DËNIMI I BASHËS NË KUVEND, VAZHDIM I MARRËVESHJES ME RAMËN?- OPINION NGA ROLAND QAFOKU

DËNIMI I BASHËS NË KUVEND, VAZHDIM I MARRËVESHJES ME RAMËN?- OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

DËNIMI I LULZIM BASHËS NË KUVEND, SI VAZHDIM I MARRËVESHJES ME EDI RAMËN

Nga ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Lulzim Basha u dënua me përjashtim nga seanca plenare e së enjtes që kaloi, pasi zuri foltoren e Kuvendit. Ishte hera e parë që nuk thamë e enjtja e Berishës, por hera e parë që thamë se, kjo ishte all inclusive, e enjtja e Bashës. Kryetari i Partisë Demokratike u kthye në shqetësim për kreun e Kuvendit, duke bërë protagonistin, jo vetëm për veprimin e bllokimit të kësaj foltoreje, por edhe me deklaratat që bëri, brenda dhe jashtë sallës, duke bërë thirrje që nuk i shkojnë sjelljes së tij politike të deritanishme. “Nëse në këtë Parlament, vendoset të rikthehet regjimi diktatorial, që për 50 vjet ndaloi mendimin ndryshe, atëherë ka ardhur koha të themi të vërtetën. Paqja sociale është e rrezikuar, bashkekzistenca demokratike është e rrezikuar dhe opozitës i lind jo vetëm e drejta, por edhe detyrimi, t’i bëjë thirrje shqiptarëve të marrin Parlamentin në duart e tyre. PD-ja do të shqyrtojë gjendjen dhe, më pas, do të marrë një vendim. Aleatët dhe qytetarët nuk do të lejojnë që Rama dhe Ruçi ta kthejnë Shqipërinë, 30 vjet pas”.

Çdokush që dëgjoi këtë pasazh të dalë nga goja e Bashës, dallon qartë sa i sforcuar është treguar, sa pak kuptim kanë këto fjalë, për aktualitetin politik dhe sa artificiale duket kjo përplasje pa arsye. Kjo solli kundërveprimin e dorës së fortë të Kuvendit, Gramoz Ruçit, i cili të parin vendim për të dënuar dikë për shkelje të rregullores, e mori ndaj kryetarit të opozitës.

Por çfarë ka ndodhur në realitet? Si ka mundësi që Lulzim Basha, vetëm pas katër të enjteve në legjislaturën e re, arriti të jetë protagonist dhe personazhi numër një real i opozitës? Si ka mundësi që brenda një muaji jetë parlamentare, të arrijë të bëhet ylli parlamentar i opozitës. Imazhi kur ai i “ngujuar” në foltore dhe i rrethuar nga grupi parlamentar i PD-së, ishte i denjë dikur për Sali Berishën, por kurrë nuk ishte imagjinuar për Lulzim Bashën. Por hija e Berishës u duk sikur u zvogëlua këtë të enjte, - pikërisht falë këtij vendimi, - dhe nga një duet dhe dualitet, ne ndoqëm një solo vetëm të Bashës. Nuk ka dyshim që, Lulzim Basha e ka patur këtë detyrë kompleksin më të madh në këto 4 vite si kryetar i PD-së, me Berishën aty ngjitur që, sa herë merr fjalën në Kuvend dhe sa herë bën një deklaratë në Facebook, demokratët frymëzohen, bashkohen dhe motivohen, ndërsa kjo nuk ndodhte kurrë me Bashën. Pas humbjes së turpshme në zgjedhjet e qershorit, më shumë se çdo herë tjetër, Basha e ka menduar se, që të jetë ai lideri real i PD-së, duhet që figura e vet të rritet dhe të ketë personalitet, - të rritet duhet që një nga betejat, të jetë ajo me Berishën. Deklarata e fundit te kolegu Çim Peka se, “këshilltarët e Bashës ishin mizerabël”, në fakt nuk shigjetonin këshilltarët, por vetë Bashën. Është e njëjta gjë të thuash se, Berisha vetë ishte i mirë, por fajin për humbjen e PD-së në vitin 2013, e kishin këshilltarët e tij! A ka vlerë kjo?

Por përveç vetë Bashës, më shumë nga të gjithë po kujdeset personalisht, Edi Rama. Marrëveshja e tyre duke gdhirë 18 maji i këtij viti, duket se ka pikë kulmore “ndihmën” e vazhdueshme që Rama duhet t’i japë, në rast se ai do fitonte zgjedhjet, për të konsumuar një mandat të dytë. Dhe ndihma e tij është ngritja e figurës së Bashës, dobësimi dhe mënjanimi i Sali Berishës. Për ish-basketbollistin dhe tiranasin, Rama, ish-volejbollisti dhe tiranasi, Basha, është më i pranueshëm si figurë se çdokush tjetër. Për kryeministrin, më mirë të përballet me “djalin e mirë të PD-së” me të cilin ndjehet komod, se sa me kockën e vjetër që, edhe pse e ka mundur me vota, nuk arrin t’ia mposhtë karizmën, ndikimin e tij dhe atë që Berisha e ka thënë se, synon t’i dalë natën në gjumë. Për të arritur këtë, është Rama që kërkon “sherre” që të reagojë, ta përjashtojë, ta bëjë protagonist, në mënyrë që të jetë ai dhe jo Berisha violinë e parë dhe strumbullari i gjithçkaje në politikë. Rama e di mirë që, të arrijë këtë Basha, duhet të dalë nga vetja, të bëjë edhe zaptime të foltores, të bëjë edhe sherre, të përplaset, të dënohet dhe vetëm kështu mund të dalë mbi ujë, të ngrihet mbi të tjerët dhe të motivojë demokratët.

Rregulli e ka dashur që në politikën shqiptare, çdo lider i nivelit më të lartë, ka kaluar përmes përplasjeve, akuzave, arrestimeve e denigrimeve. Kështu u ngrit figura e Fatos Nanos, menjëherë pas vendosjes së pluralizmit. Zyrtari i Institutit të Marksizëm-Leninizmit, u cilësua si prurje e re e komunistëve dhe papritur u bë sekretar i Përgjithshëm i kryeministrisë, në kabinetin e fundit të Adil Çarçanit. Pas rrëzimit të tij, ai u bë kryeministër në moshën 38-vjeçare dhe Shqipëria kishte kohë që nuk kishte parë një kryeministër kaq të ri. Largimi nga ky post, pas pak muajsh, u shoqërua me zgjedhjen e tij si kryetarin e parë të Partisë Socialiste dhe këtu doli thënia legjendë: Vërtetë humbëm një kryeministër, por fituam një kryetar partie.

Por sapo PD-ja erdhi në pushtet, një nga veprimet e para ishte arrestimi i Fatos Nanos. Ai u vendos nën një akuzë që edhe sot, të habit për nga formulimi dhe sforcimi: “Vjedhje përmes të tretëve”... të mendosh se sa e sa politikanë kanë vjedhur e abuzuar në këto 27 vjet, në favor të vetes së tyre dhe jo për dikë tjetër. Burgu e bëri Nanon lider të padiskutueshëm dhe të pakonkurrueshëm në PS. Të vetmen garë ai e kishte me kundërshtarët politikë.

Por edhe Sali Berisha u rrit si figurë, përmes një rruge të vështirë. Që kur u zgjodh kryetar e deri në fund të presidencës, ndaj Sali Berishës pati shumë sulme politike, verbale madje deri te ajo që, - siç e ka pranuar vetë, - ndaj tij janë bërë katër përpjekje për t’i marrë jetën. Por më shumë se kjo, vështirësia e figurës së Berishës ishte pas daljes së tij në opozitë, në vitin 1997. Ai e pati shumë të vështirë këtë moment, kur masa e njerëzve nuk e donin, ndërsa kur shkoi për herë të parë në godinë e PD-së, e shoqëronin një grusht shumë i vogël njerëzish. Nga ky moment, Berisha u vu disa herë nën akuzë. Atij iu hoq imuniteti, u përgjua e u hetua me akuza nga më të rëndomtat, deri te organizator i kryengritjes së armatosur të 14 shtatorit, nga e cila rrezikonte deri dënim me burgim të përjetshëm. Nga viti 1997 deri në 2002, ishin të shpeshta lajmet që qarkullonin se arrestimi i Berishës ishte çështje orësh, ditësh dhe muajsh. Dhe, në fakt, kjo u arrit në 29 nëntor vitin 2000, kur për katër orë, u mbajt në policinë e Tiranës. Por pikërisht këto atë e ringritën nga hiri, e bënë lider të padiskutueshëm. Edhe Berisha, të vetmen garë reale e kishte me kundërshtarët politikë.

Në një formë tjetër, edhe Edi Rama u ngrit si figurë përmes të njëjtave rrugë. Pas kohës së mjaltit ishte një moment që dy armiqtë e tij më të mëdhenj politikë, u bënë Fatos Nano dhe Sali Berisha, pas asaj marrëveshje që bënë në 5 prill të vitit 2002. Nuk besoj se Edi Rama duhet të jetë ndjerë më në siklet dhe i shqetësuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar që kryesonte Sokol Olldashi, ku, me megafon në dorë, fliste plot emocion, ndërkohë që prangat i përmendeshin, gati rregullisht, në çdo seancë. Kjo ishte arsyeja që i quajti “karamelet e doktorit”, plumbat në dritaren e shtëpisë së tij, në tetor 2003.

Si për Nanon, për Berishën dhe Ramën, ngritja e figurës dhe personalitet politik, ka kaluar përmes këtyre pengesave, përplasjeve, betejave, hijes së prangave e deri rreziku për jetën. Por a vlen që Lulzim Basha të ketë sukses politik, vetëm duke bërë djalin e mirë dhe që nuk i hyn asgjë në këmbë? Që nuk bën beteja brenda dhe jashtë PD-së, që nuk zapton foltoren e Kuvendit, që nuk ngre zërin e deri nuk motivon njerëzit? Në fakt, betejat e tij kanë nisur. Ajo e të enjtes është një prelud, për të kuptuar që sa e sa të tilla e presin përpara, sepse vetëm kështu ai arrin të bëhet lider i vërtetë, i pranuar brenda dhe jashtë PD-së. Një prej tyre që e pranon kështu, është Edi Rama. Me mendjen të zbatojë marrëveshjen e fshehtë të 18 majit dhe duke e njohur mirë këtë rrugë, Rama po kujdeset që rivali i tij të ecë pikërisht aty ku ia shtron ai shtigjet. Kështu, Basha do të arrijë liderin për të cilin një ditë, do të thonë: Na ishte një djalë i mirë dhe i urtë, që nisi betejat në PD. Më pas u përplas fort me pushtetin dhe kështu u bë lider i madh. Dhe aty ka edhe Rama meritën e tij. Të presim hapat e tjerë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: