Redi Jupi: Enis Bardhi? E vërteta kërkonte kohën e vet

Redi Jupi: Enis Bardhi? E vërteta kërkonte kohën e vet
Levante-Real Sodiedad, ndeshje e veçantë në kampionatin spanjoll për dy ish-kandidatët kuqezi, Adnan Januzaj dhe Enis Bardhi. Bardhi titullar me Levante, madje shënoi golin e tretë në fitoren 3-0, ndaj Sociedad. Januzaj, në stol.

Të dy lojtarët janë me origjinë shqiptare dhe mund të ishin pjesë e ekipit tonë kombëtar. I refuzuam apo na refuzuan! Januzaj zgjodhi Belgjikën dhe Bardhi Maqedoninë. Historia e Januzaj njihet nga shqiptarët. Kurse Enis Bardhi, tashmë mesfushori i përfaqësueses së Maqedonisë, pak ditë më parë, deklaroi: “Kur nisa karrierën me Ujpest në Hungari, dhe isha në hapat e mi të parë, prisja të debutoja me Maqedoninë. Menaxheri im, i ka shkruar Jupit në e-mail dhe Facebook, por asnjë përgjigje”. Deklaratë kjo që ndezi debate. Madje përfaqësuesi kuqezi për Kosovën, i kishte kërkuar të provohej një javë nga Redi Jupi, çka u refuzua prej tij, sipas pretendimit të Bardhit.

Ndërkaq ish-trajneri i ekipit përfaqësues U-21, Redi Jupi, për “Albanian Free Press” thotë se nuk e njihte Bardhin në kohën kur ai pretendon se është refuzuar.  “E vërteta është ajo që thotë përfaqësuesi i Kosovës për zbulimin e talenteve,” – shprehet Jupi. “Janë të ndara punët. Ju e dini sesi funksionin zbulimi i talenteve në FSHF”.  I pyetur se përse Bardhi e ka akuzuar me emër, Redi Jupi përgjigjet shkurt: “Në përgjithësi, nuk preferoj të sqaroj këdo që pëlqen të lëshojë akuza pa më njohur apo pa dhënë asnjë fakt. E vërteta është thënë nga përfaqësuesi i zbulimit të talenteve për Kosovën e Maqedoninë”. Jetmir Salihu, përfaqësues i zbulimit të talenteve për Kosovën, mbi këtë çështje tha se Bardhin e kishte kontaktuar disa herë dhe ai gjithnjë e kishte refuzuar të bëhej pjesë e ekipeve kuqezi. Përfundimisht, Bardhi zgjodhi Maqedoninë, por ai mori kritika të ashpra nga tifozët shqiptarë në rrjetet sociale, para ndeshjes së fundit Maqedoni-Shqipëri, mbi zgjedhjen që bëri.

Gati dy javë pas kritikave, Bardhi u shpreh se e refuzoi kombëtaren kuqezi, për shkak të FSHF-së, ngaqë nuk e pranoi Redi Jupi, kur ky i fundit ishte pjesë e  U-21. Por kjo e vërtetë që pretendohet gati dy-tre vjet më parë nga Bardhi, përse duhej thënë pak ditë pas ndeshjes Maqedoni-Shqipëri? /a.muraçi/

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: