Sa të pasur, sa pak qytetarë

Sa të pasur, sa pak qytetarë
 

nga Juela Meçani

Më kujtohet, disa kohë më parë, kur dola paradite nga shtëpia. Mora në këmbë ato pak shkallë dhe, në kat të dytë, gjeta sanitaren të ulur, me kokën mes duarve. Ajo vetë, është sa një grusht, e imët, por me kokën mbledhur mes duarve mbi gjunjë, dukej edhe më e vogël.

Ishin kohët kur ende nuk i kishte administratori i pallatit gjërat në dorë dhe gruaja duhet të shkonte derë më derë, 12 kate, të mblidhte paratë mujore për punën. Kur vinte ajo ditë, sanitaren e gjorë e zinte taksirati. Më thoshte shpesh se, më mirë pastroj pa ndalesë tërë ditën, sa të shkoj të kërkoj hakun tim derë më derë. Përveç se bën punën e saj, ajo grua ka të bëjë dhe me njerëz shumë, po shumë të habitshëm.

Pjesa më e madhe e tyre, janë në gjendje mjaft të mirë ekonomike, por tej mase të përkëdhelur e tekanjozë. Ndotin kur askush nuk i shikon, nga ballkonet, me shënjestër brilante, shënojnë tripiksha me cigare, pështymë, qese, letra, vezë e plehra si këto. Në ashensor, pihet rregullisht cigare; nëse ndonjë qen i mjerë, i plakur e i urtë, përgjumet përpara ndonjë dere, ndodh shpesh ta zënë me shkelma e me të shtyra, zengjinët e rinj të lagjes time. Por, ndërkohë, kur sanitarja e gjorë, e sikletosur, kërkon hakun e djersës së saj, disa syresh zënë e ankohen, gjejnë lloj-lloj justifikimesh, që të mos e paguajnë.

Kështu kishte ndodhur edhe atë ditë, ndërsa kishte varur kryet si lulja pa ujë. Nuk e quaj veten pishtar të drejtësisë, por gjithmonë këto lloj prepotencash, më kanë acaruar. Sepse, të them të vërtetën, i kam hasur shpesh herë. Nga njëra anë, sheshpushimi gjithmonë i bllokuar nga makina luksoze, estetistet e parukeritë që nuk njohin krizë, dhe nga ana tjetër, gjithmonë sherr për pagesën e ustait të ashensorit kur prishet, kur digjen pompat e ujit, sherr për të mbledhur pagesën sanitarja, e cila ka stres të përmuajshëm për të marrë rrogën.

Bizneset e vogla të zonës time, përveç taksave të larta, po dështojnë edhe nga ulërimat e tufave të fëmijëve që luajnë, duke përplasur topin në vetratat e dyqaneve, duke ulëritur me fjalor që më bën të skuqem edhe pse kam dëgjuar gjithçka, - një torturë e përditshme që nuk po gjen zgjidhje. E dini përse? Sepse fëmijët e mamit kanë mamatë afër, ulur në kafe, disa prej tyre edhe mësuese, të cilat jo vetëm që duan rehatinë e tyre në kafene, por që në vend t’u tërheqin vëmendjen bijve të përkëdhelur, sherrosen edhe me policinë kur vjen, në mbrojtje të cubave që po rrisin me çokollata e smartphone.

Lagjja ime e “mirëqenë”, është sa një qytet e Tirana është sa lagjja ime!

Sa pasuri e sa pak qytetari në këtë vend, që nuk është ende gati për Europën e nga këto detaje të vogla, por që të prishin ditën, e mendoj këtë gjithmonë e më shumë. Përtej borxhit publik, kriminalitetit, papunësisë, sistemit shëndetësor, ajo që na dallon ende si nata me ditën me fqinjët perëndimorë, është të mos pasurit as të bazave minimale të qytetarisë. “Moj para, më hëngsh m..ë, bëre zengjin harbunë!” - thoshte gjyshi im dikur. Paska qenë shumë largpamës!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: