Pranimet te Universiteti i Sporteve, 60 % e pikëve nga konkursi

Pranimet te Universiteti i Sporteve, 60 % e pikëve nga konkursi
Këtë vit, 315 studentë të rinj pritet të ndjekin studimet në këtë universitet. Sa i takon tarifave të studimit, ato do të mbeten të pandryshueshme në krahasim me ato të vitit të kaluar.

Sonila Isaku

Maturantët të cilët do të konkurrojnë këtë vit, për të qenë pjesë e Universitetit të Sporteve, duhet të përgatiten shumë mirë sa i takon testimit dhe përgatitjeve fizike, pasi kjo pjesë do të ketë edhe peshën më të madhe të pikëve. Kështu, pranimet këtë vit do të bëhen në bazë të formulës, ku 60 % të pikëve do t’i përkasin testimit dhe 40 % të tjerat do të jenë të mesatares së tre viteve të shkollës së mesme.

Vendimi

Universiteti i Sporteve, në bazë të një vendimi që ka marrë gjatë ditëve të fundit, ka përcaktuar edhe mënyrën se si do të pranojë studentët e tij. Sipas këtij vendimi, pranimi këtë vit do të jetë në raportin 40% e pikëve nga mesatarja e shkollës së mesme dhe 60% e pikëve nga testimi fizik që do të kryhet për aplikantët në datat e përcaktuara nga ky universitet. Ndërkohë që, kriter tjetër i rëndësishëm pranimi sikurse edhe në universitetet e tjera, është mesatarja e notës e cila nuk duhet të jetë më e vogël se 6. “Senati akademik i Universitetit të Sporteve, vendosi që pranimet e studentëve në ciklin e parë të jenë në raportin 60% e testit praktik dhe 40% mesatarja. Ndërkohë që studentët duhet të kenë dhe mesataren 6”, - ka pohuar rektori i këtij universiteti, Agron Çuka. Ky vendim do të zbatohet në pranimet të cilat do të bëhen në verën e këtij viti.

Kuotat dhe tarifat

Sa i takon kuotave të pranimit, rektori bën me dije se do të jenë 315 studentë të rinj të cilët do të pranohen në të 2 fakultetet e këtij universiteti, pikërisht të Fakultetit të Shkencave të Lëvizjes (FSHL) dhe Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit (FVFR). “Çdo vit, kemi rreth 1000 konkurrues të cilët janë të interesuar për të ndjekur studimet në universitetin tonë. Për këtë vit ne kemi përcaktuar 315 kuota për pranimin e studentëve të rinj të cilët janë të ndarë në 165 kuota te Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes (FSHL) dhe 150 kuota pranë Fakultetit të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit (FVFR ) “ ka pohuar rektori i këtij universiteti. Sa i përket tarifave të studimit ato do të mbeten të pandryshueshme në krahasim me ato të vitit të kaluar. Kështu studentët në momentin e regjistrimit për të konkurruar në këtë universitet duhet të paguajnë një tarifë prej 5 mijë lekësh të reja, kurse tarifa vjetore e studimit është 35 mijë lekë.

Konkursi

Datat e regjistrimit të aplikantëve për konkursin e pranimeve në Universitetin e Sporteve të Tiranës për Vitin Akademik 2017-2018 janë 9-13 gusht 2017. Në datën 14 gusht 2017 do të bëhet shpallja e listave të aplikantëve të regjistruar në UST. “Datat e konkursit praktik në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes (FSHL) janë 15-19 gusht 2017. Datat e konkursit praktik në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit (FVFR) janë 20-22 gusht 2017” ka theksuar Rektori Çuka . Sipas tij në remontin e regjistrimit kandidati duhet të dorëzojë 2 fotografi, kopjet kartës së identitetit, mandat pagesën të cilin e shkarkojnë nga faqja zyrtare e këtij universiteti si dhe kartelën mjekësore e cila gjendet po në këtë faqe.

 

Dokumentet që duhet të dorëzojë kandidati:

2 fotografi dokumenti 4×6;

Fotokopje kartës së identitetit;

Mandat pagesa e tarifës së regjistrimit ;

Kartela mjekësore.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: