri ishte një nga regjisorët e rinj të diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik, kurse ajo një nga aktoret e reja shumë të bukura dhe të talentuara. Shpejt, djali simpatik nga Vunoi i Vlorës, u dashurua me vajzën bukuroshe nga Shkodra. Të dy së bashku, krijuan një nga çiftet më të bukura në atë kohë. Në kthimin në Tiranë, historia u mësua nga të gjithë dhe pjesa tjetër njihet. Ata janë sot, ende krah njëri-tjetrit si një ndër çiftet më solide në skenë dhe art.

Pirro Mani dhe Pavlina Mani

Ishte një vit kur Pirro Mani, aktor dhe regjisor i njohur, ishte caktuar kryetar i Komisionit për konkursin e artit dramatik në Institutin e Lartë të Arteve. Deri në atë kohë, pavarësisht moshës, nuk e kishte gjetur ende shoqen e jetës. Por gjatë konkurrimit i mbetën sytë tek vajza lushnjare, me fytyrë ovale dhe sy me dritë. Më pas, vetë Pavlina Mani tregon se ata bënin çdo gjë që të rrinin pranë njëri-tjetrit. Ishin të dashuruar. Sot jetojnë në SHBA, së bashku me dy fëmijët e tyre.

Xhevdet Ferri dhe Rozeta Ferri

Janë njohur kur ishin studentë, të dy dhe vetëm 20-vjeçarë, me aspirata të mëdha dhe të dy të rinj të pashëm. “Gruaja më e talentuar në botë, më e mençur në botë, për mua zhvlerësohet, nëse nuk është e bukur”, - është shprehur dikur, Xhevdet Ferri. Djali durrsak u dashurua me vajzën vlonjate, por shkelën të dy një betim, që nuk do të martoheshin kurrë me aktorë. Por ja që dashuria nuk njeh kushte dhe vetëm pas një viti, erdhi në jetë e bija, Bora. “Portofolin e mban Zeta. Vendimet i marrim bashkërisht”, - shprehet Xhevdet Ferri, për dashurinë e tij të atëhershme dhe të tanishme.

 

Fatos Sela dhe Natasha Sela

I madhi, Fatos Sela, është ndarë nga jeta duke lënë pas me dhjetëra role brilante në teatër dhe kinematografi. “Avni Rustemi” i skenës shqiptare, iku përpara kohe, duke lënë një boshllëk të pashlyeshëm në zemrën e shoqes së jetës, aktores Natasha Sela. Fieraku me hije të rëndë aktori dhe vokal që të mbetet në mendje, zgjodhi të kishte në krah një kolege, me të cilën edhe ka interpretuar bashkë. Sot, aktorja Natasha Sela  vazhdon të interpretojë me sukses në teatrin e komedisë.

Gjergj Xhuvani dhe Luiza Xhuvani

Luiza Xhuvani, me portretin melankolik, qartësisht ka qenë dhe aktorja e preferuar e regjisorit të njohur, Gjergj Xhuvani. Historia e dashurisë së tyre lindi natyrshëm në Akademinë e Arteve. Ajo vinte nga Saranda dhe adhuronte notin. U njohën me Gjergjin, në një kurs në Institutit ku ndanin të njëjtën bankë. Atëherë, as njëri as tjetri, s'kishin menduar se ç'do të bënin në të ardhmen, por kishin vendosur se në atë të ardhme do të ishin bashkë. Dhe janë edhe sot, jo vetëm një nga çiftet më tërheqëse, por dhe bashkëpunimi i tyre regjisor-aktore është nga më frutdhënësit në kinematografinë shqiptare.

Petrika Riza dhe Klaudeta Riza

I bashkon qyteti i lindjes, Korça, por i bashkon edhe pasioni për aktrimin. Petrika Riza dhe Klaudeta Riza janë dy aktorë që, për shumë vite, kanë interpretuar bashkë. Petrika Riza ishte në vitin e tretë në gjimnaz dhe ishte bashkë me motrën asaj që do të bëhej një ditë bashkëshortja e tij. Shkonte shpesh në shtëpinë e shoqes së shkollës, ku kërkonte ndonjë laps apo fletoren e detyrave dhe aty u dashurua me Klaudetën. Lidhje që vazhdon të jetë vitale dhe sot. Kanë punuar bashkë në skenë, shumë gjatë, por siç shprehen vetë ata të dy, skena ka qenë skenë dhe familja familje. Madje, lidhja ka shërbyer për përsosje në anën profesionale.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: