AKU: Gjendja e tregjeve, situata është e përmirësuar

AKU: Gjendja e tregjeve, situata është e përmirësuar
Tregjet e gjësë së gjallë, aty ku tregtohen kafshët, në ditë të caktuara apo thuajse edhe çdo ditë, janë në kushte të mjerueshme dhe nuk plotësojnë kurrfarë standardi

Sa i takon gjendjes aktuale të tregjeve, situata është e përmirësuar, por po vijohet me inspektime në ato ku janë lënë detyra, për t'u verifikuar nëse janë zbatuar. Ky është qëndrimi që burimet zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), paraqesin për "Albanian Free Press", lidhur me të. Referuar, gjithmonë, situatës në tregjet ushqimore, këto burime përmendin faktin se AKU-ja, në muajt prill-maj 2016, i ka dërguar shkresa zyrtare pushtetit vendor të çdo qarku, duke kërkuar bashkë- punimin me qëllim lirimin e hapë- sirave publike dhe tregjeve informale nga operatorë biznesi dhe individë, të cilët tregtonin produkte ushqimore në kushte të papërshtatshme, në kundërshtim me kërkesat e përcaktuara në ligj.

"Gjatë kontrolleve të ushtruara nga AKU-ja, u morën masa sipas kompetencave ligjore për tregjet të cilat nuk plotësonin kushtet e sigurisë ushqimore, deri në bllokimin e tyre. Pas masave të marra nga AKUja, vërehet një përmirësim i kushteve higjieno-sanitare nëpër tregje, kompetencë e AKU-së", - citojnë më tej burimet zyrtare të saj. Duke përfunduar se, vazhdon inspektimi i tregjeve ushqimore mbi verifikimin e plotësimit të detyrimeve të lëna nga AKU-ja, për garantimin e sigurisë ushqimore.

Nga ana tjetër, burimet zyrtare të ministrisë së Bujqësisë, shtojnë se tregjet e gjësë së gjallë, aty ku tregtohen kafshët, në ditë të caktuara apo thuajse edhe çdo ditë, siç janë tregu i Milotit, ai i Tapizës, i Rrogozhinës etj., janë në kushte të mjerueshme dhe nuk plotësojnë kurrfarë standardi dhe aq më pak, për të garantuar të gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore "Nga Ferma në Tryezë". "E themi këtë pasi, duke qenë se tregjet janë jashtë kontrollit, nuk plotësojnë kushtet, kafshët nuk kontrollohen për origjinën, certifikatën veterinare, matrikullin etj., mund të përbëjnë dhe rrezik për konsumatorin në raport me sigurinë ushqimore, nëse ato tregtohen për mish, qumësht apo nënprodukte qumështi.

Për fatin e keq, këto tregje nuk administrohen nga Ministria e Bujqësisë, apo nuk janë nën juridiksionin e saj. Këto tregje, por dhe të tjera, administrohen nga pushteti lokal (bashkitë), të cilat i kanë vetë nën administrim, ose ua kanë lënë të tretëve (privatit) dhe i kontrollojnë", - sqarojnë burimet zyrtare të këtij dikasteri. Duke përfunduar me faktin se, vetë ministri i Bujqësisë, u ka kërkuar, disa herë, njësive të qeverisjes vendore të marrin masa për përmirësimin e këtyre tregjeve dhe kushteve të tyre.

Bujqësia: Të merren masa për tregjet

"Ministri i Bujqësisë u ka kërkuar, disa herë, njësive të qeverisjes vendore, të marrin masa për përmirësimin e këtyre tregjeve, kushteve të tyre, vendosjen e rregullave të qarta në to dhe t'i detyrojnë subjektet private me kontratë, apo vetë bashkitë, t'i përmirësojnë kushtet, ose të ngrenë tregje të tjera, me kushte brenda normave. Tregje të tilla ka, siç është ai i Laknasit, i përuruar në nëntor 2016, por që ende nuk funksionon. Sa më sipër, ministri u ka kërkuar bashkive dhe subjekteve që kanë me qira tregjet, të marrin masa të menjëhershme, në të kundërt do të mbyllen".

Shoqata e Konsumatorëve: Ankesat, kryesisht për produktet shtazore

Qytetarët shqiptarë, teksa paraqesin, çdo ditë ankesa pranë Shoqatës së Konsumatorëve të Shqipërisë (SHKSH), lidhur me mangësitë në tregje dhe ushqimet që ata konsumojnë, rezulton se ato më të shumtat, i kanë pikërisht për produktet ushqimore me prejardhje shtazore. Sikundër edhe në lidhje me mënyrën sesi produktet ushqimore tregtohen në tregje, shpesh dhe pa certifikata etj. Një fakt të tillë e pohon vetë drejtuesja e këtij organizmi, Fatmira Biçaku.

Sipas saj, gjatë vitit 2016, vetëm nga qytetarët e Tiranës, u paraqitën pranë SHKSH-së plot 6744 ankesa, pikërisht, për ushqime me prejardhje shtazore që tregohen në tregje të tilla si mishi, peshku, veza dhe qumështi. Ankesa këto që u janë adresuar, tashmë, sektorëve shtetërorë përkatës, të cilët i mbrojnë konsumatorët. Sikundër shton edhe se pranë SHKSH-së, janë paraqitur edhe ankesa për ushqimet e paketuara. "Janë 1800 të tilla, të cilat kanë të bëjnë me abuzimin në çmim dhe peshë, si dhe keqambalazhim", sqaron ajo.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: