Tashmë Rruga e Kombit bëhet me pagesë, ja çmimi i kalimit

Tashmë Rruga e Kombit bëhet me pagesë, ja çmimi i kalimit
Tashmë Rruga e Kombit do të ketë pagesë kalimi duke filluar që nga muaj dhjetor i këtij viti.

Çdo makinë do të paguaj 5 euro me TVSH për kalimin në këtë rrugë, ndërsa koncesionari pas vitit të tretë do të marrë një shtesë prej 5 milionë eurosh në vit deri në vitin e 15-të si pagesë subvencioni.

Rreth 4 km në hyrje të Tunelit të Kalimashit, rruga do të zgjerohet nga katër, në gjashtë korsi, ndërsa do të ndërtohen mbi dhe nënkalimet, rrethimi dhe çdo element tjetër sigurie në autostradë, i cili plotëson kushtet për pagesën e rrugës. Ndërkohë ka filluar puna për ndërtimin e urave të lëna për mungesë fondesh në segmentin Kukës-Morinë.

Lidhur me projektin e lënë përgjysëm të urave ka folur drejtori teknik i firmës që ka fituar tenderin e rrugës.

Sipas tij, pesë ura duhej të kishin përfunduar në qershor, por nuk kanë përfunduar, ndërsa dy urat e tjera, ku përfshihet edhe ajo më e madhja e këtij segmenti, në afërsi të ish-uzinës së Bakrit në Rexhepaj, nuk mendohet se do përfundojnë në afatin e përcaktuar në kontratë.

Sipas koncesionarëve të mirëmbajtjes së rrugës, për mjetet me ndjeshmëri sociale do t’i jepen bashkisë 100 mijë euro (për autobusë, etj). Por, nuk do të shpëtojnë nga pagesa banorët e Kukësit. /f.ç/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: