PUSHTETI I FRIKËS (Skuadra e Shënimeve)- OPINION NGA APOLLON BAÇE

PUSHTETI I FRIKËS (Skuadra e Shënimeve)- OPINION NGA APOLLON BAÇE
PUSHTETI I FRIKËS (Skuadra e Shënimeve)

Shoqëria e shkuar pretendonte se bazohej në dashurinë ose drejtësinë.

E jona bazohet në urrejtjen.

Në botën tonë nuk do të ketë emocione të tjera përveç frikës, inatit, triumfit dhe vetëposhtërimit.

Çdo gjë tjetër ne do ta shkatërrojmë. Çdo gjë

George Orwell, 1984

Nga APOLLON BAÇE

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

  1. Mbretëresha Bongani e tribusë afrikane Himba, u kishte dhënë urdhër shtetasve që të mos ti shfaqeshin në ëndërr. Ata që nuk e respektonin urdhrin ekzekutoheshin. A ishte mbretëresha Bongani e marrë, apo kishte zbuluar mekanizmin ideal të pushtetit të frikës? Kush nga viktimat mund të vërtetonte se nuk i ishte shfaqur në ëndërr?

“Jam shumë i impresionuar nga reagimet e zhurmshme për emrat e zyrtarëve të rreshtuar në përmbledhjen e postimit Eksperienca Juaj Negative” kumton kryeministri i riardhur në pushtet Edi Rama. “Emrat e nxjerrë nga komentet e miqve të këtij rrjeti social, janë përmbledhja mekanike që ka bërë Skuadra e Shënimeve... Katundin politik e mediatik, e këshilloj të ruajë energjitë se nuk ka parë e as dëgjuar gjë akoma... Platforma online e Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm.”

Me aq sa e njoh historinë, ky është i vetmi rast ku pas rimarrjes së pushtetit, nëpunësit e shtetit nuk falënderohen për punën e kryer por u premtohet ferri. Emërtimet e personelit shërbyes të ferrit: Skuadra e Shënimeve dhe Miqt e Eksperienca Negatives, të çojnë “para në të shkuarën”. Në botën e informatorëve dhe operativëve komuniste dhe produktet e tyre në dosjet dhe regjistrat e Sigurimit të Shtetit (sigla e të cilit S.SH. përkon çuditërish me siglën S.SH. të Skuadrës së Shënimeve).

Gjeneratën time kjo e çon në botën Orwelliane të Vitit 1984 me motor urrejtjen dhe pjesë xhenerike frikën, hakmarrjen, ligësinë, ngadhënjimin e besties ndaj kafshës së prerë dhe poshtërim/ vetëposhtërimin e kafshës së prerë nga bestia. “Veterinaria ka ecur mjaft para” më pati thënë i afërmi im Nysreti. Pyetjes pse, ai ju përgjigj “sepse Partia i bëri njerëzit kafshë.”

  1. E thëna e parë e Ramës të sapoardhur në pushtet “Nuk keni parë gjë akoma”, u ndoq nga shembja e mjaft disa shtëpive, pushimit nga puna të mjaft disa nëpunësve dhe burgosjes së mjaft disa të tjerëve (sipas INSTAT, 5453 më 2014, 6.9 herë më tepër se mesatarja komuniste). Këtë herë fraza e Ramës së riardhur në pushtet është edhe më e plotë, jo vetëm nuk keni parë, por “Nuk keni parë e as dëgjuar gjë akoma.”

Proklamata “Lulet mos më prek” (diçka si Lulet e së Keqes e Bodlerit), formalisht të kujton proklamatën e KQ të PPSH “Kur flet klasa, hesht burokracia-s”, e cila ndërsente turmë/“njeriun e zakonshëm” ndaj nëpunës/intelektualit. “Ç’po bën i mbyllur këtu?” e pyetën Çabejin e sapo goditur me fletë rrufe. “Ja, po i shes shpirtin shejtanit” u përgjigj ai. Këtë herë, në mungesë të Çabejit duhej gjetur Çabeji nr. 2, një korife shqiptar mundësisht me reputacion jashtëshqiptar. Figurë më e goditur se Mentor Petrela vështirë se do gjendej.

E ka futur profesor Petrelën në listë “për njohuritë që ai ka, për shëndetin mendor të autorit të listës” shkruan pseudo i marri tjetër, që nuk e ka kuptuar asnjëherë forcën e simbolikës “Godas kur të dua dhe kë të dua”. Shteti jam Unë. Ndërkohë në listat e Ramës dhe Skuadrës së Shënimeve (e ngjashme me Thinkpol-in/Policinë e Mendimit të Orwellit) gjen ç’të duash, vetëm marrëzi jo.

“I bëj thirrje të gjithë punonjësve të Policisë... për të marrë sa më shumë vota për PS-në”, tha Rama dhe kazan mediatiko/politiku ulëriti “Skandal”. Ç’kishte për të thënë, Rama e tha. “Ou Edo..” i thanë karagjoz korruptuesi Polic Edo Ramas. Dhe pastaj Polic Edo Rama tha “Kte mos ma kërko. Me kto gjoba bëjm spitale, kopshte...”. Skandal ulëriti sërish kazani ulëriti “Rama nuk di të ngasë makinën... Gjonbat nuk shkojnë për ... ”. Pa e kuptuar fare se synimi i tërë këtyre nuk ishte gjoba, as ngarja e makinës pa patentë, por transmetimi i mesazhit Kini Frikë. Më kini frikë. Si mendoni mesazhi i “ferrit të vërtetë” nga Skuadra e Shpëtimit dhe miqt e “Eksperienca Negatives” është mesazh begatie, bukurie natyrore, a dashurie, apo mesazh frike nga kanibalizmi i shqotës së fundërresave?

  1. Për post-strukturalistët francezë ka tre shoqëri: sovrane, disiplinare dhe kontrolli (Société souveraines, disciplinaires et de contrôle). Nëse pilastër i së parës është barazia para ligjit, për Fukonë (Surveiller et punir, që unë e përkthej Spiuno dhe ndëshko) e dyta mbështetet në Panoptikonin e Benthamit: Në metaforën e një burgu rrethor me kullë gardiani në mes, prej ku gardiani sheh tërë të burgosurit, ndërkohë që të burgosurit nuk e shohin dot atë. Gardiani nuk mund t’i survejojë përnjëherësh të tërë, por çdo i burgosur mendon se në këtë çast ai ndoshta survejohet. Morali? Gardian real është frika, ajo frikë që na mbajti 45 vjet në komunizëm.

Shoqëria tjetër, ajo e kontrollit, ka një arkitekturë krejt tjetër, të bazuar në teorinë e Hapësirës së Lirë (Open Space theory). Survejim/spiunimin vertikal në të, e zëvendëson survejim/spiunimi horizontal i secilit nga secili, përfshirë spiunimin e shefave nga vartësit, dhe dërgimin e impulseve spiune tek Skuadra e Shënimeve. Nëse impulsi ndez llambushkën spiune (lampa spia) të një personi të skeduar kush e di për ç’farë motive, aparatura vihet në lëvizje dhe ndizet llamba e paralajmërimit (si p.sh. lista 101).

Si e tillë frika krijohet nga spiunimi i ndërsjellët i të spiunuarve të ndërsjellët. Duke vënë në rresht çdo individ, pa marrë parasysh asnjë vlerë hierarkike, intelektuale a morale, pa kaluar nga asnjë instancë gjykimi juridik a moral. Vetëm në instancën e Big Brother-it (Rroftë udhëheqësi ynë i dashur i partisë dhe shtetit, shoku Edi Rama). Kjo sjell zëvendësimin e watchdog-ut (sigurim i shtetit/SHIK) jo dhe aq të sigurt, me watch ants, milingonat spiune që ruajnë dhe spiunojnë njëra tjetrën dhe që ja dërgojnë sinjalet drejtpërdrejt Big Brotherit.

Ekziston me të vërtetë Big Brotheri? pyeti Winstoni i ’84 së Orwellit, inkuizitorin O’Brien.

Sigurisht që ekziston. Partia ekziston. Big Brotheri është mishërimi i Partisë.

D.m.th. ai ekziston kështu siç ekzistoj unë?

Ti nuk ekziston.

  1. E tëra kjo duket si sci-fi, fantashkencë e frikshme eksperimentale. Përse ky eksperimentim me frikën? Nga kënaqësia e eksperimentimit, e viviseksionit, instinktit sadist? Ndërkohë e gjithë skema është tejet e sofistikuar për të qenë frut artistik i një artisti dhe loja me frikën është një mesazh persistent i fushatës elektorale, skenari i së cilës nuk u shkrua absolutisht nga Rama.

Përse ahere? Për t’i paradalë një situate tepër të vështirë ekonomike (sipas motos nëse turma nuk ka mese të ushqehet, hidhi asaj intelektualë si në 1967). Për një kërcim të mundshëm në erdoganizëm bashkë me Erdoganin? Eksperiment për hir të eksperimentit me një vend eksperimental, me

një popull që e mirë se vjen diktaturën. Që falë sindromës së pastër të Stokholmit bie lehtë në dashuri me xhelatin (sigurimi ja dha lotët popullit kur qau për Enverin pyet Hekuran Isai).

E keqja është se Shqipëria nuk ka opozitë, as edhe ka pasur ndonjëherë. Po populli? Nëse Zoti nuk do donte t’i shihte të qethur me makinë delesh, nuk do t’i bënte dele.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: