Si të kuptojmë alergjitë ushqimore

Si të kuptojmë alergjitë ushqimore
Ushqime të ndryshme mund të çojnë në shfaqjen e reaksioneve të caktuara alergjike në organizëm. Format e shfaqjes së këtyre alergjive mund të jenë nga më të lehtat, e deri tek ato më të rënduarat të cilat mund të shoqërohen me pasoja fatale për jetën.

Shfaqja e simptomave pasi konsumoni një ushqim mund të jetë shenjë e një alergjie ushqimore, ndaj dhe duhet vepruar me largimin e këtyre ushqimeve nga vaktet e përditshme.

Për çdo rast duhet konsultuar mjeku alergolog , në mënyrë që të shmangen ndërlikimet që mund të vijnë si pasojë  e mos kontrollit në kohë të reaksionit alergjik ushqimor. Kjo pasi alergjitë ushqimore nuk shërohen. Në këto kushte, shmangia e alergjive ushqimore, ndjekja e kujdesshme e ecurisë së shëndetit tek mjeku, si dhe menaxhimi i reaksioneve alergjike ndaj ushqimit, janë masat kryesore për të mbajtur larg pasojat e rënda në shëndet.

Simptomat e alergjive ushqimore janë të ndryshme nga njëri person tek tjetri. Po ashtu ndryshon nga personi në person edhe sasia ushqimore e nevojshme për të shkaktuar një reagim alergjik. Përgjithësisht reaksionet janë akute, të menjëhershme nga disa sekonda deri në një orë nga koha e marrjes së ushqimit.

Mund të shfaqet kruajtje të buzëve, të gjuhës, fytit, syve, të lëkurës, ndjesia e shpimit me gjilpërë, etj.

Edema përparon dhe mund të kemi vështirësi në gëlltitjen e lëngjeve, sekrecione të lëngshme nga hundët, ngjirje zëri, vështirësi në frymëmarrje, të përziera, të vjella ose dhimbje barku. Rreziqet e alergjive ushqimore thellohen kur kemi shfaqjen e çrregullimeve dhe vështirësisë në frymëmarrje, si edhe kur preket funksioni i qarkullimit të gjakut.

Klinikisht kjo manifestohet me puls të dobët dhe nxirje të buzëve, ekstremiteteve, zbehje të lëkurës dhe gjendje të fikëti. /m.j/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: